E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet në rrugë, femrat shofere më të pakujdesshmet

Spitali Ushtarak, rreth 60 urgjenca në ditë nga aksidentet

Emanuela Sako
Femrat janë shkaktaret kryesore për një numër të madh aksidentesh rrugore të shkaktuara nga pakujdesia. Pakujdesia e femrave në dhënien e makinës është bërë shkak për një numër të madh aksidentesh në rrugë, me pasojë vdekjen. Ato cilësohen të pakujdesshme dhe të shpërqëndruara kur janë në timon, duke i dhënë makinës. Drejtori i Qendrës së Traumës në Spitalin Ushtarak, Fatos Olldashi, theksoi për gazetën “Albania” se në këtë qendër paraqiten çdo ditë rreth 60 pacientë të aksidentuar rëndë. Rreth 50 prej tyre janë të shkaktuara nga aksidentet rrugore dhe pjesa tjetër nga aksidentet në punë, apo aksidente të ndryshme. Shumica e këtyre aksidenteve kanë protagoniste shoferet femra, të cilat nuk janë shumë korrekte ndaj rregullave të qarkullimit. Por, ato janë më të rregullta ndaj respektit human, ku ndalojnë në të gjitha rastet kur aksidentojnë një qytetar. Madje, e shoqërojnë të aksidentuarin deri në spital për të marrë mjekimin e menjëhershëm nga bluzat e bardha.
Shkaqet
Në Qendrën e Traumës, pranë Spitalit Ushtarak drejtohen çdo ditë rreth 50 pacientë të aksidentuar nga automjetet. Një pjesë e tyre janë me pasojë vdekjen. Aksidentet rrugore shkaktohen nga shpjetësia nën normat e lejuara, nga moszbatimi i rregullave të qarkullimit, nga mungesa e sinjalistikës në disa rrugë, si dhe nga infrastruktura e rënduar në disa pjesë të rrugëve. Ndërsa një pjesë e madhe e tyre, shkaktohen nga konsumimi i tepërt i alkoolit. Pjesa më e madhe e aksidenteve që kryhen në orët e vona të natës, që vijnë nga konsumimi i alkoolit dhe shpejtësia nën normat e lejuara. Shtimi i numrit të aksidenteve rrugore shkaktohen gjatë sezonit të verës, ku shtohet fluksi i ardhjes së emigrantëve, si pasojë shtohet qarkullimi në rrugë dhe ecja e tyre më shpejtësi.
Aksidentet
Fluksi i emigrantëve që vjen gjatë sezonit të verës, bëhet shkak për shtimin e numrit të aksidenteve në rrugë. Emigrantët zënë vendin e parë të personave që rrisin numrin e aksidenteve në rrugore. Kjo vjen për shkak të pakujdesisë së tyre dhe moszbatimit të rregullave të qarkullimit. Sipas një raporti, emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Itali janë shkaktarët kryesorë krahasuar me emigrantët që jetojnë në Greqi. Kjo vjen për faktin se emigrantët e ardhur nga Italia ecin më tepër me shpjetësi se ata të ardhur nga shteti grek. Në muajt korrik dhe gusht pritet të ketë shtim të aksidenteve rrugore, pasi në këta muaj shtohet numri i emigrantëve që vijnë pranë familjeve të tyre.

Shkaktarët
Shpejtësi e lartë
Pakujdesia
Konsumimi i aloolit
Infrastruktura e dëmtuar
Mungesa e sinjalistikës
Mungesa e njohurive për automjetin

Numri i aksidenteve
60 aksidente në ditë
50 aksidente rrugore
10 aksidente në punë(apo raste të tjera)

Pezullohen operacionet, bakteri Stafilokokut infekton Kardiokirurgjinë
Operacionet në pavijonin e Kardiokirurgjisë janë pezulluar për shkak të infektimit të pacientëve nga bakteri i Stafilokokut. Shkak për përhapjen e bakterit është bërë mosdezenfektimi i ambienteve në sallën e operacionit. Mjekët pranojnë infektimin e pacientëve nga bakteri i rrezikshëm për jetën. Por, ata pohojnë të kundërtën se këto janë raste të zakonshme që shfaqen në këtë klinikat e operacioneve. Ndërkohë që, pohojnë se pas çdo operacioni është kryer rregullisht dezinfektimi i sallës së operacionit. Simptomat e para të prekjes nga Bakteri i Stafilokokut është temperatura e lartë që shfaqet 2 apo 3 ditë pas kryerjes së operacionit. Mjeku Kardiolog, Arben Baboçi, sqaroi se pas çdo operacioni të ndërhyrjes në zemër bëhet sterilizimi i të gjithë ambientit, pajisjeve apo sallës së operacionit. Sipas tij, këto janë raste të rralla, që mesa duket bakteri Stafilokokut ka qenë i lartë në këtë ambient. Numri i pacientëve të prekur nuk bëhet i ditur ende, por dihet që një pjesë e tyre janë prekur tashmë. Familjarët e një pacienteje, që ka kryer operacionin pak ditë më parë, shpjegojnë se mjekët kanë verifikuar që gruaja është prekur nga ky bakter. Simptomat i janë shfaqur 3 ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale në zemër, ku ka filluar t’i rritet temperatura. Sipas familjarëve, gjendja shëndetësore është ende e vështirë. Tre ditët e para, pas operacionit në zemër, pacientja ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Por më pas filluan t’i shfaqeshin simptomat e para me temperaturë të lartë që nuk i binte gjatë gjithë kohës. Tashmë po kryhen analizat përfundimtare të insepktimit që po i bëhet gjithë sallave të operacionit në këtë pavijon dhe pritet që brenda pak orëve të dalin rezultatet përfundimtare se nga se është shkaktuar dhe kur do pritet të fillojë kryerja e operacioneve. Ndërkohë që, pacientët që mendohet se janë prekur nga bakteri i rrezikshëm, po trajtohen në spital për të kuruar sëmundjen.

