E Diel, 1 Nëntor 2026

Përsëri aksident në Durrës, vdes 16-vjeçari, plagosen shokët

Pavarësisht masave të marra nga policia rrugore, një tjetër aksident i rëndë i ka marrë jetën një 16-vjeçari në Durrës, ndërsa janë plagosur rëndë dy bashkëmoshatarët e tij. Ndërkohë, shërbimet e përforcuara të policisë rrugore janë shfaqur në të gjitha zonat e nxehta të superstradës, duke shtuar ndjeshëm kontrollet, veçanërisht për përdoruesit e alkoolit, si dhe kanë rritur penalizimet për personat që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar në rrugë. Ndërsa masat u përqendruan në superstradën e vdekjes, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në aksin rrugor Durrës-Shijak, në Xhafzotaj, fare pranë fabrikës së këpucëve "Filanto". Viktima është Bruno Serjani, 16 vjeç nga Xhafzotaj, i cili ishte pasagjer në automjetin tip "Benz", me targë AV023EX, të drejtuar nga shoku i tij, Aleks Sulejmani. Drejtuesi i automjetit, Sulejmani, dhe një tjetër shok i tyre, Fitim Bare, të gjithë nga fshati Xhafzotaj, mbetën të plagosur në këtë aksident. Ashtu si dhe në dy aksidentet e fundit, shkak është bërë shkelja e rëndë e rregullave të qarkullimit rrugor. Drejtuesi i automjetit, Aleks Sulejmani, nuk zotëronte dëshmi aftësie për drejtim, për shkak të moshës së re, ndërsa lëvizte me shpejtësi në rrugë. Si rezultat, makina ka dalë jashtë saj, duke shkaktuar vdekjen e njërit prej adoleshentëve dhe plagosjen e dy të tjerëve, që janë në gjendje të rëndë në spital. Automjeti me të cilin udhëtonin tre adoleshentët është dëmtuar shumë rëndë nga përplasja. Ndërkohë, drejtuesve të policisë u është dashur të riorganizojnë shërbimet e kontrollit në rrugë, të cilat ishin vendosur kryesisht në superstradën Durrës-Tiranë, ku ditët e fundit ndodhën dy nga ngjarjet rrugore më të rënda të viteve të fundit në Durrës. Rreth orës 19:00 të së hënës, postblloqe të ndryshme u shfaqën në pika të ndryshme të superstradës deri aty ku Durrësi kufizohet me Tiranën dhe rezultatet nuk qenë të pakta. U konstatua që ndonëse shpejtësia e lejuar në këtë superstradë është 90 km/orë, mjaft drejtues e tejkalonin atë duke arritur në 120-130 km/h. Vetëm gjatë natës së të hënës dhe orëve të para të ditës së djeshme, postblloqet policore në Durrës, Shijak dhe Krujë, vendosën 192 gjoba për shkelje të qarkullimit rrugor, hoqën 9 patenta dhe bllokuan 5 automjete. Të tjera rezultate u arritën në Durrës ditën e djeshme. Aksidenti i ndodhur mëngjesin e djeshëm vuri alarmin për të mos lënë jashtë vëmendjes as akse të tjera të mbingarkuara në lëvizje. Rreth 47 punonjës policie, efektivë të qarkullimit rrugor, të mbështetur edhe nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, janë vendosur në akset rrugore më problematike të rrethit bregdetar, në të cilat kohët e fundit është rritur numri i aksidenteve me pasoja të rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›