Rama: “Qeveria po pengon pushtetin vendor për projektet”
Kryebashkiaku Edi Rama ka akuzuar qeverinë se po pengon pushtetin vendor për zbatimin e projekteve. Deklarata e Ramës është bërë gjatë inspektimit të punimeve në bllokun 51 në Tiranë, pjesë e Njësisë Bashkiake numër 9 në kryeqytet. Gjatë inspektimit të punimeve, për rehabilitimin e gjithë këtij blloku, Rama ka hedhur akuza ndaj qeverisë aktuale e cila po pengon pushtetin vendor, të çojë përpara projektet, për zhvillimin e Tiranës. “Për shkak të një qeverie injorante, e cila nuk do, nuk di dhe nuk mund të bëj më shumë për të bërë atë detyrë që ky kryeqytet të funksionojë ashtu siç duhet dhe që qeveria vendore e këtij kryeqyteti të ketë të gjithë hapësirën e domosdoshme që i jep jo vetëm Kushtetuta. Por, në radhë të parë vullneti i popullit të kryeqytetit, dhe unë i siguroj të gjithë që ky transformim është vetëm një pjesë e një transformimi kolosal që do shihet në vitet në vijim pas 28 qershorit”, - deklaroi Rama. Në projektin e rehabilitimit të bllokut është parashikuar ndërhyrja në rrjetin e ujësjellësit e sistemin e kanalizimeve, si dhe ndriçimi rrugor. Ndërkohë parashikohet dhe krijimi i shesheve për parkim publik. Rehabilitimi i këtij blloku pritet të përfundojë brenda 7 muajsh. Ky projekt është pjesë e projekteve të parashikuara për rehabilitim nga Bashkia e Tiranës, ku një pjesë e tyre kanë përfunduar, ndërsa disa janë në proces rehabilitimi. Projekti parashikon që gjerësia e rrugëve të jetë 3.5 deri në 11.5 metra, me trotuare nga të dy anët, të shtruar me pllaka betoni, me gjerësi nga 1 metër deri në 5 metra. Krahas rikonstruksionit të plotë të infrastrukturës rrugore, është parashikuar edhe krijimi i hapësirave të gjelbra. Projekti trajton gjelbërimin e sipërfaqeve përpara pallateve, duke i kthyer në lulishte e sheshe pushimi si dhe gjelbërimin e rrugëve me pemë dekorative.
Mamografia falas, pezullohet vizitat për disa javë
Mamografia që ndodhet në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në kryeqytet është pezulluar prej disa javësh. Shkak për këtë është bërë rikonstruksioni i godinës, ndërsa mjekët kanë pezulluar vizitat. Të gjitha pacientet që drejtohen për të kryer vizitën e Mamografisë janë të detyruara të kthehen pa mbaruar punë.
Kjo është e vetmja klinikë, ku vizita e Mamografisë kryhet falas, në bazë të marrëveshjes së Ministrisë së Shëndetësisë me përfaqësues të projektit Interreg 3. Prej disa muajsh poliklinika i është nënshtruar rikonstruksionit dhe mjekët janë të detyruar të punojnë në kushte të vështira, duke kryer vizita nga 3 specialistë të ndryshëm në një dhomë. Ekzaminimet e gjirit janë kryer falas, falë programit “INTERREG III”, i financuar nga Komuniteti Europian, përmes rajonit të Pulias (Itali) për Shqipërinë. Mamografia ndodhet në 4 spitalet të vendit, si në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë. Sipas të dhënave në të gjithë vendin janë kryer rreth 13.500 vizita, nga të cilat 250 raste janë kapur në fazat fillestare të sëmundjes. Kapja në fazat fillestare mundëson kurimin e sëmundjes dhe më shumë mundësi jetese. Ndërkohë që një vizitë e Mamografisë në Spitalin Onkologjik në QSUT kushton 1800 lekë, ndërsa gratë kanë preferuar që të kryejnë vizita falas në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3, ku ndodhet aparatura e Mamografisë. Specialistët këshillojnë që Mamografia duhet të kryhet tek të gjitha gratë që janë në moshën 40 deri në 70 vjeç. Ndërsa për femrat mbi moshën 25 vjeç deri në 35-40 duhet të kryejnë EKO, por nuk përjashtohet edhe vizita me anë të Mamografisë në rastet kur evidentohen anomali në pjesë të gjoksit. Specialistët këshillojnë që vizita të bëhet të paktën një herë në vit për të mundësuar kapjen e sëmundjes në fazat e para, çka do të mundësonte shërimin e pacientes nga kanceri i gjirit.
30 Prill 2009