Muaji gusht, rekord me vdekje të dyshimta
Vrasje me armë zjarri, vetëvrasje dhe mbytje në ujë. Këto dhe shumë arsye të tjera kanë rritur fluksin e punës në Institutin e Mjekësisë Ligjore pranë të cilit bëhen çdo ditë 2-3 autopsi në persona të vdekur, për të zbuluar shkaqet e vërteta të humbjes së jetës. Sipas drejtorit të këtij instituti, Besim Ymaj, muaji gusht ka qenë më i ngarkuari për bërjen e autopsive.
Autopsitë
Në fakt, muaji gusht duket që i ka zënë “ngushtë” njerëzit pasi edhe vdekjet e dyshimta kanë qenë të shumta, për të cilat, specialistët e Mjekësisë Ligjore janë vënë në punë për të zbuluar shkakun e vërtetë të tyre. “E vërteta është se muajin gusht janë bërë mbi 25 autopsi dhe rastet kanë qenë më të shumtë se çdo muaj, për të cilat personeli është angazhuar për të nxjerrë konkluzione të sakta në lidhje me këto autopsi”,- pohon Besim Ymaj, duke shtuar se një ndër faktorët kryesorë të këtyre vdekjeve lidhen me temperaturat e larta që po përjetojnë njerëzit. Kështu, ekspertiza ka treguar se vdekjet kanë ardhur për arsye të ndryshme por nuk kanë munguar vetëvrasjet e shumta dhe vrasjet me armë zjarri. “Jemi ndeshur me shumë raste vetëvrasjesh, por edhe vrasjesh me armë zjarri si në Shkodër, Tiranë, Gramsh dhe Lushnjë. Mendoj se temperaturat e larta ndikojnë edhe mbi psikologjinë e njeriut dhe kjo reflektohet edhe në vendimet që marrin ata”,- pohon Ymaj.
Shkaqet
Vdekjet e papritura apo aksidentet e ndryshme, kanë qenë tjetër objekt i autopsive të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Sipas drejtorit Ymaj sezoni me temperatura të larta ka sjellë sidomos vdekjen e personave me sëmundje kardiake dhe atyre që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike. “Gjatë kësaj periudhe ka patur mbytje në ujë, që janë të shpeshta dhe raste të tilla kemi patur në Shkodër, Durrës, Vlorë etj.”,- pohon Ymaj duke shtuar se disa nga mbytjet rezultuan se kanë qenë nga pakujdesia në moshat fëminore kurse për moshat e rritura, kanë ndodhur si pasojë e manifestimit të sëmundjeve që kanë patur më parë.
25 autopsi janë bërë gjatë muajit gusht në Institutin e Mjekësisë Ligjore
2 deri në 3 autopsi bëhen në ditë në Institutin e Mjekësisë Ligjore këtë muaj