E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, si do të llogariten pikët për 16 mijë maturantët para 2009-s

Propozimi i fundit nga ASHR-ja: Në Rinas të ngrihet një karantinë. Vendet në prag pandemie, virusi A-H1N1 zgjeron kufijtë e prekjes

Emanuela Sako

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur një plan masash të udhëzuara nga OBSH-ja për parandalimin e gripit të derrave, por plan-masat kanë ngelur në letër. Në asnjë pikë doganore nuk është dërguar udhëzimi zyrtar i deklaruar nga MSH-ja dhe nuk janë ngritur ekipe sanitare. Ndërkohë që vendet e tjera të botës zbulojnë raste të reja të virusit A-H1N1. Kështu, përballë kësaj situate, rezulton se në doganat më të mëdha të vendit asnjë udhëtar që ka hyrë në Shqipëri nuk është verifikuar sipas këtij plani masash. Në disa nga doganat me fluksin më të madh në vend, rezulton se asnjë masë paraprake nuk u është dërguar në terren specialistëve përveçse deklaratave të bëra nga strukturat e shëndetësisë. Nga të dhënat zyrtare në vendin tonë nuk rezulton asnjë i prekur nga virusi i derrit, por rrezikshmëria është shumë e lartë.
Kufiri
Në pikat e kalimit kufitar të Kapshticës, Kakavijës, Portit të Vlorës, Portit të Durrësit, Doganës së Morinës dhe në Qafë-Thanë, asnjë nga udhëtarët nuk është verifikuar siç u urdhërua dy ditë më parë nga autoritet shëndetësore. Asnjë nga udhëtarët që ka mbërritur në vend nuk i është nënshtruar kontrollit sanitar të ekipeve mjekësore. Dy ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë ngriti strukturën e Komitetit të Ekspertëve të Pandemisë së Gripit për marrjen e masave kundër përhapjes së virusit të gripit të derrit në vendin tonë. Komiteti i Ekspertëve ka për detyrë të mbështesë Ministren e Shëndetësisë në zbatimin e Planit të Kontigjencës mbi pandeminë. OBSH-ja ka dhënë alarmin për rastet e përhapjes së virusit me ritme të shpejta në shumë vende të botës, përfshirë edhe Europën. Ministria e Shëndetësisë në bazë të ligjit për sëmundjet infektive, rekomandon që në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare, çdo inspektor sanitar apo punonjës shëndetësor në kufi duhet të jetë i pranishëm afër pikës së kontrollit gjatë çdo mbërritjeje të udhëtarëve dhe të vlerësojë gjendjen e udhëtarit të referuar nga policia e kufirit. Inspektorët duhet të udhëzojnë që personat që vijnë nga vendet e prekura në rast se kanë shenja repsiratore të mos dalin nga shtëpia por të kontaktojnë menjëherë mjekun përkatës. Ndërkohë që drejtoritë e shëndetit publik të marrin masa dhe të sigurojnë inspektimin sanitar në kufi. Specialistët e shëndetësisë në pikat kufitare duhet të sigurojnë mjetet e mbrojtjes personale si maska, doreza, dezinfektantë etj.
Karantina
Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës ka kërkuar vendosjen e ambienteve të karantinës në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas. Ky është aeroporti i vetëm kombëtar që ka një fluks të madh të lëvizjeve në shumë vende të botës. Për këtë arsye kontrolli duhet të jetë më i rreptë për shmangur përhapjen e infeksionit nëse do të evidentohen raste me virusin e gripit të derrit, A-H1N1. Ndërkohë që një shërbim anti-epidemik, me mjekë specialistë dhe me personel ndihmës, është vendosur në portën hyrëse ajrore në aeroport. Tashmë ka nisur monitorimi i udhëtarëve që vijnë nga vendet e huaja për në Shqipëri.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›