Rikonstruksioni i Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë, drejt përfundimit
Rikonstruksioni i Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë, pritet të përfundojë brenda këtij muaji. Drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë, Resul Domi shprehet se rikonstruksioni i plotë i këtij institucioni po kryhet në përputhje me standardet bashkëkohore. Ky investim është një projekt i Bankës Botërore që ka kushtuar rreth 200 milion lekë. Nga kjo shifër rreth 130 milion lekë janë shpenzuar vetëm për rikonstruksionin e ambienteve të institucionit, ndërsa rreth 70 milion lekë të tjera do të përdoren për blerje të pajisjeve. Për akomodimin e rreth 30 të moshuarve, që u ofrohet aktualisht shërbim social në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, Domi tha se ata janë strehuar përkohësisht në shtëpitë e tjera të të moshuarve si në Shkodër dhe Durrës. Banorët në këtë shtëpi përfitojë me iniciativën e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) shërbimin e mjekut të familjes, tre herë në javë nga dy orë në ditë për nevojat e të moshuarve në azil. Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë, me një përvojë që daton që në vitin 1976, ka një kapacitet maskimal për akomodimin e 38 personave. Aktualisht, në këtë institucion shërbimi social për 30 të moshuar ofrohet nga 14 punonjës. Institucioni ofron shërbim rezidencial, shërbim mbështetës për shëndetin, mbështetje psiko-emocionale dhe arritja e objektivit për integrimin e tyre në jetën shoqërore realizohet nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme social-kulturore. Në vendin tonë ka pesë shtëpi për të moshuarit, një qendër ditore në Kamëz dhe qendra polivalente në Sarandë. J.T

Shpallen fituesit e Festivalit të 13-të Mbarëkombëtar “Pianisti i Ri”
Shpallen 13 nxënësit fitues të Festivalit të 13-të Mbarëkombëtar “Pianisti i Ri”. Për ti motivuar më tej në punën e tyre, këta talentë në piano do të trajtohen njësoj si fituesit e Olimpiadave Kombëtare të Shkencave Egzakte dhe Letërsisë. Këtë premtim i ka bërë dje kreu i Arsimit Genc Pollo, fituesve të këtij festivali. Pas përfundimit të Festivalit të 13-të Mbarëkombëtar “Pianisti i Ri” në Vlorë, Pollo takoi në MASH fituesit dhe mësuesit përfaqësues të Shoqatës së Mësuesve dhe Pedagogëve Pianistë të Shqipërisë, e njohur me emrin EPTA-Albania. Sipas ministrit të Arsimit, është e rëndësishme, që edhe në shkollat jo artistike, si në shkollat bazë ashtu edhe në të mesmet, të gjithë nxënësit të marrin njohuri bazike mbi muzikën apo artin në përgjithësi. Gjithashtu, në këtë takim ministri Pollo premtoi edhe një zë më vete në buxhetin e investimeve të arsimit për blerjen e instrumenteve në shkollat e artit, si dhe mbështetje nga MASH-i për organizimin e konkurseve ndërkombëtare për të promovuar nxënësit tanë edhe jashtë shtetit. Shoqata e mësuesve shqiptarë të pianos është pjesë e EPTA-s (Europian Piano Teachers Association) me qendër në Londër dhe prej 14 vjetësh ushtron një aktivitet didaktik e artistik në mbështetje të talenteve dhe mësuesve në shkollat tona të muzikës. Aktiviteti i EPTA është i konkretizuar me festivalet, konkurset, masterclass-et e koncertet e organizuara prej vitesh, ku marrin pjesë edhe specialistë të shkollave evropiane, duke i shërbyer formimit profesional dhe informacionit bashkëkohor për shkollat artistike. J.T

Fituesit e Festivalit të 13-të Mbarëkombëtar “Pianisti i Ri”
Nxënësi Shkolla Çmimet
Emiliano Kola J.Misja Tiranë “Absolut” “Lora Gjoka” Kat.E
Lajda Hitaj N.Frashëri Vlorë “Absolut” Kat.A
Anarita Hitaj N.Frashëri Vlorë “Absolut” Kat.C
Antha Mitrushi S.Maci Tiranë “Absolut” “Sonata Klasike” Kat.B
Erdion Hoxha S.Maci Tiranë “Absolut” “Sonata Klasike” Kat.C
Xheni Mane J.Misja Tiranë “Muzike Konteporane Kat. D
Brisilda Bufi J.Misja Tiranë “Muzike Konteporane Kat.E
Suada Haka J.Misja Tiranë ”Sonata Klasike” Kat.C
Erigers Daci J.Misja Tiranë ”Bethoven” Kat.D
Agli Sukulli J.Xoxa Fier “Muzike Konteporane Kat.A
Eranda Bergasi J.Xoxa Fier “Muzike Konteporane Kat.C
Gloris Silellari T.Tashko Korçë ”Sonata Klasike” Kat.B
Për mësueset u dha çmimi ”Për rezultate të larta pedagogjike” për: Eva Kalenja, Tiranë dhe Enkeleda Hitaj, Vlorë

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›