Spektakli i Unionit, ndryshe ëndrra e patriotëve pas 100 vjetësh
Çfarë nuk ka ndodhur në këto 100 vjet përkëtej dhe matanë kufirit ku ka shqiptarë dhe tokë shqiptare. Kufij janë vënë, kufijtë prapë kanë rënë, dhe ja ku jemi prapë bashkë, “një komb një histori”. Shtysë për të menduar kështu bëhet logoja e spektakleve të mirënjohura me dimensione mbarëkombëtare të Unionit Artistik Shqiptar. Unioni nga mënyra si i organizon manifestet e tij të detyron të mendosh se festimi me madhështi i datave dhe ngjarjeve historike të një kombi që ka një histori, është detyrim atdhetar, për të gjithë brezat, për çdo popull, për intelektualët, artistët e deri tek gjeneratat më të reja në të gjitha kohërat. Sa shumë ngjarje po na kujtojnë këtë vit, 2008-ën, se si do që na ra fati, apo se deshën të na mposhtin e ndanin armiqtë tanë, ne prapë mbetemi, një komb, një histori, një kulturë.
2008-ta shënon edhe 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Dihet rëndësia e tij mbarëkombëtare, por a do të mjaftonte ta përkujtonim atë dhe t’i ngremë memorialin vetëm nëpër sallat e ftohta të simpoziumeve, a do të kishte kuptim të harrohej një nga patriotët e mëdhenj Hasan Prishtina, madje shumë është është vonuar për ta kujtuar atë. Hasan Prishtina nuk ka qenë vetëm një rilindës i shkëlqyer, ai ka qenë gjithashtu një zyrtar i rëndësishëm politik në atë shtet të vogël që u krijua pas viteve 1912-1920. Ëndrra e tij e përhershme, ajo dëshirë për të cilën u vra ka qenë një Shqipëri e fortë dhe një Kosovë e pavarur. A do të kishte kuptim ta harronim kaq shpejt vitin e parë të brishtë të Pavarësisë së Kosovës. Si do të festohet në mënyrën më popullore futja e Shqipërisë në NATO, po Marrëveshja e Ohrit, sidomos për ushtrimin e gjuhës shqipe dhe mbajtjen e flamurit kuq e zi. Si do të festohej rezoluta e Parlamentit Europian në mbështteje të Çamërisë, po pesëvjetori i Lumturimit të Nënë Terezës. Një përgjigje të tillë më mirë na e jep presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, z. Azgan Haklaj. Dhe ai, e ka një të drejtë për këtë..!
Gjithë këto manifeste, gjithë këto arritje që e bashkojnë edhe një herë “gjakun e shprishur të Arbërit”, që e forcojnë edhe më tej identitetin e kërkuar sot, shpeshherë nuk janë futur në njësinë e një uniteti të madh kombëtar, manifestet kanë qenë sporadike ose të formalizuara në mënyra burokratike. Ndryshe, krejt ndryshe, me udhëtimet dhe turet spektakolare të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar (të cilat nisin me festivalet e njohura foklorike, me takimet e traditave, me kuvendet popullore me motive patriotike), të gjitha këto ngjarje, këta memorialë të trashëgimisë dhe mbijetesës së kombit do të bëhen mjaft popullore. Për këtë e ftojmë në një intervistë për gazetën “TemA” zotin Azgan Haklaj dhe ai na rrëfen të gjitha motivet që e kanë udhëhequr se si me unionin e tij artistik për këto ngjarje dhe evenimente të rëndëshme të kombit bënë përpjekje që t’i festoj me tërë madhështinë që u takojnë. “Festimi me madhështi i datave dhe ngjarjeve historike të një kombi që ka një histori është një detyrim atdhetar, për të gjithë brezat, për çdo popull, për intelektualët, artistët, deri te gjeneratat më të reja në të gjitha kohërat”, pohon Azgan Haklaj.
Harta e artistëve
Kjo madhështi duket se ka të bëjë edhe me hapësirën gjeografike, ansamblet artistike nga Shkupi, Gjilani, Myzeqeja, Çamëria, Labëria, Malësia e Madhe, dhe pothuajse të gjithë këngëtarët e njohur të mbarë trojeve shqiptare si Anjeza Shahini, Eli Fara, Leonora Jakupi, Olta Boka, Famira Breçani, Ledina Çelo, Lindon Camaj, Ilir Shaqiri, etj,etj, pothuaj 25 këngëtarë nga më të shquarit nga të gjitha trevat shqiptare, do të bëjnë turin e një koncerti madhështor, në Dibër të Madhe më 27 Nëntor dhe në Strugë më 28 Nëntor. Këto dy ditë spektakolare do të kenë prezatues të spektaklit Shotën nga Prishtina me një vajzë Çame dhe prezantuesen e mirënjohur Silvana Braçe e cila shfaqet pas kaq vitesh mungesë në skenë së bashku me Llesh Nikollën. “Pishtarin e paqes që Unioni ndezi në sheshin “Skënderbej” të Tiranës në spektaklin e madh “Një komb një qëndrim” para qindra, mijëra shqiptarëve ka vazhduar në tërë trevat e kombit shqiptar, nga Çamëria në Tropojë, ku organizohen dy festivalet më të mëdha të shqiptarëve”, thotë presidenti i Unionit Artistik. Dhe shton se ky bashkim, kjo lidhje mes vëllezërve të një gjaku përfqësohet e dyfishuar duke përfshirë artistët më të shquar nga Përmeti, Pogradeci, Vlora, Fieri, Mallakastra, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Librazhdi, Plava e Gucia, Ulqini, Struga, Kaçaniku, Prishtina, Drenica e të tjerë, ku sipas tij, kjo yllësi artistësh u ka çuar zemrat peshë të gjithë shqiptarëve “duke shpalosur në mënyrën më magjike vlerat më brilante të artit shqiptar, duke dëshmuar edhe njëherë se jemi “një komb dhe kemi një kulturë”. Mbas kësaj maratone kaq të sukseshme ne vijmë në shehin Skënderbej të Shkupit më spektaklin tinguj dhe ritme shqiptare”, thotë Haklaj.
