E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, datat për shpërndarjen e tapive në Tiranë dhe 11 qytete

 

Fabiola Çela

Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale do të vijojë këtë muaj në 12 qytete të vendit. Agjencia e Legalizimit ka përcaktuar grafikun e ndarjes së lejeve. Sot do të nisë dhënia e lejeve të legalizimit për qytetin e Vlorës.
Legalizimet
Vetëm pak ditë më parë në kryeqytet u dhanë lejet e legalizimit për 6200 pallate me shtesa. Sipërfaqja që u legalizua ishte 662.559 m2. Ndërkohë që vlera e kësaj sipërfaqe e kalon shumën 2 miliardë euro, e cila tashmë bëhet pjesë e tregut.
Sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia e Legalizimit, në Qarkun e Shkodrës janë deklaruar 18.000 objekte informale nga të cilat për 12688 janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhornimi i tyre. Për 8627 objekte është kryer e gjithë procedura ligjore, tashmë ato janë të dixhitalizuara. Për këto objekte lejet e legalizimit janë gati, po për marrjen e tyre qytetarët duhet të kenë shlyer detyrimet për objektin. Në qarkun Shkodër është miratuar shpërblimi sipas vendimit të qeverisë për 51 familje ish-pronarësh. Për 705 familje të tjera ka dalë vendimi i qeverisë për kalimin e pronësisë. Sipas të dhënave nga ALUIZNI, në qarkun e Elbasanit janë deklaruar 18.756 objekte informate, nga të cilat 8573 i përkasin vetëm qytetit të Elbasanit. Aktualisht janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhornimi për 7500 objekte, nga të cilat 6232 objekte janë me dokumentacion teknik të dixhitalizuar, pra është kryer e gjithë procedura ligjore.
Janë të gatshme për qytetarët 1050 “Leje Legalizimi”, të cilët mund t’i tërheqin, pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin sipas ligjit. Ndërsa për 550 objekte është përfunduar i gjithë procesi dhe mund të bëhet tërheqja e lejeve. Në qarkun Elbasan është miratuar kompensimi sipas vendimit të qeverisë për 53 familje ish-pronarësh dhe për  2735 familje të tjera ka dalë vendimi i qeverisë për kalimin e pronësisë.
Pagesa
Kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 4000 lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë, do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qeveria ka vendosur edhe kushte lehtësuese për qytetarët, ata që do të paguajnë menjëherë me para në dorë vlerën e legalizimit të objektit të tyre do të kenë 20 për qind ulje të vlerës totale.

10 per qind
ulje do të kenë qytetarët që do të paguajnë brenda 1 viti vlerën e legalizimit për shtëpinë e tyre, ndërsa ata që do ta paguajnë menjëherë vlerën do të kenë një zbritje 20% ulje

60 leje
legalizimi janë shpërndarë pak ditë më parë nga drejtues të ALUIZNI-t. Ndërkohë që duke nisur nga sot do të nisë shpërndarja e lejeve të legalizimit për të gjitha rrethet e vendit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›