Aksidentet, vdes një grua, rëndë dy të tjerë
LEZHE - LUSHNJE - Aksidente të rënda u shënuan dje në Lezhë dhe Lushnjë, bilanci i së cilave ishte një grua e vdekur dhe dy të tjerë të plagosur. Policia e Lezhës bëri të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 12:00. Ata janë njoftuar se në autostradën Laç - Lezhe, në vendin e quajtur Fushë - Milot, ka ndodhur një aksident ku një autoveturë tip Hunday, me targa të huaja kishte aksidentuar për vdekje një kalimtare. Pas hetimeve rezultoi se viktima ishte Prena Paloka, 70 vjeçe nga Fushë - Mamurrasi. Pas ngjarjes blutë shoqëruan drejtuesin e mjetit, 30 - vjeçari Edmond Qosja, nga Maminasi i Durrësit. Po dje një tjetër aksident i rëndë ndodhi në aksin Rrogozhinë - Lushnjë, por fatmirësisht pa viktima. Një kamion i mbledhjes së mbeturinave me targa DR 8983A u përplas me një benz me targa italiane. Si pasojë e goditjes nga kamioni, mjeti humbi kontrollin, duke bërë që brenda pak sekondave të përplaset shumë fort me trafikndarësen e autostradës. Për pasojë mbetën të plagosur dy persona, të cilët ndodheshin në automjetin tip benz me targa të huaja. Shkëlqim Jeshili dhe Alfred Dupi morën plagë të rënda dhe u dërguan menjëherë në spital. Malo Ndreko një dëshmitar i vendit të ngjarjes pohoi se pas përplasjes nga makina e plehrave, benzin e ndau në mes hekuri i trafikndarësit. Hekuri rreth 2 metër depërtoi në mjet, por fatmirësisht jo vdekjeprurës për personat që ndodheshin në të. Policia e qarkullimit rrugor, por edhe ajo e rendit morën të dhënat e para nga dëshmitarët ku rezultoi se të dyja automjetet kishin qenë duke udhëtuar në të njëjtin krah. Makina e mbeturinave i ka prerë rrugën asaj me targa italiane duke e spostuar atë në pjesët e trafikndarësit të autostradës. Drejtuesi i makinës së madhe u shoqërua në polici. r.n/ m.r