2008-a zë një vend të veçantë në kalendarin historik të të gjithë shqiptarëve
Spektakli këtë këtë herë është parë si domosdoshmëri sepse Haklaj pohon se “Viti 2008 zë një vend të veçantë në kalendarin historik të të gjithë shqiptarëve, në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovë, Mali i Zi dhe më gjerë. Ky është viti i 100 vjetorit të Kongresit historik të Manastirit dhe i 75 vjetorit të vdekjes së nacionalistit Hasan Prishtina, si dhe shpalljes së Pavarësisë, së Kosovës dhe futja e Shqipërisë në NATO, që të gjitha këto ngjarje dhe shumë prej tyre që theksuam më lart kanë një rol të madh në historinë kombëtare”. Haklaj në intervistën për “TemA”, më tej shton se: “Në Agimin e shekullit të 20-të kur revolucioni xhonturk fitoi në Stamboll, i pari komb i Perandorisë Otomane që vendoi të kryente veprimin e zëvendësimit të gërmave të alfabetit nga Arabe në ato Latine, ishte kombi shqiptar me bijtë e vet që mblodhi në Manastir. Ky ishte një revolucion më vete, që i priu Ataturkut në Turqi”. Kujtesa historike vijon se me këtë ne i tregonin botës në Amerikë, Europë e kudo se donim të hynim me dinjitet në radhën e shteteve të përparuara. Të gjithë këtë aksion politik e kreu më së miri Kongresi i Manastirit. Presedenti i Unionit Artistik Kombëtar, Azgan Haklaj kujton se “gjatë mëse një jave midis datave 14-22 Nëntor të vitit 1908 elita politike kulturore e Rilindjes Kombëtare të popullit shqiptar me një erudicion gjuhësor që kish marrë në universitetet e larta, shqyrtoj me një ndjenjë pëgjegjësie të pashembullt në Ballkan të gjitha avantazhet dhe përparësitë e alfabetit me gërma Latine duke i dhuruar të ardhmes së kombit të saj një perspektiv të mirë”.
Hasan Prishtina: “E duam Shqipërinë me të katër vilajetet”
I pyetur për motivin se pse përkujtohet njëkohësisht edhe 75 vjetori i vdekjes së Hasan Prishtinës, Haklaj përgjigjet se “Kongresi i Manastirit hyn në radhën e atyre ngjarjeve të cilat në marshimin e vështirë të shqiptarëve në shtigjet e lirisë sonë mban një peidestal. Hasan Prishtina është aktual edhe sot, do të jetë dhe nesër sepse në muzgun më të errët të bashkëatdhetarëve të tij ai solli në dritë dhe vikati: “E duam Shqipërinë me të katër vilajetet”. Prandaj edhe ne në aktivitet tona themi: “Një komb, një kulturë një histori”. Presidenti i Uniionit Artistik Kombëtar, Azgan Haklaj nuk mund t’i shmanget referencës historike, që është edhe motivi i spektaklit të madh “Tinguj dhe Ritme Shqiptare”. Duket se për të spektakli i Unionit, i thënë ndryshe është ëndrra e patriotëve pas 100 vjetësh. “Sot pas 100 vjetësh, ëndrra shekullore e patriotëve Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshi, Ded Gjon Luli, etj u bë realitet. Shqipëria është në NATO, Kosova është e pavarur, shqiptarët në Maqedoni po shndërrohen në faktor kryesor, etj, ndaj ne jemi sot gati për një spektakël madhështor në Ditën e Flamurit në kryeqytetin e Dardanëve për të festuar e për të dëshmuar së bashku se jemi një komb, kemi një kulturë, një gjak, një gjuhë, një atdhe, një histori”, pohon presidenti i Unionit Artistik Kombëtar dhe ideator i këtij koncerti që do të jepet në datat 27 dhe 28 nëntor në Dibër të Madhe dhe në Strugë. Spektakli “Tinguj dhe Ritme Shqiptare” do të shkrijë edhe njëherë kufijtë e asaj pjese të konsiderueshme të trojeve shqiptare që nga njëra anë Traktati i Shën Stefanit, Berlinit e Londrës dhe nga ana tjetër Marrëveshja e Altës pas ardhjes së Komunizmit në Shqipëri i la përfundimisht shqiptarët nën thundrën e diktaturës lindore. E megjithatë, skena e këtij spektakli do të tregoj se ne prapë se prapë jemi një komb, një gjak, një gjuhë, një atdhe, një histori, siç pohon më sipër edhe ideatori i spektaklit të madh “Tinguj dhe Ritme Shqiptare”, z. Azgan Haklaj.