E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtitë e planit të Ban Ki Moon

Nga Celo Hoxha

Në përgjigje të planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë, presidenti Fatmir Sejdiu ofroi planin katër pikësh. Pas këtij “plani” dukej qartë nervozizmi i Prishtinës dhe paniku i saj. “Plani” ishte thjesht një deklaratë politike, e formuluar me ngut, që tregonte se ku mbështetej plani real kosovar: Kushtetuta.

Nëse kosovarët thonë që ne po japim planin tonë, ata tregojnë se realisht Kosova ka nevojë për një plan dhe i japin të drejtë, pa dashje, faktit që Ban Ki Moon ka hartuar planin gjashtëpikësh.

Në muajin korrik, Ban Ki Moon pranon në raportin për Këshillin e Sigurimit që në Kosovë kemi një “realitet të ri” dhe pranon gjithashtu që UMNIK nuk mund të veprojë më, sepse nuk e parashikon Kushtetuta e Kosovës, e cila hyri në fuqi më 15 qershor.

I lexuar me kujdes, raporti pranon pavarësinë e Kosovës dhe kjo pavarësi do të thotë që këtej e tutje Kosova dhe Serbia janë thjesht shtete fqinjë.

Mirëpo në një konferencë për shtyp, më 1 nëntor, Ban Ki Moon, duke iu përgjigjur një pyetjeje për planin gjashtëpikësh, shprehet se është “zhgënjyer që propozimi im dhe negociatat me qeverinë e Serbisë për gjashtë pikat, ndërsa u pranua nga qeveria serbe, u prit me një farë rezerve dhe kundërshtimi nga qeveria e Prishtinës.”

Logjikisht, zhgënjyes do të ishte fakti, nëse Prishtina nuk do kundërshtonte. Plani i Ban Ki Moon për Kosovën është njëlloj sikur ai t’u paraqiste Shteteve të Bashkuara një plan gjashtëpikësh për të zgjidhur krizën financiare dhe Meksika të ishte dakord me këtë plan.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, edhe pse pranon që në Kosovë ka një realitet të ri, edhe pse e pranon që në Prishtinë ka një qeveri vendase, ai prapë bën propozime për këtë vend (Kosovën) dhe konsultohet paraprakisht me qeverinë fqinje (serbe).

Të mos jesh shtet anëtar i OKB, do të thotë të mos jesh anëtar i OKB, jo se nuk ekziston. Edhe Shqipëria nuk ka qenë për një kohë anëtare e Lidhjes së Kombeve (më vonë OKB), as Gjermania (madje, diku nga vitet ’20, ambasadori shqiptar ishte i vetmi që mbronte anëtarësimin e Gjermanisë, sipas kujtimeve të tij), e shumë shtete të tjera, të cilat, kur u anëtarësuan më vonë, nuk dolën nga hiçi. Ato ekzistonin si jo-anëtare të OKB.

Përderisa OKB pranoi ta largojë misionin UMNIK nga Kosova për shkak të mosparashikimit të rolit të tij në Kushtetutë, kjo do të thotë se çdo mision tjetër që mund të shkojë në Kosovë, duhet të jetë brenda Kushtetutës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›