E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet tragjike, policia po "zhdëp" shoferët me gjoba

Aksidentet duket se kanë "nevrikosur" policinë rrugore deri aty ku nuk mban më. Në një fushatë të paprecedentë, ata po "zhdëpin" në gjoba gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit. Mbase deri kohët e fundit për shkeljet e vogla mund të jenë bërë lëshime, por duke parë shtimin e numrit të aksidenteve, policia është bindur se nuk duhet të lejojë asnjë kundërvajtje rrugore. Vetëm gjatë një jave, policia rrugore e kryeqytetit ka marrë mbi 14 mijë masa, që nga ato administrative e deri tek ato penale. Sipas një deklarate për shtyp nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, përgjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme, kanë vazhduar punën me synim normalizimin e trafikut, konstatimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve administrative, që bëhen shkak për ndodhjen e aksidenteve rrugore, me qëllim parandalimin dhe uljen e tyre.

Autostrada
Shërbimet e Policisë Rrugore, në segmentin rrugor të superstradës Tiranë-Durrës, kanë vendosur gjithsej 136 masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve, kryesisht masa në drejtim të ecjes tej normave të lejuara të shpejtësisë, si dhe për mos vendosje të rripit të sigurimit. Po ashtu janë marrë shtatë leje drejtimi të drejtuesve të mjeteve, ku nga konstatimi i bërë me radar prej shërbimeve të policisë rrugore, shpejtësia e tyre ka qenë mbi 120 kilometër në orë. Ndërkohë, gjatë kësaj jave, nga shërbimet e policisë rrugore janë vendosur rreth 14 mijë masa administrative për ecje tej normave të lejuara, për parakalim të gabuar, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në rastet e motorëve, për mosvendosje të rripit të sigurimit, për mospërdorim të dritave, për përdorim të celularit gjatë dhënies së mjetit dhe për mosrespektim të sinjalistikës rrugore.
Siç është konstatuar, ka një numër të madh aksidentesh rrugore, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë pasur si autorë drejtues motorësh. Por për përdorimin e motorëve policia evidenton se ka edhe shumë ngjarje kriminale të ndodhura, kryesisht në grabitjet e pasurisë së qytetarëve, që kanë si autorë drejtuesit e këtyre mjeteve, që janë të patarguara dhe të paidentifikuara. Në këtë kuadër, Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë ka organizuar disa shërbime policore në drejtim të bllokimit të mjeteve, kryesisht të motorëve të vegjël dhe motoçikletave, drejtuesit e të cilave qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse. Policia rrugore ka rikujtuar për herë të fundit se bazuar në Kodin Rrugor dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore, që normojnë punën e shërbimeve të Policisë Rrugore, drejtuesit e mjeteve duhet të kenë gjithë dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe drejtim.

Motorët, problematikë
Policia sqaron se organet e Regjistrimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, nuk mund të lëshojnë leje qarkullimi, apo të japin targa regjistrimi, veç sipas përcaktimeve të dispozitave të parashikuara në Kodin Rrugor dhe Rregullores së Zbatimit të Kodit Rrugor Nr.369. Kështu, policia thotë se për të gjitha llojet e mjeteve, përfshirë edhe motorët, duhet të posedojnë disa dokumente. Më tej, uniformat blu shpjegojnë se motorët duhet të jenë të pajisur me aktin e blerjes të noterizuar; deklaratën e përputhjes për tipin e miratuar të mjetit, lëshuar nga prodhuesi i vendit të origjinës ose nga agjencia e shitjes, pavarësisht nga vendi i prodhimit dhe aktin e zhdoganimit nga autoriteti shqiptar.
Për mjetet e përdorura, poseduesit duhet të kenë aktin e blerjes; certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit; dokumentin e çregjistrimit të mjetit nga organi përkatës i vendit nga vjen mjeti dhe aktin e zhdoganimit nga autoriteti shqiptar. Policia urdhëron se kushdo që ka ndër mend të qarkullojë me motoçikletë, duhet paraprakisht të pajiset me shenjën përkatëse, duke bërë fillimisht kërkesën pranë organeve përkatëse të Ministrisë së Transporteve, si dhe më pas të qarkullojë me kaskë mbrojtëse. Policia e Tiranës sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik, duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›