E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, “tërbojnë” Policinë Rrugore

29/07/2009  Lumë gjobash dhe penalizimesh. Bllokohen shumë patenta dhe motorë të ndryshëm

Që sot do të bllokohen të gjithë motorët pa dokumente dhe pa leje nga ministria

TIRANE- Aksidentet që kanë ndodhur kohët e fundit në autostradën Tiranë-Durrës si dhe grabitjet e shumta që janë regjistruar në kryeqytet nga personat me motoçikleta të patarguara, kanë “tërbuar” drejtuesit e Policisë Rrugore, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë marrë një sërë masash të rrepta për parandalimin e aksidenteve dhe kthimin e rendit publik në rrugët e Tiranës. Në kuadër të kësaj nisme shërbimet e Policisë Rrugore që patrullojnë në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, kanë vendosur gjithsej 136 masa administrative drejtuesve të mjeteve. Në shumicën e rasteve kryesisht këto masa kanë qenë në drejtim të ecjes tej normave të lejuara të shpejtësisë si dhe për mosvendosje të rripit të sigurimit, apo drejtimit të automjetit duke folur në celular. Mësohet se po gjatë ditës së djeshme janë tërhequr 7 leje drejtimi (Patenta) të drejtuesve të mjeteve, ku nga konstatimi i bërë me radar të shërbimeve të Policisë Rrugore, lëvizja e automjeteve të tyre në autostradë ka qenë me shpejtësi, mbi 120 kilometër në orë. Ndërkohë, gjatë kësaj jave, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në total rreth 14 000 masa administrative, për ecje tej normave të lejuara, për parakalim të gabuar, për mos përdorim të kaskës mbrojtëse, për mosvendosje të rripit të sigurimit, për mos përdorim të dritave, për përdorim të celularit gjatë dhënies së mjetit, për mos respektim të sinjalistikës rrugore e të tjera shkelje. Policia e Tiranës pranon se gjatë kësaj jave në kryeqytet janë shënuar shumë aksidente, me pasojë plagosjen dhe vdekjen e qytetarëve. Shkaku kryesor për ndodhjen e aksidenteve në shumicën e rasteve janë bërë motoçikletat që qarkullojnë në akset rrugore të kryeqytetit. Mirëpo përveç këtij problemi, uniformat blu gjatë kësaj jave kanë konstatuar se shumë vepra penale të ndodhura në Tiranë, (kryesisht në grabitjet e pasurisë së qytetarëve) në shumicën e rasteve kanë si autor drejtuesit e këtyre mjeteve, që janë të patarguara dhe të paidentifikuara. Në këtë kuadër Drejtoria e Policisë qarkut Tiranë ka organizuar disa shërbime policore në drejtim të bllokimit të mjeteve, kryesisht të tipeve çiklomotorë dhe motoçikleta, të cilët qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse. Burimet thanë se në qoftë se drejtuesit e këtyre mjeteve nuk do të jenë të pajisur me aktin e blerjes së noterizuar, deklaratën e përputhjes për tipin e miratuar të mjetit, aktin e zhdoganimit nga autoriteti shqiptar, mjeti i tyre do të bllokohet menjëherë. Policia tha se kushdo që ka ndërmend të qarkullojë me çiklomotor duhet paraprakisht, të pajiset me shenjën përkatëse, duke bërë fillimisht kërkesën drejtuar organeve përkatëse të Ministrisë së Transporteve, si dhe më pas të qarkullojë me kaskë mbrojtëse. Policia e Tiranës sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor. Shkak i marjes së këtyre masave janë bërë aksidentet e fundit, ku humbën jetën 8 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

Vetëm ditën e djeshme në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, policia ka vendosur gjithsej 136 masa administrative drejtuesve të mjeteve. Në shumicën e rasteve kryesisht këto masa kanë qenë në drejtim të ecjes tej normave të lejuara të shpejtësisë si dhe për mosvendosje të rripit të sigurimit. Ndërkohë gjatë javës, në total janë vendosur 14 mijë masa.

Shkaku kryesor për ndodhjen e aksidenteve në shumicën e rasteve janë bërë motoçikletat që qarkullojnë në akset rrugore të kryeqytetit. Mirëpo përveç këtij problemi, uniformat blu gjatë kësaj jave kanë konstatuar se shumë vepra penale të ndodhura në Tiranë, në shumicën e rasteve kanë si autor drejtuesit e këtyre mjeteve, që janë të patarguara dhe të paidentifikuara.

Policia tha se kushdo që ka ndërmend të qarkullojë me çiklomotor duhet paraprakisht të pajiset me shenjën përkatëse, duke bërë fillimisht kërkesën drejtuar organeve përkatëse të Ministrisë së Transporteve, si dhe më pas të qarkullojë me kaskë mbrojtëse. Veç të tjerash drejtuesit duhet të jenë të pajisur me dokumentet përkatëse të mjetit.

Studimi është bërë nga Instituti i Shëndetit Publik

Çdo ditë, 1 i vrarë dhe 2 të plagosur

40 % e aksidenteve shkaktohen nga pakujdesia e kalimtarëve

TIRANE- Aksidentet janë në top-listën e tragjedive jetësore, ku si pasojë e këtij fenomeni në çdo ditë të vitit në Shqipëri vdes një person dhe plagosen dy të tjerë. Kjo shifër alarmante që na rendit në krye të vendeve të të gjithë rajonit, jepet nga një studim i të Institutit të Shëndetit Publik. Sipas ekspertëve të këtij instituti, rreth 40% e aksidenteve rrugore shkaktohen nga pakujdesia e kalimtarëve. Mungesa e rripit të sigurimit si pasagjerë apo drejtues automjetesh është një tjetër neglizhencë fatale, e cila ka pasoja gjatë aksidentit. Në studim, i cili kishte të bënte me vlerësimin e njohurive, qëndrimeve dhe praktikave për sigurinë rrugore, janë përfshirë rreth 300 studentë të Fakultetit të Mjekësisë. Studimi dëshmoi për një nivel të lartë të sjelljeve të rrezikshme të studentëve lidhur me sigurinë rrugore, pavarësisht njohurive mbi to. Të dhënat, sipas specialistëve, janë alarmante sidomos për studentët meshkuj, të cilët në rrugë paraqesin praktika shumë të rrezikshme, që i ekspozojnë ata ndaj aksidenteve automobilistike. Kështu, 67% e studentëve raportuan se ishin të mirinformuar për rregullat e qarkullimit rrugor, qoftë si këmbësorë, pasagjerë, apo drejtues automjetesh (përfshi motoçikletat dhe biçikletat).

Femrat dhe Meshkujt

Studimi tregoi se meshkujt përdorin rripin e sigurimit më pak në krahasim me femrat, por dhe e respektonin semaforin në udhëkryqe më pak në raport me femrat. Ndërkohë, studimi tregoi se nuk ka ndonjë ndryshim statistikor, lidhur me prejardhjen fshat apo qytet.

Mësimi në shkollë

Në bazë të këtij studimi specialistët e Shëndetit Publik rekomandojnë që elementët e sigurisë duhet të integrohen në disiplina të ndryshme të shkollave të mesme, por dhe në ato të larta në vendin tonë. Deri tani nuk është konfirmuar një gjë e tilla nga Ministria e Arsimit

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›