E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallkim i gjelbër



Nga Artan Mullaj

Të guxosh indiferencë, të guxosh shpërfillje, që është një luks i tepruar në epokën tonë; të ndjesh, të këqyrësh, të shijosh vetminë murgërore në një qetësi të shenjtë, në një vend ku natyra dhe vetëdija kanë harmoni, kanë mirëkuptim, ku deliret ngjajnë me krijimin, dhe krijimi është freski e instinkteve dhe është fuqi e origjinës,por është edhe vazhdim;të gjitha këto janë ndjesi që vështirë mund të afrohen në jetën urbane me stres, vapë të tmerrshme, ndotje dhe probleme karvan, por të gjitha këto mund ti provosh nëse jeton disa ditë në malësinë e heshtur dhe të shenjtë të Vithkuqit në perëndim të qytetit të Korçës. Të provokosh pra, arsye të fshehta të ekzistencës dhe ti japësh kuptimin hyjnor asaj ç’ka jemi dhe përse jemi këtu, në këtë vend dhe në këtë kohë; të frymëzohesh si profet i ngjarjeve të mërzitshme që ndodhin atje tej në qytet, në trafik, në katrahurë dhe pastaj të gjykosh edhe politikën e politikanët nga larg, të kuptosh prapësitë e ardhshme të paralajmëruara nga ajo dhe ata, të gjitha këto mund ti bësh vetëm nga ky vend që mund ta quash parajsë, sepse krahina e Vithkuqit është një mrekulli e papërsëritshme. Të meditosh, të mendosh, të provokosh, të gjykosh, të profetosh nga kjo pikë e gjelbër dhe e pastër e planetit, do të thotë të besosh se të gjitha këto janë një shkulm i pashlyeshëm ngushëllimi të ndershëm larg andrallave të ditës dhe larg politikës; do të thotë të besosh se të gjitha këto përbëjnë zgjidhjen dhe zgjedhjen e mënyrës për ti shpëtuar ditës së vështirë në një shoqëri të shkalafitur prej problemeve, çorodisë dhe klimës së nxehtë; do të thotë të kesh guximin e nevojshëm për të synuar gjykimin e pastër nga larg, nga neutraliteti,nga siguria,nga horizontet e normalitetit ç’ka është diçka mjaft e shtrenjtë ne kohën tonë…
Po shkruaj këto rreshta pikërisht në një vend të tillë,ku mund të thuhet se toka ngjan me parajsën. Në krahinën e shenjtë të Vithkuqit, natyra pëshpërit gjuhë tjetër dhe ligjet janë ndryshe. Është kaq mrekullisht i fantazuar peizazhi shekullor këtu,sa gjithkush mund të ndihet si një jashtëtokësor. Gjelbërim i pafund, bukuri e rrallë natyrore, ajër i freskët, qetësi absolute. Këtu mbrëmjet janë të ftohta në verë me regëtima emocionesh, ora ka ngelur në vend mbase qysh nga Bizanti. Në Vithkuq nuk ekziston fenomeni i ngrohjes globale, as krimi ordiner,as zhvillimi i tmerrshëm. Qetësia e bekuar me gurgullimën e ujërave kristal që rrjedhin gjithandej, ka në sfond zhurmën e gjelbër të jetës; Lumi i metaltë i makinave mbytëse që ka pushtuar qendrat urbane këtu nuk ekziston as në përfytyrim. Në atmosferën e freskët pranverojnë aromat e jetës për hir të një nostalgjie përshtatjesh të cunguara, kurse oksigjeni nuk është thjesht oksigjen, është oksigjen i tej përqendruar, është ozon, me veti ekstremisht kuruese. Por pikërisht, në këtë copë parajse të vetmuar, ne mes të kësaj mrekullie, sot po ndodh një maskaradë e paparë ekologjike, dhe kjo situate është vetëm një hap katastrofës, sepse është duke u shkatërruar barbarisht njëri nga pyjet më të rëndësishëm të vendit, pylli i Sherës. Banorët e zonës së Vithkuqit janë të varfër, aq sa nuk ju intereson zhvillimi dhe fenomenet, por ata jetojnë gjatë dhe, gjenetikisht karakterizohen nga një ndruajte e virgjër ballë lajmeve të botës dhe përgjegjësisë civile. Këta njerëz janë si hallka të një zinxhiri sfidash të papërsëritshme,në një luftë të stërmundimshme për ekzistence,ndërsa shumica siguron jetesën e vështirë me punë të ashpër fizike. Por djersa e ballit në këtë rast është një ndershmëri jo fort e dobishme. Këtu fillon historia. Këta njerëz që mund të përfaqësojnë ende epokën e thjeshtësisë,ndërsa janë pjesë e një natyre të mrekullueshme, janë edhe problemi i saj më i madh. Fshatarët janë prishësit kryesorë të pyjeve të zonës, duke u bërë kështu autorë të një shkatërrimi të përditshëm dhe të përbindshëm ekologjik. Ditën, shumica e këtyre njerëzve sigurojnë jetesën e