E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, plagosen 6 persona në disa rrethe të vendit



Aksidentet vazhdojnë të përgjakin akset rrugore në vendin tonë. Burimet zyrtare raportojnë për përplasje dhe incidente automobilistike në Tropojë, Lushnjë dhe Durrës gjatë 36 orëve të fundit. Sipas tyre, janë regjistruar të paktën 6 persona, të cilët janë plagosur rëndë. Të hënën pasdite, në aksin Fier-Lushnjë ndodhi një përplasje mes një veture dhe një furgoni udhëtarësh. Për pasojë, mbetën të lënduar dy drejtuesit e mjeteve. Thanas Cenolli, 63 vjeç dhe Ilirjan Kroi, 50 vjeç. Të dy shoferët e plagosur janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, në furgonin e drejtuar nga Kroi udhëtonin 7 pasagjerë, të cilët nuk janë lënduar në këtë përplasje. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Ndërsa mbrëmjen e së dielës, tre persona janë plagosur në një aksident automobilistik në aksin rrugor Qafë Morinë - Bajram Curri, teksa po ktheheshin nga Kosova. Burime zyrtare të policisë lokale, bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21 të mbrëmjes së dy ditëve më parë, në afërsi të fshatit Kasaj. Furgoni tip “Benz” me targa TR 0003 G, ka dala nga rruga duke u përmbysur disa metra poshtë saj. Si rrjedhojë kanë mbetur të plagosur rëndë shtetasit Shkëlzen Dyrmishaj, 22 vjeç, banues në Durrës dhe drejtues i mjetit, Jetmir Nezaj 23 vjeç dhe Gjergj Çelia, 22 vjeç të dy nga fshati Kasaj. Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spitalin civil të qytetit të Bajram Currit, ku pas ndihmës mjekësore, bëhet e ditur se janë jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimeve paraprake shkaku i aksidentit mendohet të ketë qenë shpejtësia e madhe e mjetit. Po të njëjtën ditë, pasdite, rreth orës 18.00, në lagjen Nr. 15 në Durrës, në afërsi të vendit të quajtur “Tre Çezmat”, është aksidentuar nga një automjet ende i paidentifikuar këmbësorja D. D., 43 vjeçe, lindur dhe banuese në Lagjen Nr. 15. Pas përplasjes, e plagosura është dërguar në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›