E Diel, 1 Nëntor 2026

Berati, qyteti me dominancë të lartë emergjencash

Berati kërcënohet seriozisht nga fatkeqësitë natyrore. Alarmi është lëshuar nga kreu i bashkisë së këtij qyteti, në një takim të radhës së shtabit të emergjencave civile. Fadil Nasufi ka renditur pesë shqetësimet kryesore, duke përmendur zonat me rrezikshmëri më të lartë dhe i ka cilësuar ato si "mina me sahat" që kërcënojnë qytetin në çdo kohë. Sipas tij, është nevojë urgjente gjetja e rrugëve për t‘i eliminuar në kohë. "Mos funksionimi i hidrantëve kundër zjarrit në lagjet muzeale, kryesisht atë "Mangalem" dhe "Kala". Shtrati i lumit Osum, i cili tashmë është ngushtuar së tepërmi nga aluvionet dhe mbeturinat e ngurta, çka mund të bëhet shkak për daljen e lumit nga shtrati dhe përmbytjen e qytetit. Prezenca e kurorës së gjelbër me dru halor mbi lagjen "Mangalem" dhe atë të "Goricës", të cilat janë një rrezik për zjarret tashmë në periudhën e nxehtë të kësaj vere. Të gjitha këto janë rrezik për qytetin dhe duhet të ndërhyhet sa më parë", ka thënë Nasufi. Më tej ai ka cilësuar si problem serioz praninë e shkëmbinjve në pjesën e thepisur shkëmbore mbi lagjen "Mangalem" dhe "Goricë", që veç shkatërrimit të shtëpive muzeale mund të shkaktojë në çdo kohë dhe viktima në njerëz. "Bllokimi i kolektorëve, si pasojë e ndërtimeve pa leje dhe amortizimit, sjell përmbytje të qytetit edhe në kushte të reshjeve normale të stinës. Ndërtimi dhe tregtimi i pikave të gazit, madje dhe brenda në qytet, rrezikon jo vetëm objektet, por dhe jetën e banorëve. Rrezik është gjithashtu edhe prezenca e materialeve ushtarake nëpër depot e ushtrisë që ndodhen pranë qendrave të banuara. Të gjitha këto janë rreziqe të tjera që i kanosen qytetit tonë", është shprehur kreu i bashkisë, duke theksuar se tashmë janë sensibilizuar të gjitha organet kompetente, por deri më tani nuk është marrë ndonjë masë konkrete që qyteti i Beratit, tashmë pjesë e pasurisë kulturore të UNESCO-s, të marrë frymë lirisht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›