Stili jetesës në kryeqytet, magjia që josh studentët e rretheve
Jonida Tashi
Lindës, kur shkeli për herë të parë në kryeqytet, as që i kishte shkuar në mendje se një ditë do ta dashuronte kaq shumë Tiranën. Ajo vetëm mendonte se duhet të jetonte këtu për aq kohë të sa të zgjasnin studimet dhe më pas do të kthehej sërisht pranë familjes. Por vitet kaluan shpjet, shkolla mbaroi dhe papritur ajo u gjend me dilemën më të madhe të jetës së saj, të qëndronte në Tiranë apo të kthehej në Lushnje, ku jeta mbyllet njëkohësisht me perëndimin e diellit. Tashmë pas 3 vitesh në Tiranë, asaj i duket çmenduri të kthehet në qytetin e saj, ku çdo gjë është larg jetës që Linda mendon. Por megjithse e papregatitur për këtë sfidë, ajo ka vendosur të qëndrojë në Tiranë. Si Linda ka edhe mjaft të rinj të tjerë, që pas mbarimit të shkollës së lartë, enden rrugve të kryeqytetit për t’i marrë atij një pjesë që mendojnë se e meritojnë. Stili modern i të jetuarit në kryeqytet, larg mënyrës tradicionale, ku prindërit duhet të kenë nën kontroll për gjithçka, ka joshur pothuajse të gjithë studentët. Sipas tyre, në metropol, të rinjve iu ofrohen më shumë mundësi për të jetuar të “shpenguar”. Ndërkohë që e kundërta ndodh në rrethet e largëta të vendit, ku vetëm për një lëvizje të vogël apo një veshje pak të ekzagjeruar një i ri bëhet pre e thashethemeve pa fund. Nëse dikur kjo bezdisje rutinë për ta ka qenë normale, tashmë pas studimeve dhe të jetuarit larg vendit të tyre për disa vite, këto mendime janë një bezdi jo pak e vogël për të rinjtë. Largësia nga vendi ku janë rritur dhe jetuar deri përpara nisjes së studimeve ka bërë që të rinjtë ta shohin jetën vetëm me syrin e tyre, pa e vrarë aspak mendjen se ç’po thotë komshiu apo komshija. Ata dinë dhe duan të jetojnë vetëm mes të rinjsh, sepse në fakt kështu kanë jetuar gjatë kohës së studimeve në Qytetin Studenti. Pikërisht në këtë strehës të vogël rinore, të rinjtë kanë mësuar se çdo të thotë të jetosh i lirë dhe të kthehesh kur të duash në dhomë. Aty ata mund të dalin në çfarë ore të duan për të pirë kafe me shoqërinë apo për të shkuar edhe në disko. Kështu, pas mbarimit të kësaj jete rinore, studentët vendosin të braktisin konviktet për të jetuar në shtëpi me qira. Por luksi për të jetuar në shtëpi me qira nuk është i prekshëm nga të gjithë studentët. Për këtë, disa prej tyre, zgjedhin të qëndrojnë sërish në konvikt, nëse i krijohet një mundësi e tillë. Të paktën për stinën e verës ekziston mundësia që ata të qëndrojnë edhe për pak kohë në Qytetin Studenti, pasi drejtoria e këtij qyteti, për çdo vit mban të hapura dy godina, një për vajzat dhe një për djemtë. Këto dy godina do ti japin oksigjenin e nevojshëm këtij qyteti që gjatë verës duket sikur rënkon nga mungesat.
Sfidat
Sezoni i provimeve dhe diploma shkuan në finish. Tashmë studentët e viteve të fundit ndodhen udhëkryq për vendimin që duhet të marrin për jetën e tyre. Ata gjenden përballë dy sfidave të mëdha: Të qëndrojnë në Tiranë, në vendin që jetuan dhe studiuan për tre ose katër vite, apo të kthehen në rrethin nga vijnë. Në këtë situatë, peshorja nuk qëndron dot në ekuilibër, por anon nga kryeqyteti. Disa të rinj kanë guxim dhe tentojnë të qëndrojnë në Tiranë, harrojnë pasionet, profesionin për të cilin studiuan dhe përpiqen me çdo kusht të gjejnë një punë. Në këtë moment, e rëndësishme për ta është të bindin prindërit se kanë gjetur një punë, pasi kjo është një arsye e fortë për t’i lejuar që të qëndrojnë dhe të shkëputen financiarisht prej tyre. Pas kësaj, jeta bëhet edhe më e vështirë, pasi nuk dihet se sa besnik të qëndron edhe fati. Që nga ky moment e tutje duhet të përballesh vetë me të gjitha vendimet dhe problemet. Gjithçka fillon që nga gjetja e një pune, të cilën në Tiranë nuk mund ta sigurosh edhe aq lehtë. Përjashtim nga vështirësia për të gjetur një punë bëjnë të rinjtë që i kanë prindërit me poste ose që kanë miq të fortë në pushtet. Ndërsa për të tjerët, situata bëhet edhe më e vështirë. Përballë kësaj situate, të rinjtë vendosin të punojnë në punë të ndryshme jashtë profesionit të tyre vetëm për të qëndruar në kryeqytet. Shitëse butiku për femra dhe kamerier më meshkujt, janë dy mundësitë që ofrohen me së më të mëdha për tu punësuar.
