E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Mjekësisë, Shezai Rrokaj kundërshton propozimin e Berishës për një Universitet të ri



Jonida Tashi

Nisin reagimet e para kundërshtuese nga qarqet akademike ndaj vendimit të kryeministrit, Sali Berisha për hapjen e Universitetit të Mjekësisë. Reagimi i parë publik për hapjen e Universitetit të Mjekësisë ka ardhur nga dekani i Fakultetit Histori-Filologji në Tiranë, Shezai Rrokaj. Sipas ish-rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), që aktualisht është edhe një nga senatorët e UT-së, krijimi i Universitetit të Mjekësisë, nuk është i domosdoshëm, e mbi të gjitha cenon dhe ligjin e Arsimit të Lartë, pasi nuk është marrë mendimi i grupeve të interesit.
Por megjithë kundërshtimet e bëra hapur dhe nën zë nga drejtues të arsimit të lartë, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës është diskutuar mundësia e krijimit të Universitetit të Mjekësisë, që do të ngrihet pas shkrirjes së dy fakulteteve të UT-së, atij të Mjekësisë dhe të Infermierisë.
Reagimi
Gjithashtu, Shezai Rrokaj thotë se për krijimin e një universiteti të ri, duhet të plotësohen standarde. “Që një fakultet të shndërrohet në një universitet, duhet të respektojë standardet e një universiteti, që do të thotë se duhet të ketë jo më pak se dy fakultete, duhet të ketë jo më pak se dy departamente për çdo fakultet, duhet të ketë jo më pak se 50 për qind të stafit brenda një departamenti të kualifikuar e kështu me radhë”, - sqaron dekani i Filologjikut. Po sipas këtij të fundit, një shkëputje e fakulteteve nga UT-ja, do të sillte dhe një cenim të simbolit që ka Universiteti i Tiranës. “Unë si senator i këtij universiteti po ju them se po na hiqet një pjesë e rëndësishme e këtij universiteti, që i jep dinjitet UT-së dhe pa pyetur dhe pa marr një mendim të qarqeve akademike. Unë nuk di me çfarë do të përfaqësohet Shqipëria, si një universitet simbol pas kësaj që do të ndodh”, - përfundon Rrokaj.
Vendimi
Vendimi për hapjen e Universitetit të Mjekësisë është bërë në muajin e parë të vitit 2009 nga vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha. Ky i fundit, gjatë një vizite në Fakultetin e Mjekësisë premtoi se do të lejonte kthimin e tij në një universitet. Madje jo vetëm kaq, por në mbledhjen e radhës së qeverisë, që ishte fill pas vizitës së tij në fakultet, Berisha e stërholloi edhe më tej vendimin për ngritjen e një universiteti të ri në Tiranë. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave datë 27 janar 2009, Berisha argumentoi arsyet pse vendit tonë i nevojitej n jë Universitet Mjekësie. Sipas kreut të qeverisë hapja e Universitetit të Mjekësisë është një çështje që ka të bëjë me zhvillimin e sistemit shëndetësor, me modernizimin dhe përballjen me sukses të plotë të reformimit të thellë e të madh të këtij sistemi. Universiteti i Mjekësisë, sipas kryeministrit të vendit, do të harmonizojnë si udhëheqjen diagnostike, kurative, shkencore, me menaxhimin e institucioneve qendrore spitalore, sikundër do të diversifikojë ose do t’i përgjigjet larmisë së madhe të kërkesave e shërbimeve. Fill pas deklaratës së Berishës, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, duhet të nisnin punën për të shqyrtuar të gjitha modalitetet. Një udhëtim faktmbledhës për ngritjen e universitetit të ri, është organizuar, sipas kryeministrit, kohë më parë në Austri. Pavarësisht punës për hapjen e tij, si dhe mundësitë konkrete, e rëndësishme për Berishën është që ky universitet të nisë punën vitin e ardhshëm akademik.

Universiteti i Mjekësisë, Berisha privatizoi idenë e Vasilit

Zotimi i kryeministrit Berisha për ngritjen e një Universiteti Mjekësor në Shqipëri, përveçse është i vonuar, rezulton gjithashtu edhe një ide e kopjuar. Edhe pse Berisha u përpoq ta shiste këtë ide si një krijim të tijin, në të vërtetë kjo ka qenë një ide e sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Ky i fundit i kishte dërguar kryeministrit Berisha një letër, që në fillim të qeverisjes së tij, ku i kërkonte ngritjen e një Universiteti Mjekësor në Shqipëri. Gazeta “Albania” zbardhi para pak kohësh pasazhe të letrës që sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i ka dërguar kryeministrit Berisha në lidhje me këtë çështje. Në këtë letër, Vasili e ka konsideruar ngritjen e një universiteti mjekësor në Shqipëri me shumë efekte pozitive.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›