Shkatërrohet shëtitorja e sapondërtuar buzë liqenit
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Vetëm pak ditë pas përurimit, shkatërrohet shëtitorja buzë liqenit të Shkodrës.
Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar gjatë natës mjaft elementë të saj, duke prishur tërësisht dekorin e pak ditëve më parë. Ndriçuesit, pemët dekorative, si dhe ndotja në disa pjesë të rrugës, bëri që vetë bashkia të reagonte mjaft ashpër, duke i bërë apel edhe qytetarëve që të distancohen nga veprime të tilla. Shëtitorja e qytetit të Shkodrës, ose siç quhet ndryshe, "Rruga e Molos", u inaugurua pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Por pas dëmtimit të qëllimshëm të elementëve zbukurues, Bashkia e Shkodrës u bëri apel banorëve për mirëmbajtjen e saj. Gjithashtu, iu kërkua policisë për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore personat e implikuar në shkatërrimin me dashje të kësaj shëtitoreje. "Është për të ardhur keq se si po shkon dëm një investim prej 45 milionë lekësh. Bregu i liqenit të Shkodrës kishte marrë një pamje të mrekullueshme, ku çdo natë me qindra banorë të qytetit bëjnë shëtitjen e darkës në këtë rrugë. Por nga persona të veçantë, kjo rrugë po dëmtohet. Ata nuk po bëjnë gjë tjetër vetëm se po krijojnë një imazh të keq te vetë banorët që janë vizitorët e përnatshëm të saj, por edhe te turitët e huaj të cilët bëjnë ballafaqimin e parë me qytetin e Shkodrës sapo zbresin nga ura e vjetër e Bunës", thuhej në deklaratën për shtyp, që nxori dje Bashkia e Shkodrës menjëherë pas konstatimit të dëmtimeve. Të ndodhur para një fakti të tillë, drejtuesit e Bashkisë i kanë kërkuar qytetarëve që të distancohen nga veprime të tilla, pasi për ndërtimin e kësaj shëtitoreje janë përdorur paratë e taksapaguesve shkodranë. Me ndërhyrjen që i është bërë kësaj shëtitoreje, ajo i plotëson të gjitha kriteret e një rruge bashkëkohore që është në funksion të qindra dhe mijëra qytetarëve që e frekuentojnë atë çdo natë, në këtë stinë të nxehtë të verës. Edhe vetë qytetarët shkodranë shprehen të indinjuar për këtë ngjarje. Ata i kërkuan organeve të rendit të zbulojnë personat të cilët me papërgjegjshmërinë e tyre duan të shkatërrojnë një pronë publike, e cila i shërben gjithë komunitetit shkodran.