Aksidentet në rrugë, dy të vdekur dhe 4 të plagosur
Babë e bir kanë gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Fier-Seman në afërsi të vendit të quajtur Qënas. Xhevat Arapi 58 vjeç dhe djali i tij Ledion Arapi 23 vjeç, i cili ngiste automjetin kanë humbur jetën pasi një person me biçikletë iu ka prerë rrugën. Për shkak edhe të mungesës së ndriçimit dhe sinjalistikës rrugore, drejtuesi ka manovruar por makina tip benz me targa të Fierit ka dalë jashtë kontrollit dhe pas përplasjes me bordurat e rrugës, ka përfunduar në kanal. Babë e bir kanë gjetur vdekjen gjatë transportimit për në Spitalin rajonal të Qarkut të Fierit. Nga ky aksident ka mbetur i plagosur edhe drejtuesi i biçikletës, i cili ka marë plagë në trup por jashtë rrezikut për jetën . Specialistët rrugorë, të cilët kanë mbëritur në vendin e ngjarjes, kanë nisur hetimin. Sipas tyre pista e parë e këtij aksidenti mund të jetë shpejtësia tej normave të lejuara. Pa kaluar disa orë nga ky aksident në spitalin e Fierit kanë mbërritur në gjendje të rëndë pjesëtarët e familjes Qemal Bushi, e cila vinte nga Greqia. Mjeti i tyre ka dalë nga rruga te vendi i quajtur, Kthesa e Patosit, dhe është përmbysur duke i zënë poshtë. Si pasojë, kanë mbetur të plagosur rëndë tre persona, por sipas mjekëve ato janë jashtë rrezikut për jetën.