Sabit Brokaj: Si e gjeta ushtrinë në 1997

Sabit Brokaj: Si e gjeta ushtrinë në 1997
Ç’përmbante dosja që hartoi Ministria e Mbrojtjes për ngjarjet e ’97-ës
Kishim qindra avionë, nëndetëse e anije, mijëra gryka artilerie dhe tanke
Për çfarë s’është dakord Brokaj me ish-ministrin e ndjerë, Safet Zhulali
Popullata kishte moral të lartë dhe të shkëlqyer për të ringritur ushtrinë
Ministria e Mbrojtjes e plotësoi e para një të quajtur “dosje” me shkeljet e Kushtetutës, të ligjit, të urdhërdhënieve të zyrtarëve të lartë të shtetit, përfshi të ushtrisë, në ngjarjet e rënda të vitit 1997. Sabit Brokaj ishte Ministri i parë i Mbrojtjes në qeverinë që doli pas zgjedhjeve të përgjithshme të 29 qershorit të atij viti, ndonëse të kontestuara nga ajo që u bë opozitë e kohës, përkatësisht PD-ja. Sabit Brokaj dhe dikasteri që ai drejtonte, duke qenë brenda karakterit të detyrave që lidheshin me ngjarjet e atij viti, në verë, pas formimit të qeverisë së re të së majtës, vuri në udhë dokumentacionin që vërtetonte shkeljet dhe ato që më vonë morën formë akuze si “genocid” apo “krime kundër njerëzimit” të 6 ish-zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike. Në bisedë me “Korrierin”, një nga funksionarët më të lartë të Partisë Socialiste ndër vite dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, disa herë deputet dhe ministër, Brokaj tregon se në çfarë gjendjeje e gjeti ushtrinë, dikasterin e së cilës mori përsipër ta drejtonte në qeverinë e ish-kryeministrit Fatos Nano. Në intervistë, Sabit Brokaj rikujton gjendjen e mjeruar, rrënimin, shkatërrimin e efektivëve dhe mjeteve, armatimin e municionin e vjedhur e të grabitur. Në intervistë, e cila që do të botohet edhe të enjten, pra nesër, Brokaj flet për përgjegjësitë e politikës dhe me zë të ashpër kritikon mosveprimin ligjor ndaj përgjegjësve të asaj që e quan “tragjedi kombëtare”. Cilët fajëson drejtpërdrejt Sabit Brokaj nga Partia Socialiste dhe përse mendon se ndëshkimi ligjor është dhe duhet të jetë domosdoshmëri. Çfarë i ka bërë përshtypje në sjelljet e ish-udhëheqjes së Partisë Socialiste, në raport me shkaktarët e ngjarjeve të vitit 1997 dhe përse thotë se duhet dënimi.
Bisedoi: Denion Ndrenika
- Zoti Brokaj, ju ishit Ministri i parë i Mbrojtjes që u përballët me gjendjen e ushtrisë pas ngjarjeve të vitit 1997. A mund të na bëni një pasqyrë pas 11 vjetësh, të atyre ditëve të para në detyrë, si dhe të ecurisë së punës në përmbledhjen e materialeve që lidheshin me ngjarjet e vitit 1997?
- Sabit Brokaj: “Po... Në fakt, Ministria e Mbrojtjes ishte në të vërtetë një dikaster që pothuajse nuk funksiononte fare, megjithë përpjekjet që kishte bërë paraardhësi im, Shaqir Vukaj, në ato tre muaj të qeverisë teknike. Situata në ushtri ishte në amulli. Repartet ushtarake, divizionet, apo brigadat e shkatërruara pothuajse nuk funksiononin dhe ishte në detyrë vetëm brigada “Komando”. Në fakt, kishte filluar që të grupoheshin oficerë, por pjesërisht dhe rekrutimi natyrisht nuk kishte filluar. Situata, infrastruktura në tërësi ishte e shkatërruar. Nuk ishte i ristrukturuar asnjë divizion, që filluan të rindërtoheshin pas muajve shtator-tetor të atij viti 1997. Por, e rëndësishme është se mobilizimi i kuadrit të oficerëve dhe ushtarakëve, e në tërësi morali i popullatës për ta ringritur ushtrinë, ishte i shkëlqyer. Do të thoja që kjo ishte aq sa në atë vit ishte më lehtë të rekrutoje ushtarë, se sa ndoshta vitin e kaluar dhe sivjet. Kjo ishte një provë e qartë që ky popull ka shpirt, ky popull ka mekanizmat e tij të mbijetesës dhe të organizimit”.
- Zoti Brokaj, me sa më kujtohet nga një bisedë që kemi bërë atëherë bashkë, Ministria e Mbrojtjes ishte dikasteri i parë që hartoi një raport, një përmbledhje të dokumentacionit të plotë mbi ngjarjet e vitit 1997. A mund të na thoni se çfarë përmbanin këto raporte, këto dokumente, pasi edhe organet hetimore filluan të merreshin mbi to?
- “Në atë material, në atë raport, gjenden të tëra hollësitë e shkaqeve dhe faktet e shkatërrimit të ushtrisë shqiptare. Është e dokumentuar plotësisht ajo dosje. Aty janë edhe përgjegjësit e shkatërrimit dhe të gjithë veprimet e tjera, shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjit të Republikës së Shqipërisë”.
- Kjo do të thotë se ngjarjet zbardhen?
- “Në një nga pikat kryesore që nuk do të isha në një mendje me të ndjerin ish-ministrin e Mbrojtjes, Safet Zhulali (tha se “dosja e zezë e ‘97-ës nuk sqarohet”), është se do të thoja që “po, mund të zbardhet”. Pra, “po”, në qoftë se ka inicialitet politik dhe vendosmëri për drejtësi, dosja e ‘97-ës qartësohet mjaft mirë, veçanërisht ajo që ka të bëjë me shkatërrimin e ushtrisë dhe veprimin ushtarako-policor ndaj popullit”.
- Megjithatë, zoti Brokaj, pas kaq vitesh dhe asaj që u pa e u dëgjua, vështirë të themi se gjendja e atëhershme e armatimit, municionit apo trupave përbënte sekret shtetëror. Kjo ndodhi me mjetet dhe me njerëzit. A kishte ndonjë farë mundësie që ushtria të kryente funksionet e saj?
- “Kjo pyetje më shumë ka të bëjë me etapat. Fjala vjen, në vitin 1990, pra ushtria që u trashëgua nga sistemi i kaluar, për të hyrë në sistemin e ri, natyrisht që ishte një ushtri shumë e fuqishme, shumë e armatosur. Mos harro që bëhej fjalë për më shumë se 200 avionë, me nëndetëse, me qindra anije, me mijëra gryka artilerie, me mijëra tanke”.
- Domethënë fuqitë dhe aftësitë u dëmtuan?
- “Në fakt, mund të themi që ka qenë popullata që po ta vësh në një