Sherri me bashkatdhetarët, vritet shqiptari në Itali
Një 29-vjeçar shqiptar, emigrant në Itali, ka mbetur i vrarë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur është qëlluar me një plumb në kraharor nga dy bashkëkombës të tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit, ndërkohë që shqiptari ka ndërruar jetë në spital rreth një orë më vonë. Pikërisht në orën 4.15 minuta, policia e Firences është njoftuar se 29-vjeçari kishte vdekur. Sipas të dhënave hetimore nga policia italiane, ngjarja ka ndodhur në sheshin "San Pier Maggiore", në zonën e San Pierinos. 29-vjeçari, bashkë me një shok të tij, kanë qenë duke ecur rrugës, kur janë afruar dy shqiptarë të tjerë, moshë e re, të cilët kanë filluar të debatojnë me viktimën, ndërsa shoku i tij nuk i njihte. Në atë kohë, një nga dy shqiptarët që po debatonin me 29-vjeçarin ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar mbi të, duke e lënë të shtrirë përdhe. Në atë kohë, armën ia ka drejtuar shqiptarit tjetër, që shoqëronte të dëmtuarin. Por, arma është bllokuar. Duke u ndodhur përballë një situatë të tillë, agresorët janë larguar me shpejtësi nëpërmjet rrugicave. Por, pa kaluar shumë minuta në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, e cila ka marrë të plagosurin, duke e dërguar për në spital, ku ndërroi jetë më vonë. Ndërsa shokun e tij e kanë shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Policia italiane deklaroi se gjatë ditës së djeshme e ka identifikuar viktimën me emrin Dionis Hoxha dhe dyshohet se ngjarja ka ardhur për sherre të mëparshme mes viktimës dhe autorëve në një disko dhe dje kanë vendosur larjen e hesapeve. Megjithatë, kjo pritet të sqarohet gjatë ditëve në vijim nga hetimi i plotë i ngjarjes kriminale.