E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëndët me zgjedhje, rregullat që duhen pasur kujdes gjatë provimit

Sot, afati i fundit për dorëzimin e formularit A2

Jonida Tashi

Lëndët me zgjedhje do të jenë vendimtare për të përcaktuar fituesit e garës së madhe për në universitet. Pikërisht dy provimeve me zgjedhje, maturantët duhet ti kushtojnë shumë rëndësi, në të kundërt atyre do tu duhet të përballen me skualifikimin, i cili nis që me plotësimin e pasaktë të formualrit A2. Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje, konsiderohet i plotë, në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2, pranohet vetëm i shoqëruar me mandat-arkëtimin. Në qoftë se, për arsye të ndryshme, kandidati nuk merr pjesë në provimin me zgjedhje për të cilin ka bërë pagesën, kjo e fundit nuk kthehet. Vetëm një ditë kohë i’u ka mbetur maturantëve për të nisur garën e provimeve me zgjedhje të Maturës. Ndërkohë që secili prej tyre duhet të tregohet shumë i kujdesshëm gjatë zhvillimit të provimit, në të kundërt penalizimet nuk janë të pakta. Kështu, nëse një maturant do të thyejë rregullat e provimit përpara tij do të gjenden tre penalizime: përjashtim nga provimi, mosnjohje e rezultateve, heqja e të drejtës për të dhënë provimet e Maturës edhe vitin e ardhshëm. Për të mos u ndëshkuar si pasojë e thyerjes së rregullave, maturantët duhet të jenë të mirëinformuar paraprakisht për këto rregulla penalizuese.
Rregullat
Rregullorja e Maturës Shtetërore përcakton se kur një maturant mund të përjashtohet nga provimi dhe penalizimet në rast se thyhen rregullat e përcaktuara. Janë 10 rregulla që përcaktojnë qartë rastet kur një maturant mund të përjashtohet nga provimi dhe të mos i njihen rezultatet. Maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Në këtë kohë kryhet identifikimi i nxënësit, hyrja në mjediset e provimit (klasa), ulja e tyre në vende si dhe leximi i rregullave për kandidatët. Procesi i identifikimit të çdo maturanti gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës dhe administratorët e provimit. Pas fillimit të zhvillimit të provimit, nuk lejohet që drejtori i shkollës të hyjë në mjediset ku zhvillohet provimi. Hyrja dhe ndarja e çdo maturanti nëpër klasa, bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës të listës emërore te dërguar nga AVA. Ndërkohë që çdo maturant në ditën e provimit, duhet të ketë me vete për identifikim certifikatën personale me fotografi ose letërnjoftimin. Sipas Rregullores, lejohet hyrja në provim vetëm e nxënësit të shpallur në listë. Ndërsa sistemimi i çdo kandidati, në mjediset/sallat e provimit bëhet një nga një, sipas rendit të hyrjes se tyre. Madje, ndalohet ndërrimi i vendeve. Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve bëhet sipas rendit alfabetik.
Koha
Ndryshe nga dy provimet e detyruara, kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet e provimeve me zgjedhje do të jete 4 orë, e konceptuar kjo si kohë e mjaftueshme për të plotësuar të gjitha pyetjet e testit. Ashtu siç është vepruar dhe për provimet e detyrueshme, edhe për provimet me zgjedhje, korrigjimi i tyre do të bëhet në tre qendrat e ngritura në rrethe si dhe në atë të kryeqytetit. Vetëm se në procesin e korrigjimit të testeve të lëndëve me zgjedhje, masat e sigurisë do të jenë edhe më të larta për të shmangur çdo lloj problemi që mund të krijohet. Specialistëve të izoluar në Agjencinë e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA) në Tiranë, për përzgjedhjen e pyetjeve finale për çdo provim të lëndëve me zgjedhje të Maturës Shtetërore, i’u ka mbetur vetëm dita e sotme për të përfunduar hartimin e tezave. Dy provimet me zgjedhje do të zhvillohen të enjten, më 10 korrik, do të përmbajnë rreth 20 pyetje të përzgjedhura nga fondi i përgjithshëm i pyetjeve për provimet e Maturës Shtetërore. Këto dy provime do të jenë dhe vendimtaret në lidhje me pranimet në universitete për vitin akademik 2008-2009.
Testet
Për provimet me zgjedhje do të jenë përkatësisht nëntë lloje testesh të ndryshme sipas lëndëve të përcaktuara në formularin A1. Lëndët, nga të cilat maturantët kanë zgjedhur dy të tilla për provim janë: Fizikë, Kimi, Biologji, Anglisht, Frëngjisht, Histori, Gjeografi, Njohuri për Shoqërinë dhe Njohuri për Ekonominë dhe Filozofi. Tezat e provimeve për të dyja lëndët do të përmbajnë rreth 20 pyetje, të cilat do të jenë të kombinuara në masë të barabartë ndërmjet pyetjeve që do të kenë përgjigje me alternativa dhe atyre që do të jenë me zhvillim. Ndërsa vlerësimi për pyetjet do të jetë i ndryshëm, në bazë të saktësisë, që do të jetë dhe përgjigja e dhënë nga maturanti. Kështu, në rregulloren e Maturës është përcaktuar që pyetjet me përgjigje alternative do të vlerësohen me 10 pikë, ndërsa pyetjet me zhvillim në total do të vlerësohen me 30 pikë. Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Ndërsa dalja e rezultateve për provimet me zgjedhje do të bëhet nga fundi i muajit korrik. Publikimi i emrave fitues do të bëhet në fillim të muajit shtator sipas kuotave të përcaktuara nga universitetet dhe të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Maturantët
Përjashtimi ose mosnjohja e rezultateve
Ditën e provimit maturanti përjashtohet, ose nuk i njihet rezultati i provimit në qoftë se:
Nuk është i pajisur me dokument identifikimi si certifikata personale me fotografi
Nuk qëndron në vendin që i caktohet
Përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër
Bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit
Merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës/kandidatë të tjerë
Bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit
Përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe vizore, laps, gomë-vetëm për provimin e matematikës)
Merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve
Largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit; Shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test.
Penalizimet
Në qoftë se një maturant thyen rregullat e provimit, atëherë administratori i provimit njofton përgjegjësin e administrimit të provimit dhe merr këto masa disiplinore:
Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi, në qoftë se thyen rregullat e provimit
Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi dhe i hiqet e drejta të japë provimet e Maturës për vitin në vazhdim, në qoftë se nuk zbaton rregullat e mësipërme
Në qoftë se përgjegjësi i administrimit të provimit merr një nga masat e parashtruara më sipër, ai urdhëron maturantin të largohet nga salla e provimit, pa shqetësuar të tjerët
Në rast se kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit dhe lejon vazhdimësinë e provimit
Të drejtat e maturantëve
Në rast se maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit Nxënësve maturantë të verbër, pasi u jepet broshura e testit, veçohen në një mjedis të përshtatshëm dhe ndihmohen, duke caktuar një person të besueshëm, për leximin e pyetjeve të testit dhe për plotësimin e përgjigjeve, që jep me gojë nxënësi, në fletën e testit. Në këto raste të mundësohet regjistrimi i përgjigjeve. Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi para dy orësh nga fillimi i tij, por të grumbullohen në një sallë, të përcaktuar që më parë.

