E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet në punë, për tre muaj i marrin jetën 7 personave



Jonida Tashi

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2009, aksidentet në punë i kanë marrë jetën 7 personave. Në zbatim të planit vjetor të vitit 2009, Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP) ka realizuar analizën për tremujorin e parë të këtij viti, për aksidentet në punë. Sipas drejtuesve të ISHP-së, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vihet re një ulje e numrit të aksidenteve. Në total, gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 janë regjistruar 27 të aksidentuar, nga të cilët shtatë kanë rezultuar me pasojë humbje jete. Ndërsa, në tremujorin e parë të vitit 2008 janë regjistruar 61 të aksidentuar, nga të cilët 10 me pasojë vdekje. Një aspekt tjetër i rëndësishëm gjatë këtij tremujori, sipas krerëve të ISHP-së ka qenë dhe hetimi i aksidenteve. Nga analiza e ISHP-së gjatë periudhës janar-mars 2009 janë regjistruar 16 raste aksidentesh që lidhen direkt me punën dhe tre raste janë me pasojë humbjen e jetës së punëmarrësit. Kryesisht këto aksidente kanë ndodhur në sektorin e ndërmarrjeve prodhuese, ndërtim, tregti karburantesh. Në sektorin e minierave, punëtorët e të cilit janë tejet të rrezikuar për jetën janë regjistruar shtatë raste aksidenti me dëmtim të punëmarrësve, ndërsa dy raste janë me pasojë humbjen e jetës së punëmarrësve. Aksidente në rrugë janë regjistruar katër raste me dëmtime të punëmarrësit, ndërsa dy raste kanë përfunduar me humbjen e jetës së tyre.
Kontrollet
Inspektorati Shtetëror i Punës gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka ushtruar kontrolle në aktivitetet ekonomike, të cilat për vitin e kaluar kanë rezultuar me shkelje të dispozitave ligjore të legjislacionit të punës. Gjithashtu, shërbimet lokale të inspektimit të punës janë orientuar që gjatë tremujorit të parë, të ushtrojnë kontrolle dhe në ato subjekte kur janë evidentuar raste të fshehjes së punëmarrësve gjatë deklarimit në ISHP, Zyrën e Punësimit dhe në Tatim Taksa. Sipas drejtuesve të ISHP-së, në krahasim me njëjtën periudhë të vitit 2008, nga Inspektorati Shtetëror i Punës janë kontrolluar 25 për qind subjekte private më shumë. Nga kontrollet e ushtruara, për shkelje të legjislacionit të punës janë gjobitur për tre mujorin e parë të 2009-s, 41 subjekte me vlerë totale 8 127 000 lekë. Ndërsa për tre mujorin e dytë të këtij viti, janë planifikuar kontrolle në subjektet e sektorit të ndërtimit dhe të prodhimit, në të cilat evidentohen probleme në lidhje me sigurinë dhe shëndetin dhe ku ka ndodhur dhe numri më i lartë i aksidenteve.
Masat
Aktualisht, drejtuesit e ISHP-së kanë nisur punën për projektligjin e “Sigurisë dhe Shëndetit në Punë”, një detyrim që rrjedh nga nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Ky draft realizohet në kuadrin e përafrimit të legjislacionit shqiptar për sigurinë dhe shëndetin në punë, me atë të vendeve anëtare të BE-së. Hartimi i ligjit bëhet gjithashtu dhe në kuadër të realizimit të planit të masave të parashikuar në Dokumentin Strategjik Kombëtar të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, që është një plan afatgjatë për masat që do të merren në kuadër të përmirësimit të kushteve të punës, parandalimit të aksidenteve, konsolidimit institucional të ISHP-së dhe forcimit të bashkëpunimit me institucione të tjera homologe dhe partnerët socialë. Po ashtu, në kuadrin e implementimit të projektit “Fuqizimi i tregut të punës dhe Punësimit dhe Mbështetja e Shërbimeve të Inspektoratit të Punës dhe Zyrave të Punësimit në Shqipëri” ka filluar organizimi i seminareve trajnues rezidencialë në tre rajone të vendit me temë: “Rritja e ndërgjegjësimit”. Në këto aktivitete trajtohen çështje të implementimit të programeve institucionale, dhënie asistence inspektorëve të punës dhe thirren për të asistuar dhe diskutuar dhe partnerë socialë, si përfaqësues të sindikatave dhe të organizatave të punëdhënësve.

Klasifikimi i aksidenteve

Nr Aksidente Të aksidentuar Total Me vdekje
3-mujori i I 2008 3-mujori i I 2009 3-mujori i I 2008 3-mujori i I 2009
1 Aksidente që lidhen direkt me punën 47 16 7 3
2 Aksidente në miniera 10 7 02 2
3 Aksidente në rrugë 4 4 1 2
TOTAL 61 27 10 7

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›