E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmoi Qefalinë, arrestohet Isa Lusha

29/07/2009  Përgjohet familjarët

TIRANE- Policia e kryeqytetit ka arrestuar dje shtetasin 28-vjeçar Isa Lusha, pasi mendohet se ai ka ndihmuar të shumë kërkuarin Bashkim Qefalia, për t’u larguar nga vendi i krimit. 28-vjeçari nga Paskuqani është prangosur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku pas një sërë informacionesh të mbledhura në rrugë operative është konstatuar se Isa Lusha, shok i 40-vjeçarit Qefalia, ka arritur ta largojë nga vendngjarja dhe më pas ta strehojë për disa orë atë në banesën e tij. Mësohet se Lusha është shoqëruar në ambientet Drejtorisë së Policisë Tiranë, oficerët e të cilës më pas e kanë marrë në pyetje, lidhur me drejtimin e largimit apo vendin e strehimit të shtetasit Bashkim Qefalia, i cili të dielën e shkuar ekzekutoi me armë zjarri shtetasin Artan Allushi, si dhe plagosi xhaxhain e viktimës, Kujtim Allushin dhe kushëririn Nertil Allushi. Mësohet se për lokalizimin e Qefalisë, prokurorët e Tiranës i kanë kërkuar gjykatës vënien në përgjim të anëtarëve të familjes së tij, si dhe të disa shokëve dhe miqve të autorit. Me përgjimin e telefonatave të tyre, grupi hetimor shpreson që në ditët në vazhdim të gjejë vendin se ku fshihet 40 vjaçari Qefalia. Ndërkohë që tashmë policia po kryen veprime hetimore edhe për identifikimin e personit që ka qëlluar me mjete të forta autorin e krimit, pasi është provuar se gjatë sherit ai është plagosur në kokë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›