Aksidentet, një i vdekur, 6 të plagosur
KRUJË- Rikthimi i emigrantëve ka sjellë sërish skena paniku në superstradën Fushë Krujë- Laç, teksa mëngjesin e djeshëm 6 persona janë plagosur në aksidente rrugore. Bëhet fjalë për dy aksidente të ndryshme ku në të dyja rastet, “protagonistë” kanë qenë emigrantët. Ndërkohë në Korçë, një 50-vjeçar ka gjetur vdekjen pasi makina e tij ka përfunduar në kanal.
Laç
Gjashtë të plagosur rëndë, janë pasojat e dy aksidenteve të ndodhura në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Krujë dhe në autostradën e Laçit. Në afërsi të fshatit Borizane në Krujë, kamioni me targa “TR 5801 I” është përplasur me një makinë tip “Volksëagen” me targa gjermane dhe për pasojë janë plagosur rëndë tre personat që udhëtonin në makinën e vogël. Mësohet se tre të plagosurit janë emigrantë që ktheheshin nga Gjermania. Aksidenti tjetër ka ndodhur në superstradë dhe përsëri të plagosurit janë emigrantë. Një makinë tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal me ujë. Për pasojë tre emigrantët që udhëtonin kanë rrezikuar jetën, duke u mbytur. Ata janë nxjerrë me vështirësi nga makina dhe aktualisht janë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet në gjendje të rëndë.
Korçë
Një 50-vjeçar nga rrethi i Korçës gjeti vdekjen paraditen e djeshme, pasi automjeti me të cilin ai udhëtonte përfundoi në një kanal, për shkaqe ende të panjohura. Aksidenti ndodhi rreth orës 14:50, në afërsi të fshatit Sheqeras të rrethit të Korçës. “Fatmir Pelinxhi, rreth 50 vjeç, nga fshati Podgorie, gjeti vdekjen e menjëhershme kur automjeti që drejtonte u përmbys në një kanal, në vendin e quajtur Kthesa e Rëmbecit”,- thanë burimet zyrtare të policisë lokale. Sipas tyre, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.