E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse nuk bien kambanat?



Nora Malaj*

Vera e nxehtë ka ardhur dhe bashkë me të edhe stina e mërzitshme e bisedimeve boshe në parlament. Fillimisht Gërdeci dhe fenomeni Gërdec (për fat të keq kjo fjalë ka dhe një kakofoni të mbrapshtë. Në zonën e Shqipërisë së Mesme kur thonë të “hëngërt gërdeci, do të thotë mallkimi më i madh, që ndryshe shqipërohet, “të hëngërt mortja”, si duket jo gjithmonë legjendat ngelen në kufijtë e legjendës, dhe më duket se edhe ky fenomen ka qasa të shkoj në Kalenat Greke, si të gjitha fenomenet çudibërëse dhe frikëndjellëse në Shqipëri, që sakush nuk do t’i çojë deri në fund, pasi ndodhin, ngrenë supet, bëjnë të paditurin dhe thjeshtë zhurmojnë dhe tymnojnë. Pas saj vjen projektligji për hapjen e “dosjeve të spiunëve”, të “sigurimsave”, të atyre njerëzve që kanë bërë dypunësim dhe që kanë marrë më qafë qindra njerëz, aq sa të duken sikur të gjithë shqiptarët ishin shndërruar si personazhe të tipit Ebu Qerimit, të novelës “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” , të Kadaresë dhe të gjithë kishin frikë nga të gjithë, kishin frikë edhe nga mendimet e tyre. Modeli Big Brother, pasi i tillë ishte sistemi totalitarist në Shqipëri, që e ktheu edhe shqiptarin dikur të besës, në të paburrë dhe të pabesë, duke prishur kështu institucioni e besimit. Sot ndjen përpëlitjen dhe frikën që ka kapluar ata , që dikur zotoheshin për idealin e partisë dhe sot për idealin e partive dhe këta nuk janë pak, po vetëm me një ndryshim se janë po ata, të përhershmit, dikur më të rinj, tani më të vjetër, me më shumë eksperiencë, pse jo me pushtet dhe para, por edhe të aftë për të shitur gjithçka, pasi morali i tyre është “Gënje, gënje se diçka do të mbetet”. Shumë zhurmë dhe asgjë. Thonë e çfarë nuk thonë, po harrojnë që nuk ka nevojë të thonë se ende brezat nuk kanë vdekur dhe bëmat e tyre janë prezent, pasi njerëzit janë fizikisht të gjallë, dhe ende nuk janë hije që shpirtrat e tyre t’i marrin peng në rrugën e mëkatit, për t’i çuar drejt ferrit. Shumë nxehtë, për këtë vendin e vogël që quhet Shqipëri dhe që të duket sikur jeton në kaosin e organizuar ,për të shtyrë kohën dhe për të shtyrë ditët. Fajin???
“Në qoftë se vjen një ditë dhe e keqja ndodh, pra në qoftë se vjen një ditë dhe Shqipëria vdes, atëherë në gurin e varrit të saj, duhet të vëmë këtë mbishkrim: “U lind nga idealistët, u mbajt nga rastësitë, u vra nga politikanët”. Kështu diagnostikuar burri i mençur Konica, në kohën kur donte të zgjonte ndërgjegjen e shqiptarit. Mos, o zot, të ndodhë kjo profetësi… gjithsesi, edhe trojanët po të kishin besuar Kasandrën me profetësinë e saj, nuk do ta kishin shkatërruar Trojën. Ja që të vërtetën e dua, po nuk dua të ma thuash, e thonë të paktën një pjesë e deputetëve tanë të nderuar.
Para dy ditësh ndodhën katër vrasje makabre, një grua vetëvritet dhe lë katër fëmijë jetim, se nuk kish me se t’i ushqente , një burrë 43 - vjeçar vret të shoqen në gjumë dhe lë jetim tre fëmijë, një i mitur 11 - vjeçar, gjendet i vetëvrarë dhe një i moshuar i vetmuar gjendet i vdekur në banesën e tij nga fqinjët pas 7 ditëve, kur trupi kish filluar të dekompozohej dhe kudo ndjehej kudërbimi i kufomës. Makabriet. Do të thotë dikush se ç’është gjithë ky pasion yti dhe nderim për të vërtetën? “Nuk është e vërteta e shenjtë, po kërkimi për të vërtetën është i shenjtë”, - do të thoshte Niçja, dhe kjo gjë do të më pëlqente nëse do ta pranonim të gjithë. Tabloja është mjerane dhe realisht Shqipëria duket si ai i sëmuri që po lëngon pafund në shtratin e së keqes. Doktorët, pse jo edhe “Doktori”, kam frikës se ende nuk e kanë diagnostikuar saktë sëmundjen e rëndë që po kalojmë. Dhe ajo që është më e rënda mbi të rëndat është se dalëngadalë po na ndodh procesi i shpërbërjes së identiteti njerëzor,metamorfoza ose thënë ndryshe, njeriu po ha njeriun dhe kjo vjen nga kriza e