Heronjtë e Berishës në vitin e fundit të mandatit
Dje, në dy gazeta ditore më tërhoqi vëmendjen një njoftim i shkurtër pa shumë referenca zyrtare, sipas të cilit Rezart Taçi njoftonte se kishte bërë më në fund pagesën prej 128 milionë eurosh dhe ishte pronar i ARMO-s, tashmë me emrin ARMO. Njoftimi i dytë, që është dhe lajm i ditës, është se qeveria është vënë në mbrojtje të një biznesmeni të quajtur Dritan Çela, kontraktor për ndërtimin e fshatit turistik të Kakomesë, aq shumë të kundërshtuar që nga viti 2005.
Rasti i parë duket shumë flagrant. Deri më sot kryeministri, Sali Berisha, e ka fshehur faktin që ARMO-n ia ka shitur Rezart Taçit. Në dokumentin e paraqitur në tender, ky tip spekulanti ose, po t’i referohemi Berishës, “kontrabandisti më i madh i naftës”, nuk ka pas qenë blerësi i ARMO-s. Gazeta “TemA” këmbënguli që në fillim se konsorciumi me emër amerikan ishte fals dhe se pas tij fshihej ai që Berisha e quante kontrabandist nafte në kohë të socialistëve. Dje, ai doli hapur dhe pranoi se ishte blerësi i ARMO-s dhe se kishte bërë derdhjen e parave në llogarinë e shtetit. Nuk jam shumë i sigurt për këtë të fundit, por po e marr të mirëqenë. Ajo që është skandaloze në këtë rast, është gënjeshtra publike e kryeministrit dhe rehabilitimi prej tij i një prej emrave, të cilin dy javë para zgjedhjeve e ka akuzuar si trafikant të madh të naftës dhe prodhues i evazionit fiskal në Shqipëri duke shmangur akcizën. E vërteta është se, përmes lidhjeve që ai krijoi me familjen Berisha, duke punuar me vajzën e tij dhe më pas duke qenë “bamirës” përmes gruas së tij te fondacioni i zonjës Berisha, Rezart Taçi u “pastrua” nga kontrabandist dhe u bë biznesmen serioz. Ai arriti të gënjejë gjithë shqiptarët, duke thënë se ia shiti ARMO-n një kompanie amerikane, ndërsa në dy gazeta ditore dje, del qartë se blerës real i ARMO-s është Rezart Taçi. Sali Berisha tashmë duhet të tërheqë së paku vlerësimin negativ që ka bërë për këtë biznesmen dy javë para se të vinte në pushtet, që ne të mos dyshojmë se ky biznesmen e ka blerë shtrenjtë pastërtinë e tij te familja në pushtet.
Rasti i dytë është po aq emblematik. Në të njëjtin emision televiziv që ka folur për Rezart Taçin, Berisha ka përmendur që pronarë të fshatit Kakome janë banorët e kësaj zone, por fshati turistik që po ndërtohet është pronë e Fatos Nanos. Argumenti që kishte Berisha ishte se, vetëm nëse qëndron kryeministri pas firmës që ndërton fshatin, mund t’iu marrë tokën fshatarëve me arrogancë, pa i pyetur. Askush, sipas Berishës, nuk mund ta bënte këtë, nëse nuk do të ishte kryeministri. E besuam dhe ne, dhe shqiptarët këtë deklaratë. Në vitin 2008, Berisha po çon prapë fadromat të ndërtojë atë fshat turistik. Fshatarët sërish po i zënë rrugën. Mediat pranë Berishës tashmë po mbrojnë biznesmenin Dritan Çela dhe jo pronarët. Logjika më e thjeshtë që bazohet tek ajo ç’ka thënë Berisha, të çon në përfundimin se pas ndërtuesve të fshatit turistik tashmë qëndron Berisha, pasi vetëm një kryeministër mund të guxojë t’iu marrë tokën të tjerëve. Nëse nuk është kështu, atëherë Berisha duhet të dalë publikisht dhe të tërheqë atë vlerësim që ka bërë për pronësinë e Fatos Nanos në këtë fshat. Ndryshe, të gjithë kemi të drejtë të besojmë se përmes mekanizmave që vuri nën kontroll për ndërtimet në bregdetin shqiptar në Jug, ai ose familja e tij qëndron pas ndërtimit të fshatit turistik të Kakomesë. Për t’u bindur për këtë mjafton të ndjekim logjikën e deklaratës së tij në qershor të vitit 2005, dhe mënyrën se si argumentonte pjesën e Fatos Nanos në këtë projekt.
Unë nuk dua t’i hyj deri në çfarë mase dokumentet e pronarëve të Kakomesë janë të sakta nga fshatarët dhe nga hipotekat. Për të verifikuar se diçka nuk është e rregullt në këtë histori mjaftojnë dy qëndrimet e ndryshme të Berishës më 2005 dhe 2008. Ai duhet të saktësojë publikisht se çfarë qëndrimi ka sot.
Thyerja e Berishës para korrupsionit dhe fakti që në vitin e fundit të mandatit të tij, heronjtë e tij moralë janë personazhet e mega-korrupsionit të vitit 2005, tregon se betejën mes Berishës dhe mafies e fitoi mafia dhe sot Sali Berisha është një ushtar i bindur i tyre ose “kapter”, siç ka qejf të thotë.