Aksidentet, policia e kryeqytetit furtunë gjobash, vetëm në një javë 14 mijëNga TemaAksidentet e shumta rrugore të ndodhura gjatë ditëve të fundit kanë bërë që policia e kryeqytetit të vendosë një numër të madh gjobash ndaj drejtuesve të automjeteve
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Aksidentet, policia e kryeqytetit furtunë gjobash, vetëm në një javë 14 mijëNga TemaAksidentet e shumta rrugore të ndodhura gjatë ditëve të fundit kanë bërë që policia e kryeqytetit të vendosë një numër të madh gjobash ndaj drejtuesve të automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Kështu, vetëm gjatë një jave, policia ka vendosur mbi 14 mijë gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve, të cilët janë kapur me shkelje. Masa të ashpra janë marrë edhe nga ana e policisë së Durrësit, që është kthyer edhe epiqendra e aksidenteve rrugore gjatë këtyre ditëve. Vetëm gjatë paradites së djeshme, kjo e fundit ka vendosur mbi 300 gjoba. Sakaq, aksidentet e ndodhura në rrethin e Durrësit vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Edhe gjatë ditës së djeshme, një 16-vjeçar ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti, ndërsa dy shokët e vet kanë mbetur të plagosur. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, aksidentet rrugore janë vrasësi më i madh i shqiptarëve. Studimi thotë se një i vdekur dhe dy të plagosur në ditë shkaktohen nga aksidentet rrugore, shifra këto të larta krahasuar me rajonin.
Masat
Furtunë gjobash ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Policia e Tiranës bëri të ditur dje se vetëm gjatë një jave ka vendosur mbi 14 mijë masa administrative ndaj drejtuesve që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Burime pranë policisë bëjnë me dije se këto masa janë marrë duke parë aksidentet e shumta të ndodhura ditët e fundit, me qëllim parandalimin e tyre. “Gjatë kësaj jave, nga shërbimet e policisë rrugore janë vendosur rreth 14 000 masa administrative për ecje tej normave të lejuara, për parakalim të gabuar, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse, për mosvendosje të rripit të sigurimit, për mospërdorim të dritave, për përdorim të celularit gjatë dhënies së mjetit, për mosrespektim të sinjalistikës rrugore etj”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp policia e Tiranës. Kjo e fundit tha se masat ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim normalizimin e situatës. Ndërkohë, ajo kërkoi mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve. “Policia e Tiranës sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuara në Kodin Rrugor”, - deklaroi polica. Sakaq, edhe policia e Durrësit, rrethi në të cilin vetëm gjatë katër ditëve të fundit kanë gjetur vdekjen 8 persona dhe janë plagosur 13 të tjerë, ka marrë masa ndëshkuese ndaj drejtuesve të automjeteve. Sipas burimeve të policisë, vetëm gjatë paradites së djeshme janë vendosur mbi 300 gjoba, janë bllokuar 15 automjete pa dokumentacion përkatës, 2 motorë, janë hequr 20 dëshmi aftësie për drejtim automjeti për lëvizje me shpejtësi tej normave të lejuara, si dhe janë hequr 5 dëshmi aftësie për drejtim automjeti, pasi drejtuesit kishin përdorur pije alkoolike. Kjo e fundit tha se ka vendosur pika kontrolli te Plepat, 2 pika kontrolli në aksin Stacioni Trenit-Rotonda Shkozet, zona këto të cilat paraqiten si më problematike.
Aksidentet, vrasësit më të mëdhenj
Në një studim të bërë nga ana e Institutit të Shëndetit Publik, aksidentet rrugore janë vrasësit më të mëdhenj të shqiptarëve. Me një të vdekur dhe dy të plagosur në ditë, sipas këtij studimi aksidentet zënë numrin e parë për vdekjen e shqiptarëve. Mësohet se kjo është shifra më e lartë e vdekjeve nga aksidentet në rajon. Rreth 40% e aksidenteve, sipas këtij studimi, ndodhin për shkak të pakujdesisë së drejtuesve të automjeteve. Sakaq, aksidentet rrugore kanë shkaktuar edhe dje viktima. Kështu, në Durrës, që gjatë ditëve të fundit është kthyer në epiqendrën e aksidenteve rrugore, një 16-vjeçar ka gjetur vdekjen, ndërsa dy shokët e vet kanë mbetur të plagosur. Aksidenti i rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Durrës-Shijak, kur një automjet me targa të huaja, i cili drejtohej nga 16-vjeçari Fitim Bare, ka dalë nga rruga. Drejtuesi i mjetit, 16-vjeçari Fitim Bare dhe pasagjeri Aleks Sulejmani, kishin shenja jetë dhe u transportuan menjëherë në spital. Ndërsa nuk ka pasur të njëjtin fat moshatari i tyre Bruno Serjani, i cili kishte marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, duke gjetur dhe vdekjen. Policia bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së madhe me të cilën po udhëtonte drejtuesi i mjetit, çka solli dhe daljen nga rruga. Ndërkohë, një fëmijë nga Rahoveci i Kosovës, që kishte ardhur për pushime në Shqipëri, ka mbetur i plagosur rëndë, pas një aksidenti që ndodhi pranë Rubikut. Ai është përplasur nga ana e 31-vjeçarit Kadri Nerguti, i cili do të procedohet penalisht. Fëmija është dërguar në Spitalin Ushtarak, ndërsa punonjësit e këtij spitali thonë se tashmë ai është jashtë rrezikut për jetën.