E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toro: Qeveria bën demagogji me pronarët

Intervista/ Sekretari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro shprehet se ligji për rishikimin e titujve nuk do të ketë efekte reale

Z.Toro, kryeministri Berisha është deklaruar prerazi se nuk do të ketë shfuqizim të Ligjit 7501 “Për tokën”. Pajtohen pronarët me këtë deklaratë?

Ligji 7501 është ligji më regresiv, më antikombëtar dhe një ligj komunist, që ka shkatërruar të gjithë sistemin kapitalist në Shqipëri dhe ka qenë gjithë baza e korrupsionit që është zhvilluar në këto vite, sepse u pasua nga ligje të tjera për privatizimin dhe veprime të tjera që ndodhën në ekonominë shqiptare. Ky ligj do ta lërë Shqipërinë jashtë Europës. Politika shqiptare, si e majta dhe e djathta, e cila e miratoi këtë ligj me porosinë e Ramiz Alisë, vazhdon ta mbajë, por kostoja e kësaj do të jetë për gjithë popullin shqiptar.

Ndërkohë, ka hyrë në fuqi ligji i ri “Për rishikimin e titujve të pronësisë”. Besoni se ky ligj do mund t’i japë zgjidhje problemit të pronave të marra në mënyrë të pamerituar?

Kemi mbi dhjetë vjet që si shoqatë kemi deklaruar abuzimet që janë bërë me Ligjin 7501, ligj që ka vepruar në 1/3 e sipërfaqes së vendit. Në zonat qendrore të Shqipërisë nuk është zbatuar në asnjë metër/katror dhe është zbatuar vetëm në zonat që kanë interes për qarqe të caktuara të politikës shqiptare dhe ka vepruar për të pasuruar ose si kamuflazh për abuzimet që kanë bërë pushtetet lokale, komisionet e ndarjes së tokave në interes të qarqeve politike të caktuara. Nisma që ndërmerret tani është shumë e vonuar, pasi fenomeni i abuzimit me pronën është shumë i vjetër dhe tani nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të shohim se çfarë rezultatesh do të ketë. Por nuk besoj se do të kemi ato rezultate që ne presim, sepse iniciativa që është marrë, ka si kusht që ata që kanë marrë tokë në mënyrë abuzive duhet ta blejnë tokën me çmimet e tregut, çka do të thotë me 4 deri në 5 euro për metër/katro, në një kohë që këto toka janë në zonat më të mira ekonomike, janë kthyer në troje ndërtimesh, janë ndërtuar pallate siç është zona e Yzberishtit, apo në zonën e Priskës, janë kthyer në zona turistike siç kemi në zonën e Kavajës dhe në zonën e Durrësit, ka tentativa të njëjta në zonën e Spillesë dhe në Gjirin e Lalëzit. Për të mos thënë për shtrirjen e saj në territoret me përparësi zhvillimi ekonomik.

Pra, sipas jush, efektet e zbatimit të këtij ligji do të jenë të pandjeshme për vendosjen e drejtësisë në shpërndarjen e tokave.

Do jenë me rezultate shumë të pakta. Edhe nëse do të ndërmerret iniciativa për t’i goditur në 100 për qind këto abuzime, vlera ekonomike e përfituar prej tyre është të paktën 100 herë më e vogël sesa realiteti i përfitimit të këtyre njerëzve të korruptuar që kanë përvetësuar toka nëpërmjet Ligjit 7501.

A keni shifra ju si shoqatë se sa është masa e tokave të përvetësuara në mënyrë të paligjshme?

Ne kemi paraqitur që në vitin 2001 një studim në lidhje zbatimin e Ligjit 7501 dhe kemi thënë se janë mbi 120 mijë hektarë tokë që janë shpërndarë në mënyrë abuzive, shifër që ka dalë nga studimet tona që atëherë. Për herë të parë, kjo shifër pranohet nga politika shqiptare.

Kryeministri, gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë, ka lëshuar akuzën se një pjesë të mirë të këtyre tokave e kanë përvetësuar njerëz të veshur me pushtet...

Ne këtë konstatim e kemi bërë që para dhjetë vjetësh dhe e kemi denoncuar me raste konkrete vjedhjesh. Mund të përmendim një rast shumë flagrant, siç është rasti i Palasës, ku me vendime qeverie të pabotuara asnjëherë kanë përvetësuar individë të ndryshëm, të lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin politik. Dihet publikisht se si e majta, ashtu edhe e djathta s’kanë marrë asnjë masë për anulimin e këtij veprimi.

