U grabitën varëset vajzave,në pranga dy hajdutët
TIRANE - Prangosen grabitësit e bizhuterive të vajzave në rrugët e kryeqytetit. Policia e Tiranës pohoi dje se janë arrestuar dy të rinj 24 dhe 21 vjeç, të cilët pak ditë më parë u kishin rrëmbyer dy vajzave medaljone ari. Sipas burimeve zyrtare të policisë, i pari ka rënë në pranga 24-vjeçari Dritan Mulgeci, banues në Kamëz. Ky është kapur në flagrancë nga efektivët e Komisariatit numër një të policisë në bulevardin "Zhan D'Ark" rreth orës 20:00 të mbrëmjes, sapo i kishte rrëmbyer nga qafa medaljonin e artë një vajze. Pas njoftimit në vendin e ngjarjes kanë mbërritur me të shpejtë efektivët e policisë, të cilët pas prangosjes së të akuzuarit e kanë kontrolluar atë duke i gjetur varësen e rrëmbyer. Policia pohoi dje se, pasi ka kryer veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua medaljoni. Pas kësaj dosja e përgatitur në hetimet paraprake i ka kaluar prokurorisë për veprën penale të "vjedhjes", sipas nenit 134 të Kodit Penal. Po kështu policia e kryeqytetit pohoi se agjentët e antikrimit të Komisariatit numër tre kanë vënë në pranga 21-vjeçarin Pashtrik Bega, lindur në Kukës dhe banues në Has. Arrestimi i tij, sipas bluve të kryeqytetit, u bë pasi dyshohet se më datë 8 korrik 2009, në rrugën "Don Bosko", i ka marrë me dhunë një varëse floriri një shtetaseje, ndërkohë pas dërgimit në komisariat dhe verifikimeve të bëra nga agjentët e policisë ka rezultuar se i arrestuari kishte vuajtur një dënim tjetër në burg, nën të njëjtën akuzë. Edhe në këtë rast dosja e përgatitur pas kryerjes së veprimeve paraprake procedurale, materialet në ngarkim të tij i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës, për konsumim të veprës penale "vjedhje me dhunë". Për shkak të përsëritjes së veprës penale, 21-vjeçari rrezikon të marrë një dënim që në maksimum shkon deri në 7 vite burg. Ndërkohë dy të arrestuarit janë marrë në pyetje nga agjentët e antikrimit në Policinë e Tiranës, ku kanë dhënë shpjegime rreth ngjarjeve për të cilat akuzohen. Gjatë paradites së sotme ata pritet të përballen me togat e zeza, ku do t'iu komunikohet masa e sigurisë e kërkuar nga prokuroria. Vitet e fundit, sipas burimeve policisë janë shtuar denoncimet e vajzave për grabitjen e bizhuterive të shtrenjta, orëve apo celularëve e çantave nga djem të rinj, të cilët largohen me vrap pasi i rrëmbejnë këto sende. fa.ma.