Flamuri, në telashe të reja për Kakomenë
Antena brenda familjes
Një telash për Flamurin u bë sërish Kakomeja. Ky dreq emri qesharak ka 5 vjet që nuk i ikën nga mendja. Dhe vetë e ka kërkuar këtë sherr. Që nga zgjedhjet e 2003, kur ishin në opozitë, Flamuri mësoi për herë të parë për Fatos Nanon dhe një fshat turistik në Kakome. Në zgjedhjet e vitit 2005, ai burri doli në televizion te një emision televiziv në “Vizion Plus” dhe tha: “Askush tjetër, vetëm kryeministri i vendit nuk do të guxonte t’iu merrte tokat pronarëve dhe t’ua jepte për ndërtim një kompanie turizmi. Vetëm kur kryeministri është vetë në pjesë, ai mund të marrë guximin t’iu prekë pronën të tjerëve”.
Deklarata e fortë e Berishës është bërë në qershor të vitit 2005, dy javë para zgjedhjeve. Në të njëjtin emision ku ka akuzuar Rezart Taçin si kontrabandisti më i madh i naftës në vend.
Prej atëherë, Flamuri, që e mori seriozisht këtë deklaratë, është bërë mik me banorët e Kakomesë. I pret e i përcjell rregullisht. Nuk dyshon fare që ai burri e ka pasur apo jo seriozisht në atë kohë.
Por tani kohërat kanë ndryshuar dhe Flamuri është në telashe.
Dje e telefonoi Dritan Çela. Është kontraktori i fshatit që do të ndërtohet në Kakome. E pyeti për shëndetin dhe e lanë të takohen.
- Jam shumë i zënë me rrugën Durrës- Kukës, - tha, - dhe më duhet të ma zgjidhësh shpejt këtë punën e Kakomesë.
- ǒpunë ke ti në rrugën Durrës- Kukës? - i tha Flamuri.
- Po ja, takova atë kunatin e Lul Bashës atëherë që po bëhej rruga dhe më dhanë dhe mua një copë si nënkontraktor. Nuk kisha makina fare dhe u zura ngushtë me ata të “Bechtel”-it. Pastaj ata u nxehën, po s’kishin ç’t’i bënin ministrit. Mik të fortë ke, më
thanë. Se na u lutën gjithë kompanitë serioze të Shqipërisë dhe nuk pranuam njeri. Ti na mbete në dorë. Dhe u mbeta vërtet. Panë, ç’panë, më dhanë makineri të tyre dhe unë thjesht bëj punën e brigadierit. Por pagesa është shumë e lartë, disa herë më e lartë se sa të kisha marrë punën vetë.
- Si nuk e kam ditur këtë, - tha Flamuri. - Unë kam pasur idenë se ti ke qenë njeri i Fatos Nanos, ti qenke yni. Më fal se nuk e dija, - tha. - Si na e paska mbajt sekret ky Lul Basha që qenke joni, se nuk e dija.
- I juaji jam, - tha. - Luli është treguar korrekt me mua, po dhe unë i kam qëndruar si duhet. Ma rregulloi dhe tek ai burri. Më lidhi me njerëzit e duhur dhe vendosëm ta bëjmë fshatin në Kakome. Ishte që ishte studimi për njollat. S’ka kuptim ta zërë dikush tjetër njollën. Dhe ai burri në fakt na dha të drejtë. Na vuri në dispozicion çdo gjë. Prefekturën, qarkun, lejet, të gjitha. Po na kanë dalë ata fshatarët dhe na prishin punë. Mua më thanë që po t’iu bësh ti një telefon, ikin nga rruga.
- Jo mixhë, s’kam si t’i them, se u kam thënë një herë që ai biznesmeni është njeri i Fatos Nanos. S’kam si iu them tani që është i Sali Berishës.
- Po thuaji që është i Lul Bashës, se nuk prish punë, Lul Basha nuk ka fol keq për mua në opozitë. Më ka mbështetur.
- Po kush çan kokë për Lul Bashën në Kakome mor burrë. As e njohin fare. Ata duan ose urdhër nga Berisha, ose nga unë. Po unë s’e bëj dot, se iu kam thënë që ata që po ndërtojnë janë të Nanos. Tani si t’i them që janë të Berishës...
- Po sikur të thotë vetë Berisha që është imi?
- Ai burri po, ai mund ta thotë, se të atij janë të gjithë, Nano, Rama gjithë kundërshtarët e tij. Për atë besohet çdo gjë që thuhet. Mua mos më vër në pozitë të vështirë.