E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha, akuza: Arrest ish-agjentit për dëshminë

 

Armand Bajrami

Momente tensioni në procesin gjyqësor në ngarkim të 4 ish-drejtuesve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë zhdukjen e të fundit në vitin 1995. Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje arrestimin në sallën e gjyqit të dëshmitarit Shpend Dibra, për akuzën e deklarimeve të rreme përpara gjykatës. Kërkesa që nuk u pranua në atë moment nga gjykata erdhi pas pretendimeve të prokurorit të çështjes, se dëshmitari po deklaronte rrethana të pavërteta në lidhje me rrëmbimin e Ziso Kristopulit. Sipas organit të akuzës, zotërohen prova dhe fakte që dëshmitari Dibra të jetë një nga katër personat e SHIK-ut që kanë shoqëruar Kristopulin nga Saranda në Tiranë. Burime pranë Prokurorisë bënë të ditur përgatitjen e fletë-arrestit për dëshmitarin, urdhër i cili do të ekzekutohet në ditët në vijim. Dëshmitari Dibra, ish-inspektor në Shërbimin Sekret, po pyetej nga pala e akuzës nëse kishte marrë pjesë apo jo në shoqërimin e Kristopulit nga Ksamili i Sarandës në Tiranë e më pas drejt Vainit të Lezhës. Dibra, një nga tre ish-sekretët që dëshmuan dje në proces, pranoi të kishte qenë në Sarandë me Avni Koldashin, një nga të pandehurit e dosjes, por jo për arsye të shërbimit të fshehtë. "Kam qenë në Sarandë me Avni Koldashin, por kemi shkuar për të darkuar dhe jo për çështje të punës", tha ai para gjykatës. Duke u shprehur herë pas here se kishte kujtesë të dobët dhe nuk mbante mend mirë, dëshmitari mohoi kategorikisht të njihte Kristopulin. Gjithashtu ai tha se nuk kishte shoqëruar ndonjë person nga Saranda, ndërsa nga prokurori i përsëritej herë pas here se po dëshmonte nën betim. "Ziso Kristopulin e kam njohur vetëm nëpërmjet medias dhe nuk e kam shoqëruar atë nga Saranda në kryeqytet", u shpreh dëshmitari. Në përfundim të pyetjeve ndaj dëshmitarit, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës pak minuta kohë për të kontaktuar me organet kompetente për të mundësuar arrestimin e dëshmitarit për akuzën e "dëshmisë së rreme". Gjykata pohoi se nuk ishte kompetencë e saj dhe lejoi dëshmitarin të linte sallën e gjyqit. Në seancën e djeshme dëshmuan edhe ish-shikasit Muhamet Nela dhe Astrit Marku, të cilët mohuan të njihnin Avdyl Loshajn.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›