Braktisja
Qytetin Studenti në Tiranë, dalëngadalë po e pushton qetësia. Tashmë pjesa më e madhe e studentëve janë larguar si zogjtë shtegtar nëpër qytetet e tyre dhe rrugicave të këtij qyteti sheh vetëm pak studentë midis banorëve të zonës dhe më së shumti qenë rrugaçë që lehin shkujdesur. Për pak ditë ai do të kthehet nga një qytet i mbipopulluar në një vend të braktisur, të cilit do t’i mungojë çdo ditë e më shumë, deri në muajin tetor, fryma dhe gumëzhitja rinore. Për të larguarit, ai nuk do të jetë më qyteti i një mijë ëndrrave që të fal gjithçka, por qyteti që i’u vodhi atyre jo vetëm ëndrrat që ju fali për katër vite, por edhe një pjesë nga jeta e tyre. Tashmë në korridoret e konvikteve jehon vetëm zëri i pastruesve, të cilat për çdo vit merrem me pastrimin përfundimtar të godinave. Studentët ndajnë mendime të ndryshme për jetën në këtë qytet të vogël rinor. Për disa ai është një vend që të fal kënaqësi, ndërsa për disa të tjerë një eksperiencë që duhej kaluar dhe kaq.
Magjia
Por sado që të rrudhësh buzët, Qyteti Studenti e ka të fortë magjinë, joshjen për të jetuar mes të rinjve. Kaq të fortë saqë edhe shumë prej studentëve të diplomuar nuk i shqiten dot, pasi aty kanë shumicën e shoqërisë e ndonjëherë edhe punën. Është pikërisht kjo dorë e mirë të rinjsh të sapo diplomuar klientela më e mirë e pronarëve të shtëpive me qira që rrethojnë qytetin e vogël të studentëve apo edhe dyqaneve. Por ka edhe nga ata të rinj që të jetuarin në “Q.S” e pëlqejnë aq shumë sa nuk do ta ndërronin me asgjë, ka edhe nga ata që qyteti i vogël ua ka sjellë në majë të hundës me zhurmën dhe çmimet e larta. Linda, e diplomuar këtë vit në degën e Psikologjisë, është larguar vetëm para tre ditësh prej tij, e vendosur që të mos kthehet më, në mos e sjelltë jeta rastësisht. “Mendoj që është mirë të jetosh në “Q.S” për aq kohë sa zgjasin studimet. Por jo më shumë. Në këto 3 vjet që unë jetova këtu, i provova të gjitha, në kuptimin e mirë të fjalës. Provova të jetoj e lirë, pa familjen pranë, vetëm me shoqet e mia, vetëm për shkollën, pa e vrarë mendjen për gjë tjetër. Por tani që studimet mbaruan, ky qytet më duket kaq i lodhshëm saqë nuk e besoj që ia kam dalë të jetoj kaq gjatë këtu. Tani kam një punë dhe kam nevojë për qetësi. Kam nevojë për një shtëpi me dush dhe drita dhe jo për një konvikt ku mbahet radha për të bërë një banjë”, shprehet paksa e lodhur nga fundi studimeve ajo. 21-vjeçarja nga qyteti myzeqar, ka ardhur kalimthi në “Q.S”, sa për të takuar një shoqe dhe thotë e bindur se të jetosh në këtë qytet të vogël nuk është aq romantike sa u duket të tjerëve. Dhe në të vërtetë kështu është. Në “Q.S” një kilogram mollë kushton sa në marketet e “Bllokut”, një bluzë po ashtu. “Në shumicën e godinave uji ikën e vjen pa pyetur për orarin e leksioneve apo të seminareve, shkallët dhe oborri poshtë dritareve janë thuajse gjithnjë me njerëz që u pëlqen të thërrasin kur ty të flihet. Gjithsesi është mirë ta provosh, është mirë të jetosh disa vjet në Qytetin Studenti, është mënyra më e mirë për të zënë shokë të vërtetë dhe për t’u velur nga zhurma”,- përfundon gjithë shpoti Linda.
15 Korrik 2008