Elbasan, rikonstruktohen rrugët, problem trafiku
ELBASAN - Rikonstruksioni i njëkohshëm i një numri të madh rrugësh në qytetin e Elbasanit krijon probleme në qarkullimin e mjeteve. Sipas policisë rrugore në policinë e qarkut, kjo po ndodh pasi janë në riparim e sipër disa rrugë dytësore, të cilat shërbejnë për normalizimin e trafikut të makinave. Nga ana e Bashkisë së Elbasanit, janë rreth 15 rrugë në rikonstruksion e sipër. Një nga rrugët që i jep frymëmarrje qarkullimit të automjeteve në qytet është ajo që kalon nga Zaranika, për të shkuar drejt vendit të njohur si "Kryqëzimi i Luleve" dhe atij të Cërrikut. Ky segment është duke u rikonstruktuar, madje bashkia ka ndërtuar këtu një kolektor, i cili nuk ekzistonte më parë çka nuk do të sjellë probleme gjatë kohës që do të ketë reshje të shumta. Ndërkohë segmenti tjetër që është duke u ndërtuar është ai në lagjen "Sali Hida". Të dy këto projekte që janë duke u zbatuar nga ana e bashkisë shkojnë në vlerën e mbi 13 milionë lekëve dhe brenda këtij viti pritet të përfundojnë dhe brenda standardeve. Drejtues të bashkisë bëjnë të ditur se po shfrytëzohet kjo periudhë për kryerjen e punimeve, për të shmangur kohën e reshjeve. Bashkia e Elbasanit po kryen investime të tjera, në vlera më të vogla, si në disa sheshe pushimi në lagjet "Beqir Dardha" dhe "Emin Matraxhiu". Këto investime pritet të përfundojnë në muajin tetor dhe arrijnë një vlerën e afro 10 milionë lekëve. a.k