Dosjet që errësojnë politikën
Nga Jak Ndoka*
Shqipëria është e detyruar të hapë dosjet e periudhës komuniste. Për shkak të modelit diktatorial në vendin tonë, ashpërsisë dhe izolimit të plotë, ne duhej të ishim vendi i parë në ish- bllokun komunist që duhet ta kishim bërë këtë. Por ne ende nuk e kemi bërë hapin e madh moral e ligjor të hapjes së arkivave sekrete, përfshirë edhe dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Fatkeqësisht ne jemi vendi i fundit dhe për pasojë, shoqëria shqiptare po vazhdon të përballet me pasojat e këtij veprimi, me krizën morale, krizën e besimit dhe të identitetit për të ardhmen. Partia Demokristiane ka depozituar në parlament dy vjet më parë një draft për hapjen e dosjeve të komunizmit. Kur interesat politike të ditës kanë nevojë për ndonjë ligj, ai përfshihet në seancë jashtë rendit të ditës, madje disa herë kemi qëndruar këtu deri në mesnatë për të votuar ligje apo për të marrë vendime politike. Në rastin e dosjeve, mungon ky vullnet politik. Ne jo vetëm nuk e kemi ende në rend dite, nuk na vjen në seancë, por mbas 2 vjetësh diskutohet në parim në komisionin e ligjeve. Dosjet përdoren vetëm për spekulime e shantazhe të dyanshme. Shqipëria është e detyruar të hapë dosjet e komunizmit sepse ky është një vendim në formë urdhërese e Këshillit të Europës.
Dëshiroj që hapja e dosjeve të mos vinte si detyrim nga jashtë, por si nevojë nga brenda. Më shumë se Europa, ne kemi nevojë të përballemi me të kaluarën, të njohim nga afër dosjet të sigurimit, të pastrojmë politikën, vendimmarrjen dhe të krijojmë urat afatgjata të besimit midis qytetarëve dhe shtetit, qytetarëve dhe politikës. Qindra e mijëra ish- të përndjekur politikë që ende mbahen me shpresën se moralisht do t’u kthehen vitet e dekadat e marra padrejtësisht, janë votuesit tanë dhe ne kemi detyrimin të shihemi në sy me ta, jo me pseudonimet që kanë mbushur faqet e gazetave, por me dosjen e hapur, pa sekrete, pa kode të fshehta, pa kartela shantazhi që qarkullojnë prej vitesh në zyrat e shtetit.
Vlerësoj kolegët që publikisht kanë shprehur vullnet politik për hapjen e dosjeve.
Është në nderin e mazhorancës ta mbajë premtimin e dhënë dhe të kalojë pa vonesë ligjin e hartuar nga PDK apo një ligj konsensual midis PDK e PD-së. Gjithashtu është në nderin tonë të mos përdorim mandatet parlamentare për të votuar ose jo diçka që është e pavotueshme. Është detyrim moral, kusht jetik për ndarjen nga e kaluara dhe forcimin e pajtimit dhe ndërgjegjes kombëtare. Për këtë arsye në emër të deputetëve demokristianë publikisht deklarojmë se si propozues të ligjit për hapjen e dosjeve jemi të gatshëm që organet e specializuara të shtetit të bëjnë publike gjithçka që disponojnë për jetën tonë.
Asnjë prej nesh nuk ka dosje, ndaj edhe ne nuk kemi asnjë hezitim të kërkojmë, që, ashtu si ne, edhe deputetët e tjerë në parlament të shprehen publikisht dhe zyrtarisht dakord të bëjnë të njëjtën gjë. Rruga e jonë nuk ka asgjë të përbashkëta si me ata që në emër të privilegjeve dhe karrierës personale kanë burgosur të pafajshëm, ashtu edhe me ata që nga zyrat e shtetit, Komiteti Qendror dhe strukturat e tjera të larta të PPSH-së, urdhëronin arrestime, internime dhe dënime të mijëra qytetarëve të pafajshëm antikomunistë. Vetëm duke hapur arkivat sekrete dhe dosjet e diktaturës ne bëhemi të besueshëm dhe nuk lejojmë që parlamenti të mbahet peng i interesave të ngushta, apo i votave të ndonjë deputeteje apo deputeti, të cilët për të mos lejuar hapjen e dosjes së tyre janë të gatshëm të bllokojnë hapjen e dosjeve për të gjithë shqiptarët.
*deputet
9 Korrik 2008