Kthente hekur, vdes nga korrenti
Një 52-vjeçar ka gjetur vdekjen ndërsa ka qenë duke punuar në një pikë tregimi hekurash. Ngjarja ka ndodhur në Lagjen 1 të Pogradecit, kur Refik Zelollari ka qenë duke punuar dhe ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se 52-vjeçari Zelollari kishte shkuar si çdo ditë në punë në pikën e tregtimit të hekurave dhe ndërsa ka qenë në bangon e kthimit të hekurit, një shufër që ka rënë në kontakt me energjinë dhe po mbahej prej tij, i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme nga përcjellja e rrymës. Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 12:00 të së hënës, kur 52-vjeçari nga qyteti i Pogradecit po rregullonte hekurat në pikën ku ishte i punësuar prej pak kohësh, në afërsi të banesës së tij. Nga hetimet e policisë në vendngjarje, pas njoftimit për vdekjen aksidentale të pogradecarit ka rezultuar se gjatë punës në bangon e kthimit të hekurit, kjo e fundit ka rënë në masë me rrymën elektrike dhe për pasojë ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij. Policia e ka klasifikuar vdekjen si një ngjarje aksidentale.