Integrimi, si standard apo si biznes
Më në fund, kryeministri dhe përfaqësuesi i maxhorancës qeverisëse të vendit, vendosi, turravrap, të trokasë në dyert e familjes së madhe të Komunitetit Europian për të hyrë brenda saj me çdo kusht. Ai shkoi si një mik i paftuar, pikërisht në momentin më të keq të kësaj familjeje, në të cilën e deshi rasti që në krye të saj të ishte një prej pjesëtarëve të hyrë rishtas gjatë viteve të fundit. Tubat kishin plasur dhe i zoti i përkohshëm i shtëpisë la punët e ngutshme brenda banesës dhe shkoi të shihte se kush është prapa derës....
Kjo mund të ishte historia e asaj që ndodhi dy ditë më parë në Pragë, sipas fabulës së vetë ministrit të Jashtëm të Çekisë, të treguar disa javë më parë, pas debateve për momentin e aplikimit të Shqipërisë. Tashmë, qeveria “Berisha” ka lënë në derën e BE-së hallemadhe një kërkesë, e cila në vetvete përmban dy cene jo të vogla; së pari, vetë kreu i qeverisë nuk bëri një akord formal për kohën e aplikimit me zyrtarët e lartë të Brukselit apo përfaqësuesit e tyre në Tiranë, dhe së dyti, shpërdoroi Rezolutën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë për integrimin në BE. Ajo thotë në mënyrë taksative se qeveria autorizohet të bëjë aplikimin “në momentin e përshtatshëm, në konsultim edhe me vendet anëtare të Bashkimit Europian”. Dy pikat e përcaktuara në Rezolutën e miratuar më 29 janar të këtij viti nuk janë respektuar plotësisht dhe në mënyrë të sinqertë nga kjo qeveri, por janë vënë në funksion të një skeme, e cilat kërkon të përdorë politikisht dhe elektoralisht në situatën parazgjedhore, si dhe të denigrojë opozitën. Berisha ka përgatitur alibinë për të denoncuar opozitën si “armike” të integrimit të vendit, fill pas kritikave të kësaj të fundit se nuk ishte momenti i duhur për ta ndërmarrë këtë hap.
Ende pa u bërë kërkesa në Pragë, diplomatë të shumtë të vendeve të rëndësishme europiane të akredituar në Tiranë, por edhe zyrtarë të lartë në Bruksel, kërkuan që hapi i kërkesës për aplikim të bëhej në një periudhë jo të largët, por jo në periudhën parazgjedhore. Edhe në reagimet e organizmave dhe të qeverive europiane pas dorëzimit të kërkesës dy ditë më parë, duket qartë se qeveria nuk respektoi aktin formal, politik dhe diplomatik të pëlqimit nga shtetet anëtare, të cilat tashmë kanë në dorë dhënien e dritës jeshile ose jo për kalimin në një stad tjetër të integrimit të Shqipërisë.
I pangopshëm deri në babëzi për instrumentalizimin e çdo gjëje në këtë periudhë fushate elektorale, Berisha nuk po e kursen as procesin e integrimit euroatlantik të vendit, e cila mbetet kauza më e lartë e të gjithë shqiptarëve dhe për të cilën maxhoraca dhe opozita kanë qenë në unision deri tani. Fill pas hyrjes në NATO, maxhoranca aktuale ka hequr flamujt e PD-së dhe ka ngritur flamujt e Aleancës në të gjitha sheshet dhe sallat elektorale.
Tani, për të përfituar sa më shpejt statusin e vendit kandidat të BE-së, Berisha po vë në lojë edhe instrumente, edhe koncesione të rëndësishme, të cilat paraprakisht do të duhej të merrnin një konsensus të përgjithshëm politik nga të gjitha palët. Ai i dha shpejt e shpejt koncesione Greqisë, si të drejtën për varrezat e ushtarëve grekë apo delimitimin territorial të ujërave detare, pa u treguar së paku transparence me opinionin publik se çfarë përmbajnë këto marrëveshje, vetëm e vetëm që të përfitojë mbështetjen në procesin integrues.
Berisha i kërkoi mbështetje presidentit Sarkozi për integrimin në BE, pikërisht në momentin që Parisi zyrtar ofron së paku një pazar për shitje helikopterësh.
Qeveria kërkoi dhe mori mbështetjen e Presidencës çeke të BE-së, pikërisht në kohën kur “Cez Group”, një kompani e njohur në tregun europian të energjisë, me shumicën e aksioneve shtetërore, kërkoi për të blerë dhe privatizoi OSSH-në. Interesi i drejtpërdrejtë i Pragës zyrtare për realizimin e këtij procesi dhe blerja me çdo kusht e kompanisë shtetërore të shpërndarjes së energjisë, duke negociuar deri aty sa “CEZ” të marrë të pastër në bilance OSSH-në, mund të shpjegojë disi edhe zellin e Çekisë për të futur disi para kohe në axhendën e saj edhe kërkesën e aplikimit për statusin e BE-së.
Duke mos e përjashtuar në mënyrë kategorike përdorimin e praktikës së koncesioneve të llojeve të ndryshme për hir të interesave kaq madhore të vendit, mund të thuhet se veprimet e kohëve të fundit të kësaj qeverie duket se kanë dalë jashtë pazareve të ndershme që bëjnë shtetet dhe kombet për hir të interesave të tyre. Prirja për ta shpërfillur procesin e integrimit si standard dhe për ta bërë atë biznes, parimisht është e gabuar. Përgjigjja që mori kryeministri Berisha nga zyrtari i lartë i Komisionit Europian për Zgjerimin se “integrimi kërkon standardet e sundimit të ligjit dhe zgjedhje të ndershme e të lira” dhe se gjithçka nuk është në dorën e Brukselit, por të Tiranës, do të thotë se integrimi bëhet vetëm me duar të pastra.
30 Prill 2009