Gjendet pas 3 ditësh 16-vjeçari i mbytur në Golem
DURRËS- Pas tri ditë kërkimesh gjendet trupi i pajetë i 16-vjeçarit, i cili u mbyt të shtunën paradite në plazhin e Golemit. Trupi i Leon Stafës është nxjerrë dje në mëngjes pranë Shkëmbit të Kavajës, larg nga vendi ku u mbyt. Tre ditë më parë ai ishte duke bërë xhiro me motor uji, kur është zhdukur. Kërkimet kanë nisur menjëherë dhe pas disa orësh është gjendur motori, por jo trupi i adoleshentit. Forcat e policisë për tre ditë me radhë kërkuan trupin e të riut, por pa rezultat. Stafa ishte viktima e pestë për këtë vit, që humb jetën në plazhin e Durrësit. Për të siguruar jetën e mijëra pushuesve në bregdetin e Durrësit, është vetëm një skaf i policisë, çka është e pamundur për të kontrolluar 20 km vijë bregdetare.
Dallgët e detit i marrin jetën 16-vjeçarit
DIVJAKË – Një tjetër viktimë është regjistruar në ujërat e Divjakës. Sipas burimeve policore, një 14-vjeçar ka humbur jetën teksa po notonte në det, në afërsi të Divjakës. Sipas tyre, shtetasi Paho Alla është mbytur në ujë, pasi është përfshirë nga një dallgë e fuqishme, ku pas së cilës, nuk ka lëvizur më. Bashkë me 14-vjeçarin Alla, ishin edhe shokët e tij, të cilët nuk kanë mundur për ti dhënë ndihmë në momentin që ai është mbytur. Pas disa minutash trupi i Paho Allës ka dalë në breg si pasojë e dallgëve të mëdha. Personat që ishin me viktimën kanë njoftuar të afërmit dhe policinë. Kjo është viktima e parë që regjistrohet për këtë sezon në plazhin e Divjakës.
15 Korrik 2008