vështirë me kërcitjen e sëpatave dhe zhurmën e motosharrave të babëzitura, ashtu sikundër ndodh rëndom edhe çuditshëm nëpër shumicën e zonave malore gjithandej Shqipërisë. Kurse mbrëmjeve romantike, këta njerëz jetëgjatë, mungesën e ankthit dhe streseve të qytetit, e kompensojnë me një pasion mediokër të bërjes politikë,ndërsa mblidhen nëpër kafenetë e qendrës. Ekzistojnë edhe këtu klanet politike,majtas e djathtas, por ato kanë një ashpërsi të tolerueshme bri njëra- tjetrës, pasi në mbrëmje burrat janë të tejlodhur mbas një dite në kasaphanë. E ndërsa janë konstruktivë në debatet primitive politike, të patolerueshme janë ndryshimet e kufijve në pyje ku secili ka hapësirën e vet të shkatërrimit. Përditë gjëmojnë motosharrat, priten pyjet e mbetur, dhe përditë e përnatë makina të paligjshme e të palicencuara transportojnë kërcunjtë e vdekur të malit. Ky është mëkati i parajsës. Natyra kundër natyrës. Pushtetarët e zonës janë vetë ata “koka të prera” përpara pishave dhe aheve shumëvjeçare, ndërsa korrupsioni sharlatan i provincialeve funksionon në mënyrë po aq të përkryer sa edhe në mes të Tiranës. Ekziston edhe këtu mynxyra e pushtetit negativ dhe “kapja” ideologjike. Zonës i mungojnë njerëz me arsim të lartë apo drejtues të aftë dhe ky fakt e thellon mungesën e civilizimit dhe vetëdijes intelektuale për ndërgjegjësim ndaj krimit ekologjik. Zakonisht rojtarët pyjorë pinë raki kumbulle përditë ne klubet e fshatit dhe bëjnë sehir që andej makinat e ngarkuara me dru që zbresin në qytet. Gjithçka ndodh nën hundën e tyre dhe nën hundën e inspektorëve pyjorë,që janë pra spektatorë ordinerë kafenesh,vartës shefash ordinerë. Këta natyrisht janë edhe përgjegjësit kryesorë. Shkatërrimi i pyjeve është kronike e një krimi të paralajmëruar që nuk ka të ndalur. Pyjet shumë shpejt nuk do të ekzistojnë më në këtë zonë. Kjo natyrisht do të thotë një katastrofë e ardhshme, por çuditërisht askush nuk bën asgjë asnjëherë. Ekzistenca e shtetit këtu ngjan me një fenomen që ndodh rrallë, vetëm në kohë fushatash elektorale. Pas zgjedhjeve, pas fituesve, katastrofës biologjike që nuk rresht kurrë, pushtetet e radhës i interferojnë katastrofën civile. Kuja në Vithkuq është e gjatë: Injoranca fshatare përzihet me pasione primitive në dëm të pasurisë kombëtare dhe ekologjisë. Këtu mungon instinkti i revoltës por rrëzëllen papushim instinkti i shkatërrimit. Të gjithë janë ingranazhe të një mekanizmi që shumë shpejt do ta lenë parajsën pyjore pa parajsë, që do shndërrojë magjinë në një gjymtim të përjetshëm. Dhe, problemi madhor është se këtyre ingranazheve ju mungon perspektiva dhe shpresa. E ardhmja e të rinjve fshatarë vazhdon të nderet pa shpresë në këto male, mes drurëve të rralluar dhe të mallkuar, që shpejt do të shndërrohen në tym edhe hi.
Por kthehemi te proverbi i katastrofës natyrore që kërcënon të gjithë Shqipërinë,e cila,krahasuar me vende të tjera, është një republike pothuaj pa pyje..Le të themi që totalisht ka një indiferencë perverse te një qeverie perverse për këtë realitet të pabesueshëm. Është një mallkim i gjelbër për Sali Berishën dhe bashkëqeveritarët e tij. Ndërsa nuk i vihet fre këtij shfrenimi popullor për të shkatërruar natyrën deri në filizin e fundit, shteti stimulon fatalizmin me emërimet e paskrupullta në administratë, dhe jo vetëm kaq.
Filozofia e sotme e zhvillimit te vendit,që është edhe formula e shkatërrimit gjithashtu, është shëmbëllim i pyllit të rralluar të Sherës në Vithkuq. Në këtë pyll të masakruar, në të cilin zhvillohet lufta e egër midis njeriut që pret edhe shkatërron, dhe natyrës që lind pyjet e i rrit ato me mundim, ngrihet një pikëpyetje e trishtuar. A mund të shpëtohet diçka të paktën momentin e fundit? Kushedi! Zona është e pasur me pasuri të rëndësishme natyrore, investimet për shfrytëzimin e të cilave do të mundësonin punësim për të pashpresët. Kjo do të sillte një barrikadë shpëtimi për pyjet gjithandej. Parajsa vetëm kështu do të pushonte së qeni një vatër mëkati.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›