Aksidentet, një vdes, rëndë tre të rinj
GJIROKASTER/ BERAT - Aksident me pasojë vdekje ndodhi dje në aksin Gjirokastër-Kakavijë. Ndërsa në Berat rrezikuan jetën tre të rinj, të cilët përfunduan bashkë me mjetin në një kanal. Sipas policisë, ngjarja në Gjirokastër ndodhi rreth orës 14:00, kur mjeti NISSAN me targa greke YPE 5046, që drejtohej nga emigranti Gramoz Derishaj, 32 vjeç, përplasi për vdekje 21-vjeçarin Taulant Topalli nga Pogradeci. Viktima ishte çoban dhe jetonte në fshatin Bodrista në Komunën e Dropullit. Mësohet se makina ka qenë me shpejtësi tepër të madhe, kur ka përplasur viktimën që po qarkullonte me biçikletë. Pas aksidentit, viktima u dërgua në spital, por pas katër orësh ai ndërroi jetë. Blutë arrestuan drejtuesin që shkaktoi këtë ngjarje. Ndërkohë, dje rreth orës 03:00, tre të rinj përfunduan rëndë në spitalin e Beratit. Ata po ktheheshin pasi kishin kaluar fundjavën jashtë qytetit. Ngjarja ndodhi në aksin Berat-Lushnjë, në afërsi të fshatit Poshnjë. Për shkak të shpejtësisë së madhe, makina tip benz me targë BR 0457 B, që drejtohej nga 24-vjeçari, Ilir Halili, ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal. Për pasojë, drejtuesi bashkë me dy kushërinjtë pasagjerë, Bujar dhe Artur Xhaxhaj, 23 dhe 25 vjeç, kanë pësuar dëmtime të rënda. p.n/d.xh