Detyrat e Administratorit të Provimit (AP)
Gjatë ditës së provimit administratori i provimit kryen detyrat e mëposhtme:
Bën identifikimin e çdo nxënësipërpara hyrjes
së tij në provim, sipas listës së dërguar nga AVA, në qoftë
se i kërkohet nga PAP
I shpërndan dhe i grumbullon çdo nxënësi
materialet e provimit
Njeh çdo nxënës me rregullat e provimit dhe
masat që merren ndaj atyre që nuk i zbatojnë ato
Mbikëqyr gjatë gjithë kohës procesin e provimit
Respekton orarin e zhvillimit të provimit
Nuk lejon hyrjen e personave të paautorizuar në mjediset
e provimit që i janë caktuar për të mbikëqyrur
Njofton dhe raporton tek përgjegjësi i administrimit të
provimit për çdo rast parregullsie gjatë zhvillimit të
provimit
Dokumenton çdo parregullsi si dhe masat që merren dhe
ia dorëzon ato PAP
Lajmëron nxënësit 30 minuta përpara mbarimit të kohës
së zhvillimit të provimit
Rregulla për Administratorin e Provimit (AP)
Administratori i provimit që caktohet për mbikëqyrjen e
nxënësve nuk është mësues i asaj shkolle dhe i
lëndës që po merret në provim.
Gjatë provimit ai zbaton rregullat e mëposhtme:
Ndalohet të mbajë celular gjatë zhvillimit të provimit
Drejton çdo nxënës nëpër vende dhe nuk lejon ndërrimin e vendeve
Nuk lejon asgjë tjetër, përveç stilolapsit dhe certifikatës
personale në tavolinën e çdo nxënësi
Sigurohet që çdo nxënës e ka kuptuar se çfarë duhet të bëjë
Gjatë kohës së provimit, zë një pozicion që të mbikëqyrë
të gjithë mjedisin e provimit
Nuk largohet për asnjë moment nga mjedisi i provimit
Nuk lejon ngrënien, zhurmën, kopjen ose komunikimin
e nxënësve me njëri-tjetrin
Vendos çdo nxënës në mënyrë të atillë që çdonjëri të shikojë në të njëjtin drejtim
Nuk i përgjigjet asnjë pyetjeje të nxënësit mbi përmbajtjen e testit
Nuk lejon për asnjë arsye largimin e nxënësit nga mjedisi i provimit pa realizimin e procesit të sekretimit
Kontrollon gjatë marrjes në dorëzim të testit mos dëmtimin e Barkodit nga ana e nxënësit
Vendos në dosjen e caktuar materialet e provimit që dorëzohen nga nxënësit
Ndalohet të shfletojë ose të bëjë shënime në materialet
e provimit, si gjatë tij edhe pas tij
Nuk lejon asnjë nxënës të ketë kohë shtesë për zhvillimin e provimit
Nuk lejon asnjë individ tjetër të paautorizuar në
mjedisin e provimit

Të dhëna
80 pikë është maksimumi i pikëve që duhet të marrë një maturant për dy provimet me zgjedhje
40 pikë në total duhet të marrë maksimumi një maturant për çdo provim me zgjedhje
20 pyetje do të përmbajnë tezat e provimeve për të dyja lëndët me zgjedhje
10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative (10 pikë)
10 pyetje do të jenë me përgjigje me zhvillim (30 pikë)
4 orë kohë në dispozicion do të kenë maturantët për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet e provimeve me zgjedhje
2 provimet me zgjedhje zhvillohen në të njëjtën ditë
9 lloje testesh të ndryshme sipas lëndëve të përcaktuara në formualrin A1, do të jenë për provimet me zgjedhje
10 korrik është data e zhvillimit të dy provimeve me zgjedhje
15 ditë pas kësaj date pritet të bëhet shpallja e rezultateve

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›