E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest dëshmitarit që "rrëmbeu" Ziso Kristopulin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dje, në procesin gjyqësor që bën fjalë për zhdukjen e Remzi Hoxhës, arrestimin e një dëshmitari, pasi dha dëshmi të rreme. Prokurori Xhevat Hana i ka kërkuar trupës gjyqësore të kryesuar nga Flora Hajredinaj, arrestimin e dëshmitarit Shpend Dibra, një ish-agjent i SHIK-ut gjatë vitit 1995, kohë kur u shoqëruan padrejtësisht nga shërbimi inteligjent, Remzi Hoxha, Ziso Kristopuli dhe Avdyl Loshaj. Prokurori e akuzoi për dëshmi të rreme ish-inspektorin e SHIK-ut duke kërkuar prangosjen e tij. Sipas prokurorisë Shpend Dibra ka shoqëruar Ziso Kristopulin, një nga të rrëmbyerit, së bashku me Remzi Hoxhën, nga Ksamili në drejtim të bazës së SHIK-ut në Vain të Lezhës. Por nga ana e gjykatës është deklaruar se nuk ka kompetencë për arrestimin e një personi dhe duhet ndjekur procedura e prerjes së fletarrestit, e më pas t‘u drejtohet organeve kompetente. Vetë personi i akuzuar ka deklaruar se ka qenë në Sarandë ditën e rrëmbimit të Ziso Kristopulit, ka darkuar atje me ish-shefin e Bazës së Vëzhgimit të SHIK- ut, Avni Koldashi, por nuk mbante mend të kishte shoqëruar persona, duke hedhur poshtë kështu akuzën e prokurorisë. Ndërkohë, dëshmitari ra në "kurthin" e ngritur nga prokurori Hana, i cili kishte përgatitur për dëshmitarin rreth 50 pyetje, por realizoi vetëm 25, pasi Dibra nuk pranonte asnjë nga faktet që janë në dosje. Nga pyetjet që realizoi prokurori, dëshmitari tha se SHIK-u nuk kishte kompetencë për shoqërimin e shtetasve, si dhe shoqërimin e tyre. Kjo kompetencë, sipas dëshmitarit ishte vetëm e policisë. Detyra e agjentëve të SHIK-ut ka qenë vetëm vëzhgimi i elementëve të dyshuar që mund të përbënin kërcënim për sigurinë kombëtare apo për elementë kriminalë që krijonin rrëmuja në zona të caktuara. Prokurori Xhevat Hana kishte përgatitu mjaft pyetje procedurale si marrja e personave nën mbikëqyrje, kush i përcaktonte agjentët, dokumentimin e këtyre vëzhgimeve, dorëzimi i materialeve tek eprorët, ligji që ndiqnin agjentët e SHIK-ut, kufizimi i veprimtarisë etj., pyetje të cilave dëshmitari u është përgjigjur me shprehje të tipit "me aq sa mbaj mend..., pasi kam kohë që kam lënë punën në SHIK". Më pas pyetjet kanë vijuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Prokurori ka kërkuar të dijë nëse agjenti i SHIK-ut, Shpend Dibra, ka shoqëruar ndonjë person për llogari të shërbimit informativ, nëse ka arrestuar ndonjë person, dhe a ka marrë pjesë në shoqërimin e ndonjë personi. Përgjigjet e dëshmitarit kanë qenë të prera: Jo. Por prokurori Hana ka këmbëngulur me pyetjen se nëse dëshmitari ka marrë pjesë në rrëmbimin e Kristopulit. Por dëshmitari ka vijuar të përgjigjet thatë: Jo nuk kam marrë pjesë. Në këtë moment, prokurori ka kërkuar arrestimin e menjëhershëm të tij, pasi dokumentet që ndodhen në dosje dhe dëshmitë e Avni Koldashit dhe shoferit që shoqëroi nga Saranda në Tiranë Kristopulin kishin përshkruar se Shpend Dibra ka qenë pjesë e agjentëve të SHIK-ut që ka "rrëmbyer" Kristopulin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›