Konflikti, 28-vjeçari tallet me kryebashkiakun
Sherri dhe shakaja me kripë me kryetarin e bashkisë i ka kushtuar shumë një 28-vjeçari në Kavajë. Bëhet fjalë Rexhep Verrinë, i cili nuk ka qenë i kënaqur me punën për mbeturinat e qytetit dhe në këto kushte ka vendosur t‘i dhurojë kryetarit të bashkisë dy kazanë plehrash, duke ia vënë para hyrjes. Sipas të dhënave nga policia, ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, në lagjen nr. 6, para banesës së kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Refik Rrugeja, 52 vjeç. Pas një debati me Verrinë, ky i fundit kishte marrë dy kazanë plehrash dhe ia kishte vendosur para banesës. Në ato momente, kryebashkiaku ka njoftuar policinë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Autori 28-vjeçar është shoqëruar në polici dhe pasi është marrë në pyetje, ai është lënë sërish i lirë, por do të hetohet për fyerje ndaj Rrugesë.