E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, qendër e re traumatologjie në QSU

 

Shumë shpejt vendi nuk do të ketë vetëm një qendër traumatologjike. Për të trajtuar rastet e aksidenteve, plagosjeve, apo edhe fatkeqësive natyrore, një pavijon i posaçëm do të hapet në qendrën spitalore “Nënë Tereza. Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo deklaroi dje se shumë shpejt spitalit të ri në  QSUT-se do t’i shtohet dhe një qendër e re traumatologjike. Sipas Godos, kjo qendër e re me 30 shtretër, është menduar të ngrihet, pasi numri i aksidentëve, është rritur se tepërmi dhe fluksi është bërë i papërballueshëm. Ndërkohë që qendra aktuale, traumatologjike, në Spitalin Ushtarak, do të vazhdojë të funksionojë. “Kemi një numër të madh aksidentesh që vijnë nga të dy linjat, qoftë nga rruga e Shkodrës, qoftë nga autostrada. Pra, të qenit e asaj qendrës aty është një komoditet që këta pacientë të mbërrijnë sa më shpejtë në vendin e duhur. Por, mendoj që meriton të kemi dhe një qendër të mirë traumatologjie, dhe kështu do të jetë, është në planet e ardhshme. Kam kënaqësinë t’u them që në spitalin e ri që po ngrihet në një kat, një pjesë e këtij kati është menduar për 30 shtetër të traumatologjise”, tha Anila Godo.
Këto deklarata Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo i bëri gjatë një konference për shtyp, për një vjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Godo ka sjellë dhe një herë para mediave, ndihmën që tregoi personeli mjekësor, ndihmën që dhanë shtetet fqinje si Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia, në kurimin e viktimave. Ajo nuk la pa përgëzuar edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka, i cili ishte në detyrë një vit më parë. “Shfletova dosjen që disponon Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë ngjarje dhe ndjej detyrim të shpreh më shumë respekt, mirënjohjen për tërë aparatin e ministrisë që kryesohej nga Nard Ndoka, për organizimin e menjëhershëm të gatishmërisë në koordinim me strukturat e tjera qeveritare”, tha Godo. Të njëjtën mirënjohje ajo e shprehu te drejtuesit, mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët dhe të tërë ata që shërbyen pa kursyer veten, për të shpëtuar njerëzit e për të lehtësuar dhimbjen e tyre. ”Shëndetësia u mbështet fuqimisht nga qytetarët. Kur shoqet e mia shkuan të dhuronin gjak, gjetën një radhë të gjatë e u thanë se gjak kishin mjaftueshëm e nuk duhej më tepër”, tha Godo. Një falënderim të veçantë, Ministrja Godo, u përcolli vendeve tona fqinjë, në veçanti bashkëatdhetarëve kosovarë e maqedonas. “Ndihma e vendeve fqinje ishte e çmuar. Gjak erdhi nga Kosova e Maqedonia. 26 persona u morën menjëherë për mjekim në Itali. Po ashtu Greqia e shumë vende të tjera”, nënvizoi ministrja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›