Punët sezonale, Italia u hap derën 80 mijë emigrantëve
zirina llambro
Plot 80 mijë emigrantë do të mund të punësohen në Itali për këtë vit. Dekreti përkatës pritet të miratohet shumë shpejt nga Presidenti e Këshilli i Ministrave të shtetit fqinj. Në informacionin për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë, Ministria e Punës në vendin tonë publikon informacionin.
“Për këtë vit qeveria ka programuar 80 mijë hyrje për punëtorë stinorë nga shtete jo anëtare të BE-së. Dekret-Flukset 2009 është i gatshëm teknikisht, por ende nuk është botuar dhe kështu po vendos në vështirësi të gjithë bujqësinë”, sqarojnë ekspertët e emigracionit. Ata sqarojnë se edhe këtë vit punëdhënësit duhet të paraqesin kërkesa për punësim përmes internetit, vetë apo duke iu drejtuar shoqatave të kategorisë. “Sidoqoftë këtë mund ta bëjnë pas botimit të Dekret-Fluksit të posaçëm. Të mos harrojmë se më shumë se 50 % e fuqisë punëtore për bujqësinë vjen nga shtete jo anëtare të BE-së dhe sektorë të tërë varen nga punëtorët imigrantë, që nga vjelja e frutave dhe perimeve deri në blegtori”, pohojnë specialistët.
Ndëshkimet për klandestinët
Po kështu pak kohë Parlamenti Evropian i dha “dritën e gjelbër” një Direktive, që parashikon ndëshkime për punëdhënësit, që punësojnë shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së, pa leje qëndrimi, çka pjesërisht pasqyrohet edhe nga legjislacioni i disa shteteve anëtare. Hartimi dhe zbatimi i kësaj direktivë u nis nga fakti se në BE ndodhen më 4.5-8 milionë imigrantë të paligjshëm, që punojnë në ndërtim, bujqësi, hoteleri dhe sektorë të tjerë. Pra BE-ja ka përcaktuar se një prej faktorëve që nxit imigrimin e paligjshëm është mundësia e punësimit të paligjshëm dhe mos ndëshkimi i punëdhënësve, që shpesh e shfrytëzojnë këtë situatë juridike të imigrantëve për kushte pune çnjerëzore, paga qesharake. ”Gjobat do të jenë proporcionale me numrin e të punësuarve të parregullt; pagesave do t’u shtohen shpenzimet për riatdhesim, pagesa të prapambetura apo të pashlyera, taksa dhe kontribute të paderdhura, të cilat punëtori mund t’i tërheqë në vendin e origjinës”, thuhet në direktivë. Shteteve Anëtare do t’u kërkohet të vendosin ndëshkime më të vogla financiare për subjekte që kanë punësuar imigrantë klandestinë si personel shtëpiak, me kusht që kushtet e punësimit të mos jenë shfrytëzuese. Sipas Direktivës, një punëdhënës që gjykohet fajtor për punësimin e imigrantëve të paligjshëm do të detyrohet të rimbursojë çdo ndihmë shtetërore që ka marrë në vitin paraardhës, si dhe të paguajë një gjobë, sipas numrit të imigrantëve të paligjshëm të punësuar. Gjithashtu, ai duhet të paguajë një shumë të barabartë me shumën e taksave dhe detyrimeve të tjera, që do të kish shlyer, nëse punëtori i huaj do të kishte qenë punësuar ligjërisht dhe atje ku mund të zbatohet detyrohet të përballojë edhe shpenzimet e rikthimit të imigrantit. Në rastet më të rënda (përsëritës, punësimi i shumë klandestinëve, të të miturve apo viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore) parashikohet që shkelja ndërkombëtare e ndalimit për të punësuar klandestinë të konsiderohet si shkelje penale. Si rrjedhojë do të përvijohen ndëshkime penale.