Makina e mbeturinave “shtrydh” benzin, plagosen rëndë dy persona
Dy persona të plagosur rëndë është bilanci i një aksidenti që ka ndodhur dje në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Ura e Rrogozhinës”. Aksidenti ndodhi dje kur një automjet me targa italiane është përplasur me një makinë mbeturinash me targa DR 8983 D. Mësohet se dy automjetet kanë qenë duke udhëtuar në të njëjtin kah kur makina e mbeturinave i ka prerë rrugën automjetit tjetër, i cili është spostuar në bankinat anësore të autostradës. Hekuri mbrojtës i autostradës i ka hyrë mjetit mes për mes duke rrezikuar jetën e dy personave që ndodheshin në makinë. Shkëlqim Jeshili dhe Alfred Dupi u transportuan menjëherë në spital nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë po jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e makinës së mbeturinave deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Plagosja e Durrësit, në pranga vëllezërit dhe shoku i autorit
Policia e Durrësit çon në qeli tre persona të shpallur në kërkim për veprën penale të “vrasjes me paramendim” e mbetur ne tentativë, e kryer në bashkëpunim. Mbrëmjen e së hënës policia ka bërë të mundur arrestimin e 25-vjeçarit Klodian Myftari, 30-vjeçarit Bledi Çerri dhe 60-vjeçarit Ymer Myftari. Sipas policisë, ndalimi i tyre u krye pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka nxjerrë urdhrat e ndalimit për ta sepse tri ditë më parë, në Lagjen Nr.16 në Durrës, kanë plagosur me thikë tre shtetas. Tre personat, në bashkëpunim edhe me Armand Myftarin, i arrestuar fill pas ngjarjes, kanë plagosur me thike shtetasit Xhaferr Neli, Agim Myftari dhe Fatmir Myftari.
12 Gusht 2009