modeleve, nga pasiguria e jetës, nga mungesa e perspektivës, nga pamundësia për të pranuar idenë “të ndryshëm por të barabartë”, nga pamundësia për të dalë mbi bizantinizat dhe egoizmat e vogla dhe ajo që është më e keqja nga shndërrimi i luftës së klasave , në variantin modern të luftës së klaneve, duke na kujtuar se në Shqipëri ende drejtohet me kode fisesh dhe jo me hierarki vlerash. Është e natyrshme, se këtu mungojnë institucionet e vlerave dhe se të gjithë janë me parimin Rroftë Mbreti dhe Poshtë Mbreti, ndërkohë që askush nuk është besnik i mbretit, dhe nuk e do mbretin, pasi askush nuk di se për kauzë po punon (kjo është dhe klasa mjerane e spiunëve, që duket sikur janë me shumicë). Ku do shkojmë….. nuk e dimë se ku?
Ngjarja
Në një pavijon të një spitali tumoresh, të gjithë pacientë e shtruar në dhomën katër prisnin ditën se kur do të vdisnin. Ishin të pashpresë. I sëmuri më i privilegjuar ishte ai që rrinte pranë dritares, si e vetmja mënyrë për t’u lidhur me botën e jashtme. Brenda dhomës mbizotëronte një gjendje e nderë. Të sëmurët ishin të ndërgjegjshëm për fundin që i priste. I sëmuri që rrinte pranë dritares, kishte një natyrë tejet gazmore. Çdo ditë iu tregonte të sëmurëve të tjerë për personazhet e rrugës, që u kishte vënë edhe emra. Dhe ditë - netët e tyre shtyheshin nga këto ngjarje të treguara prej tij. Kjo situate nuk zgjati shumë, pasi i sëmuri që gjendej te krevati i mesit, filloi të mendonte sesi t’ia shpejtonte vdekjen të sëmurit te dritarja në mënyrë që të zinte ai vendin e tij dhe realitetin ta përjetonte vetë. Dhe një natë kur të sëmurin e dritares e kapën krizat e forta, ai i hoqi aspiratorin dhe vdekja e tij u përshpejtua. Të nesërmen, pasi të vdekurin e hoqën nga dhoma, sipas ritualit, krevatin te dritarja e zuri ai i mesit. Nga padurimi, i sëmuri mezi po priste që të shihe pamjet e rrugicës, pemëve, kopshtit, fëmijëve dhe çifteve që i kish rrëfyer sa e sa ditë-net sëmuri që vdiq. Në një çast, ai shtangu në vend dhe papritur vdiq. Përpara syve të tij nuk kish gjë tjetër, veçse një mur të madh dhe të zi. E gjitha ajo që kish dëgjuar ishte fantazi dhe emocion që pacienti tjetër i kish krijuar për t’i dhënë edhe atyre çaste të fundit të jetës kuptim. Fundi, ish tragjikë, pasi bashkë me vdekjen ai mori edhe zhgënjimin e tij.
Konkluzioni
Përfundimi, vendi im gjendet në koma. Ka nevojë për një ndërhyrje të thellë kirurgjikale. Ka nevojë për ndryshim të të gjithë sistemit qendrorë, se ndryshe do të rrezikojë jo vetëm të vdesë, po duke lërë pas një epidemi, që askush nuk do ta riparojë më , epideminë e dështakëve, që do të shfrytëzojnë këtë vend, deri në shpërbërjen e tij. Dhe për këtë të gjithë do të jemi fajtorë. Askush nuk do të thotë se unë bëra detyrën time, po kaq kisha fuqi. Është e pafalshme të gënjejmë çdo ditë veten. Nuk duhet të pranojmë që në emër të jetës, të mos shohim kaosin që po na mbyt. Duhet ta pranojmë se vlerat e zbrazura dhe besimet e paqëndrueshme, nuk janë të mira për shoqërinë tonë. Ajo që me zor qëndron në këmbë njeriu duhet të gjejë forca dhe ta rrëzojë. Ka ardhur momenti të bëjmë apelin e madh për të parë të vërtetën në sy, për mos i ikur përgjegjësive dhe për të mos u fshehur si struci, po për të gjykuar, me zemër të ngrohtë, mendje të ftohtë dhe ndërgjegje të pastër.
Kjo është për klasën politike dhe për komunitetin ku ne jetojmë, për të gjithë ne që e quajmë veten pjesë e këtij vendi. Duhet t’i biem kambanave të alarmit, se po na shembet gërmadha që kemi ndërtuar, e do të na zërë brenda. Le të bëjmë secili detyrën , se jam e sigurt që më pas nuk do na akuzojnë se pse nuk i ramë kambanave.
Le të mendojmë secili pak sinqerisht dhe realisht, për para se të flasim për jetët tona. Vetëm jeta nuk ka pjesë këmbimi, ndaj duhet vlerësuar dhe duhet jetuar.

* Analiste për problemet sociale, Instituti i sociologjisë

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›