E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, pranga tre të rinjve që grabitën kartat telefonike

Një pistoletë me silenciator dhe bombë me telekomandë janë përdorur nga banda e të rinjve, që kryen vjedhjen më të fundit në qytetin bregdetar të Durrësit. Armët janë sekuestruar, ndërsa bomba është çaktivizuar nga forcat speciale të Ministrisë së Brendshme gjatë operacionit "Kasaforta" për arrestimin e bandës së hajdutëve të natës së Bajramit. Policia ka shtrënguar prangat në duart e tre prej tyre dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerët. Të arrestuarit në flagrancë gjatë mesnatës së kaluar janë: Arbër Bardhi, 21 vjeç nga Durrësi dhe Sali Ndregjoni, 19 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në një apartament me qira në lagjen 5 të qytetit të Durrësit. Ndërsa i treti është prangosur mbrëmjen e djeshme, fal teknikave të përgjimit. Ai është 21-vjeçari Ergys Vogli, nga Durrësi. Këta persona në bashkëpunim me 30-vjeçarin nga Burreli, Ismail Deshuka, dhe 22-vjeçarin Alfred Skonja, me origjinë nga rrethi i Matit dhe banim në Durrës, kanë vjedhur me thyerje dyqanin në pronësi të Agron Veizit. Dyqani është vjedhur përmes dëmtimit të murit të pasmë të tij, nga ku kanë marrë një kasafortë në të cilën ndodheshin një sasi e konsiderueshme kartash rimbushëse të numrave celulare, aparate telefonash që kapnin vlerën e 12 milionë lekëve, si dhe 500 mijë lekë të reja. Shenjat e gishtërinjve të lëna në vendin e krimit kanë zbardhur shpejt identitetin e personave të dyshuar në krim. Gjatë kontrolleve të ushtruara në shtëpitë e të dyshuarve është gjetur një pjesë e mirë e mallit të vjedhur, si dhe automjeti "Alfa Romeo" me targa BJ223JF të falsifikuara dhe pa dokumentacion të rregullt, i cili është përdorur nga autorët natën e krimit. Automjeti u gjet në shtëpinë e Ndregjonit ku u sekuestruan dhe pistoleta me silenciator, karta të ndryshme në vlerën e 6 milionë lekëve, si dhe 150 mijë lekë në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme. Ndërkaq, në garazhin e Arbër Bardhit, i njohur me pseudonimin Kosovari u gjet dhe sekuestrua pas çaktivizimit bomba që komandohej përmes një aparati të telefonisë celulare. Ndërkaq, në shtëpinë e Skonjës së shpallur në kërkim u gjetën dhe sekuestruan një sasi kartash, 3 telefona celularë të llojit "Nokia", memorie për kompjuterë (USB), si dhe 300 mijë lekë. Policia deklaroi shpalljen në kërkim policor të Alfred Skonjës dhe Ismail Deshukës, ndërsa vazhdon puna nga specialistët e hetimit të krimeve për dokumentimin me prova ligjore dhe të disa veprave të tjera penale që ky grup ka kryer kohët e fundit në qytetin e Durrësit. Akuzat e ngritura paraprakisht ndaj të rinjve janë ato të vjedhjes së kryer në bashkëpunim dhe mbajtjes së armëve luftarake pa leje.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›