Banka e Shqipërisë publikon raportin e dytë të stabilitetit financiar

Numri i dytë i Raportit të Stabilitetit Financiar, një publikim i Bankës së Shqipërisë, i cili do të vijojë të përgatitet çdo vit, ka për qëllim të identifikojë dhe vlerësojë rreziqet me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe masat që duhen marrë për korigjimet e nevojshme. Burime nga Banka e Shqipërisë, bënë të ditur sot se stabiliteti i sistemit financiar, përmbledh në kapituj të vecantë vlerësime mbi zhvillimet e përgjithshme dhe të pritshme në rritjen ekonomike, për bilancin tregtar, nivelin e përgjithshëm të çmimeve, kursin e këmbimit dhe treguesit fiskalë. Gjithashtu, nëpërmjet një analize të situatës së punëzënies, është vlerësuar situata e të ardhurave personale dhe efektet që ajo ka mbi aftësinë paguese të kredimarrësve të sektorit bankar. Në nummrin e dytë të këtij botimi prezantohen të dhënat dhe analizat që përfshijnë kryesisht zhvillimet gjatë vitit 2008, por edhe të tremujorit të parë të vitit 2009. Pritjet për zhvillimet e ardhshme shtrihen përgjithësisht, deri në fund të vitit 2009, bën të ditur Banka Qendrore e Shqipërisë. Sipas të dhënave të publikuara në raport, gjatë vitit 2008, veprimtaria e sistemit financiar dhe sektorit bankar është rritur me ritme më të ulëta. Në fund të vitit 2008, citon informacioni i përgjithshëm i këtij botimi, në vendin tonë operonin 16 banka dhe aktivet e tyre përfaqësonin rreth 95.4 për qind të totalit të aktiveve të sistemit financiar dhe rreth 78 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së). Ndërkohë që gjatë vitit 2008 vijoi rritja e veprimtarisë së sektorit bankar, e cila e shprehur në totalin e aktiveve të sistemit arriti në 843.1 miliardë lekë ose 12.4 për qind më e lartë se një vit më parë. Ecuria e aktivitetit megjithatë ka ndjekur një dinamikë të ndryshme gjatë vitit. Për shkak të tërheqjeve të depozitave në tremujorin e katërt të vitit ndryshimi i totalit të aktiveve në tremujorin e fundit të vitit, në krahasim me tremujorin e tretë ishte -2.7 për qind. Ndërkohë që veprimtaria e kreditimit e cila përbën rreth 48 për qind të aktivit në dhjetor 2008, megjithëse vijoi trendin rritës që prej vitit 2003, u ngadalësua veçanërisht në tremujorin e fundit të vitit. Portofoli i kredive, sipas raportit ,arriti në vlerën 396.8 miliardë lekë, duke zënë rreth 37 për qind të PBB-së. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo tepricë evidenton një rritje me 104.3 miliardë lekësh ose rreth 36 për qind.
...