E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet rrugore nuk reduktohen me pyetësorë

Nga Sadedin Çeliku

Siguria rrugore është një problem madhor. Rrugët e pasigurta, automjetet e pasigurta për shkak të mungesës së kontrollit teknik, mosrespektimi i rregullave të trafikut nga shoferë dhe këmbësorë, e bëjnë pasigurinë rrugore një nga vrasësit më të mëdhenj të shqiptarëve.

Instituti i Transportit po bën një sondazh rreth masave që duhen marrë për sigurinë rrugore dhe kjo më dha shkas për këtë artikull. Komponentët që përbëjnë sigurinë rrugore janë: leja e drejtimit (patenta) apo drejtuesi i automjetit, kontrolli teknik e periodik i automjetit,

pikat e zeza (kthesa të vështira) që vendi ynë i ka me shumicë, për shkak të terrenit të thyer të tij.

Shifrat zyrtare të bëra publike tregojnë siguria rrugore duhet analizuar me kujdes për shkak të numrit të madh të aksidenteve që sa vijnë e shtohen.

Shpeshherë, kur diskutojmë shkaqet e aksidenteve në rrugë, gabojmë në përcaktimin e faktorëve që ndikojnë drejtpërdrejt në këto aksidente. Dikush thotë se na mungon edukata e qarkullimit rrugor, ca të tjerë thonë se duhen bërë fushata sensibilizuese për sigurinë rrugore në median elektronike dhe vizive, disa thonë që drejtuesit e automjeteve të pajisen me patenta provizore për një deri në dy vitet e para, të tjerë mendojnë se zgjatja e kohës së praktikës do të ishte më e dobishme.

Gjatë vitit 2005 numri i aksidenteve me pasojë vdekjen ka qenë 747, 745 meshkuj dhe vetëm dy femra. Kjo shifër është tri katër herë më e madhe për shkak të neglizhencës në zbatimin e ligjit, formimit profesional, abuzivizmit në kryerjen e detyrave dhe reformave që nuk prodhojnë zhvillim. Mbi 95% e aksidenteve shkaktohen nga autovetura dhe mjete të tjera motorike. Autoveturat përdoren vetëm me patenta të klasit B dhe aktualisht në bazë të Kodit Rrugor që është hartuar duke marrë në konsideratë modelin italian dhe holandez, sipas të cilit kursi i praktikantit bëhet për 35 ditë. Unë mendoj se nuk ia vlen t’i jap përgjigje pyetësorit, sepse asnjë nga ato pyetje nuk duhet të marrë përgjigje. Instituti i Transportit dhe OJF-të nuk duhet të spekulojnë dhe të fitojnë projekte nga donatorë të huaj për të ndryshuar me sforcim rregullat e lojës. Defekti kryesor që na çon te ky diskutim janë praktikat korruptive. Në qoftë se autoshkollat e bëjnë kursin në përputhje me kërkesat, atëherë çdo kursant është në gjendje të marrë patentën, por për të bërë realitet këtë patentë, dalin “gogolë” dhe kërkojnë ryshfete. Në këto kushte, kursanti preferon të mos bëjë teori në mënyrë korrekte, sepse edhe i përgatitur atij përsëri do t’i duhet të paguajë. Pra, duhet forcuar kontrolli i mësimdhënies në autoshkolla. Ka mjaft autoshkolla të paligjshme që zhvillojnë aktivitetin e tyre në mjedise të papërshtatshme dhe pa infrastrukturë dhe logjistikën e nevojshme.

Kontrolli teknik tashmë po kthehet në sektor privat, duke ruajtur monopolin në shërbimet e këtij kontrolli. Ideatori i kësaj historie, zoti Basha, ka përgjegjësi, për shkak se do të cenohet rëndë siguria rrugore. “Volkswagen”-i dhe mjaft të tjerë plotësojnë 100% kushtet për ushtrimin e këtij aktiviteti, po nuk ka gjasa të ndodhë, për shkak të amendimit që i bënë Kodit Rrugor. Në këtë mënyrë në të gjithë Shqipërinë kontrollin teknik do ta ushtrojë vetëm një njeri duke marrë miliona dollarë të pamerituara. Ata që humbasin janë drejtuesit e automjeteve, shteti dhe siguria rrugore. Pra, kërkohet forcimi i masave për të bërë kontrollin teknik në përputhje me rregullat dhe jo për shkak të ryshfeteve të kalojnë dhe mjete pa frena ose mjetet e rënda që nuk paraqiten asnjëherë për të kryer këtë shërbim. Patjetër që kjo të çon në rritjen e aksidenteve.

Problemi që lidhet me pikat e zeza ka lidhje me faktorët e mësipërm dhe kulturën që kanë drejtuesit e autoveturave. Në këtë drejtim është punuar dhe po punohet për eliminimin dhe reduktimin e pikave të zeza, sepse të gjithë janë dëshmitarë se shumë rrugë nacionale janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen. Faktorët e tjerë që ndikojnë në mënyrë të tërthortë në numrin e aksidenteve janë alkooli, shpejtësia, trafiku i dendur, kundërvajtjet në përgjithësi.

Instituti i Transportit nuk duhet t’iu servirë njerëzve pyetësorë, as studime kot, sepse këto janë bërë një qind herë. Ai nuk duhet të dëgjojë OJF-të që nuk e kanë hallin tek aksidentet, por te paratë që kërkojnë të marrin në mënyrë të pandershme. E vetmja gjë që duhet të bëhet është forcimi i kontrollit nga ana e Inspektoratit Rrugor të Policisë së Rendit, inspektorët rrugorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Kontrollit Rrugor dhe policive bashkiake. Asnjëra nga këto nuk e bën detyrën në përputhje me ligjin, sepse ka mungesë të formimit profesional, konflikt interesi, ryshfete etj. Dihet që aksidentet në përgjithësi ndodhin në qendra ndërqytetase apo rrugë nacionale. Problem të madh paraqet segmenti Tiranë-Laç-Lezhë-Shkodër dhe Durrës-Rrogozhinë.

Në qoftë se policia do të zbatojë ligjin, të jeni të sigurt se nuk do të ndodhë asnjë aksident. Ato dylbitë e kontrollit të shpejtësisë i mbajnë kot, sepse edhe ata që ndalojnë për kundërvajtje, largohen lehtësisht po të japin pará. Është e dhimbshme që ikin jetë njerëzish për fajin tonë dhe nuk shqetësohet njeri, fajtorët vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë. Mendoj se duhen sensibilizuar ata që kanë të drejtën e kontrollit, të forcohen masat ndëshkimore. Gjithashtu, duhet theksuar se shpesh trafiku në zonat urbane krijon probleme serioze, madje edhe aksidente, për mungesë të sinjalistikave vertikale, horizontale dhe elektronike që edhe kur vendosen, ndryshojnë shpesh duke çoroditur drejtuesit e automjeteve.

*Autori ka qenë zëvendësministër Transporti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›