Aksidentet, përgjaken rrugët nga emigrantët dhe të dehurit
Sipas drejtorit të Qendrës së Traumës, Olldashi, çdo ditë paraqiten rreth 50 të aksidentuar
Ditët e nxehta kanë dhënë pasoja negative dhe në shtimin e numrit të traumave dhe aksidenteve. Jo pak, por dhjetëra raste paraqiten për ndihmë mjekësore në Qendrën e Traumës pranë Spitalit Ushtarak dhe fatkeqësisht, shumë prej tyre nuk arrijnë të mbijetojnë, për shkak të dëmtimeve të forta që kanë marrë. Këtë e pohon drejtori i Qendrës Kombëtare të Traumës, Fatos Olldashi, i cili pohon se paraqiten çdo ditë rreth 50 persona nga i gjithë vendi për ndihmë mjekësore. "Në fakt, në këto ditë të nxehta janë paraqitur më shumë trauma. Megjithatë, kemi mundur t'i përballojmë dhe t'u japim ndihmë mjekësore korrekte",- pohon Olldashi. Madje numri i aksidenteve këto ditë të nxehta është rritur rreth 30 për qind, krahasuar me stinët e tjera.
Shkaqet
Nga të dehurit e deri tek ata që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Madje edhe personat që duan të argëtohen me hedhje në pishina apo në det, bëhen objekt i traumave që përfundojnë në Spitalin Ushtarak. Por, fatkeqësisht, ata që po përgjakin rrugët e vendit për shkak të aksidenteve janë edhe emigrantët, të cilët në këmbim të pushimeve që kërkojnë të bëjnë në atdhe, pësojnë trauma. Sipas drejtorit të Qendrës së Traumës, Fatos Olldashi, numri i këtyre lloj aksidenteve vjen gjithnjë e në rritje. "Vihet re një fenomen për personat që vijnë nga jashtë, sepse aksidentet janë të pritshme shpesh te ata. Kjo mund të shpjegohet me faktin se janë mësuar me një traditë tjetër, me rregulla të tjera dhe nuk dinë sistemin tonë rrugor”,- pohon Olldashi, se në këtë mënyrë drejtuesit e automjeteve shkaktojnë aksidente, ku shpesh janë të shoqëruar me familjet e tyre. Gjithashtu ai pohon se dominante janë edhe aksidentet nga hedhjet që bëhen në pishina apo në det, lojërat që bëhen në det, ku në disa raste kanë qenë fatale për jetën, pasi u është dëmtuar shtylla kurrizore ose kanë humbur jetën. Por ata që shkaktojnë aksidente në mënyrë periodike, sipas Olldashit, mbeten të dehurit, të cilët tradicionalisht janë bërë objekt i traumave, duke shkaktuar një numër të madh viktimash. E ndërsa bilancet e përgjakjes së rrugëve sa vijnë dhe bëhen më tragjike, duket se masat për parandalimin e tyre janë ende të pakta. Kështu, në rrugët e kryeqytetit ende konstatohen kundravajtje të rënda, me pasojë vdekjen, si nga drejtues automjetesh, ashtu edhe motoçiklistësh pa skafandra, të cilët futen në çdo cep të rrugës së lirë, pa pyetur për semafor.
50 trauma paraqiten çdo ditë pranë Qendrës Kombëtare të Traumatologjisë pranë Spitalit Ushtarak
30 për qind më shumë është rritur numri i aksidenteve në këto ditë të nxehta, krahasuar me stinët e tjera