E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, vdes 10-vjeçarja, tre plagosen

 

KORÇE - Dy aksidente me pasojë vdekjen e një vajze 10-vjeçare dhe plagosjen e tre të tjerëve ndodhën dje në Qarkun e Korçës. Ngjarja më e rëndë u shënua në një aksident automobilistik që ka ndodhur në aksin Pogradec-Korçë. Vajza 10-vjeçare me inicialet A. B., nga fshati Buçimas i Pogradecit u përplas për vdekje nga një automjet, i cili po lëvizte me shpejtësi. Mësohet se viktima ishte bashkë me kushërirën e saj 20-vjeçare, nga fshati Gështenjas i Pogradecit. Dy kushërirat po zbrisnin në Pogradec për të vizituar një të afërm. Teksa ecnin rrugës ato janë përplasur nga një "Benz" me targe TR 1312 K i drejtuar nga Jetnor Bashllari, 33 vjeç, nga Tirana. Ngjarja sipas policisë ndodhi rreth orës 17:30 të së hënës kur mjeti goditi nga prapa dy vajzat. Të plagosurat janë çuar nga kalimtarë të rastit në spital, por 10-vjeçarja kishte marrë goditje të rëndë në kokë, që i kishte shkaktuar hemorragji të brendshme, ndaj ndërroi jetë disa minuta më pas. Ndërsa 20-vjeçarja kishte pësuar plagë më të lehta. Policia arrestoi drejtuesin e mjetit me akuzën e "Shkeljes se rregullave të qarkullimit rrugor". Një tjetër aksident u shënua dje në hyrje të Korçës me pasojë plagosjen e dy personave, bashkëshorten e drejtuesit të mjetit dhe një pasagjer. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00, kur Stjuard Bardhoshi, 28 vjeç nga Korça, duke drejtuar mjetin e tij me targë KO 6299 B, në vendin e quajtur "Globo" ka dalë nga rruga dhe është përplasur me rreth-rrotullimin. Për pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Më rëndë është plagosur gruaja e drejtuesit të mjetit, e cila pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në Spitalin e Korçës është çuar urgjent për mjekim më të kualifikuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ndërsa shoferi 28-vjeçar u ndalua me akuzën e "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".              j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›