Struktura e re e QSUT-së, pushohen nga puna 48 sanitare
QSUT-ja përfshihet përsëri nga protestat, por këtë herë janë 48 sanitare të pushuara nga puna. Sanitaret e pushuara nga puna kanë protestuar paraditen e djeshme përpara Drejtorisë së QSUT-së, duke pretenduar se largimi i tyre është i padrejtë. Drejtoria e QSUT-së ka pushuar 48 punonjëse sanitare të Pavijonit të Imazherisë dhe Kirurgjisë. Drejtoria e QSUT-së bën të ditur se sanitaret janë pushuar nga puna për shkak të reformës që është bërë në këtë qendër spitalore, ku pritet që pjesë e saj të bëhen pavijone të tjera. Numri i sanitareve që do të pushohen nga puna pritet të shkojë në 112. Zyra e shtypit në QSUT, ka deklaruar se struktura e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë do të prekë edhe sektorë të tjerë në QSUT. Lista e numrit të pushimeve nga puna është hartuar nga drejtoria e QSUT-s dhe i është dërguar për miratim Ministrisë së Shëndetësisë, më datë 16 mars, e cila ka dhënë miratimin e largimit të një numri punonjësish nga puna. Burime nga Ministria e Shëndetësisë, bëjnë të ditur se largimi i punonjësve nga puna ishte një gjë e pritshme, pasi bënte pjesë në reformë. Protesta e sanitareve duket se do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, duke pretenduar se largimi i tyre është i padrejtë dhe se shteti duhet t’iu siguroj një punë tjetër.
QSUT, rinisin operacionet në Pavijonin e Kardio-kirurgjisë
Pavijoni i Kardio-kirurgjisë ka filluar nga puna pas 10 ditë ndërprerjesh. Pas dezinfektimet me klore të forta dhe sterilizimit të të gjitha pajisjeve, ka filluar puna në të trija sallat e operacioneve në këtë pavijon. Tashmë do të kryhen të gjitha operacionet e planifikuara, por që u pezulluan për shkak të ndotjes bakteriale nga bakteri “Pseudomonas” , që u shfaq në sallat e operacioneve dhe tek pacientët që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Numri i pacientëve që do të operohen është i ulët, për shkak të temperaturave të larta gjatë sezonit të verës.
15 Korrik 2008