Z.Toro meqë përmendët Palasën, po në Himarë, ku qëndron problemi me pronat, pasi vetëm pak ditë më parë, pronarët e kësaj zone akuzuan Kryebashkiakun për tjetërsim të tyre?

Në Himarë ka një pleksje të politikës dhe të qarqeve të caktuar të shovinizmit grek, të cilat po përpiqen që të ngrenë një opinion, që nuk i përket atyre, për të thënë që tokën himarjote ta bëjnë tokë greke, apo ta kthejnë Himarën në një minoritet grek. Për t’i dhënë një përgjigje të gjitha këtyre qarqeve shoviniste, të njëjtin problem kemi në Dropull apo në tokat e Sarandës dhe Delvinës, ku minoritarët grekë kanë marrë pa asnjë të drejtë sipas Ligjit 7501. Në qoftë se ata do të shprehin një vullnet të tillë, duke u bashkuar me ne, duke abroguar Ligjin 7501, duhet ta nisin nga Dropulli.

Gjithashtu qeveria është angazhuar që të rishohë hartën e vlerës së tokave...

Ne e kemi shprehur kërkesën tonë për rishikimin e çmimeve të dala, pasi metodika e miratuar nga Kuvendi është zbatuar shumë gabim. Teknikët që janë marrë me këtë, nuk kanë zbatuar metodikën por i janë përmbajtur interesave të ngushta politike të zonave të caktuara. Ne jemi të bindur se metodika e miratuar nga Kuvendi është një metodikë e drejtë sepse është hartuar dhe ndërtuar nga ekspertët më të mirë të vendit, të të gjitha fushave, qoftë të urbanistikës, të turizmit, bujqësisë etj., por është miratuar nga Kuvendi Shqiptar me mbështetje të të dyja krahëve të politikës dhe ka marrë dhe gjithë mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë, nga Banka Botërore, ekspertizë e cila e ka quajtur një metodikë të drejtë. Fakt është që kjo metodikë është zbatuar keq dhe për këtë dua të marr si shembull klasik çmimin e tokës së Bathores, ku ka dalë një çmim prej 13 mijë lekë të vjetra për metër/katror, ndërkohë që dhjetë metra më tutje, në Kodër Kamëz, çmimi ka dalë mbi 200 mijë lekë të vjetra për metër/katror. Pra një çmim 15 deri në 17 herë më të lartë çmimet në Kodër Kamëz, sesa në Bathore. Kjo tregon se kjo metodikë nuk është zbatuar sepse ka patur interesa politike, duke menduar që ata ndihmojnë shtetin, por në vend që t’i vinin vetulla, ata i nxorën sytë, gjë që u konstatua dhe nga Kryeministri i Shqipërisë i cili deklaroi se vlera e tokës nuk është reale në shumë zona.

Jeni njohur me këto ndryshime të çmimeve?

Nga informacioni që kemi ne është një grup ndërministror që po merret me këtë punë dhe nuk ka ende ndonjë rezultat konkret. Por ne shpresojmë që si shoqatë të jemi aktivë në këtë proces, për të dhënë kontributin tonë për të zbatuar atë që ka vendosur Kuvendi i Shqipërisë, pasi mendojmë se ende nuk ka një vendim të Kuvendit për të hedhur poshtë metodikën dhe nuk mund të jetë e drejta e ekzekutivit për ta rrëzuar atë.

Si po ecën procesi i kompensimit të ish-pronarëve?

Është në vlerat krejtësisht të papërfillshme sepse kompensimi prej 500 milionë lekë që janë parashikuar në Buxhetin e Shtetit për kompensimin e pronarëve në vitin 2008, kompensim që ende nuk është realizuar, mund të kompensohet e shumta deri në 6 mijë metra/katrorë, aq sa ishte rezultati i vjetshëm, pasi edhe vjet ishte e njëjta shumë. Në krahasim me oqeanin e madh që ka shteti në kurriz për detyrim kushtetues për kompensimin e pronarëve, 500 milionë lekë është një pikë ujë, e cila ka vlerë vetëm demagogjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›