Humb jetën 70-vjeçarja, u godit duke kaluar në autostradën Laç-Lezhë
Një e moshuar ka gjetur vdekjen dje në mesditë pasi u përplas nga një automjet teksa po tentonte të kalonte në anën tjetër të rrugës. Aksidenti ndodhi në autostradën Laç-Lezhë, në vendin e quajtur Fushë-Milot, kur një automjet tip “Hunday”, me targa të huaja, që drejtohej nga 30-vjeçari Edmond Qosja, banues në Maminas të rrethit Durrës, ka përplasur një kalimtare, Prena Paloka, 70 vjeçe, banuese në Fushë-Mamurras. E moshuar ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa në vendngjarje mbërritën hetuesit e aksidenteve për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se aktualisht po mbahet i shoqëruar në komisariatin e Kurbinit drejtuesi i mjetit deri në sqarimin e plotë të aksidentit.
Polici i burgut vret pa dashje veten në shtëpi
Një i ri, efektiv i sigurisë në burgun pranë vendbanimit të tij në Krujë, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me një armë zjarri. Drejtori i Policisë së Durrësit, drejtues Ilia Nasi, deklaroi dje se viktima është Arjan Qamil Merlika, 29 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 3 në qytetin e Krujës, me detyrë punonjës policie në Burgun e Zaharisë pranë qytetit të Krujës. Burimet hetimore, thanë se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm (06:55), në banesën e të ndjerit, pranë kopshtit “Derede”. Mësohet se 29-vjeçari, në rrethana ende të paqarta, ka bërë qitje me armën e tij të shërbimit, një pistoletë “TT”, duke u vetëqëlluar me pasojë vdekjen e menjëhershme. Familjarët e tronditur nga skena shokuese lajmëruan policinë, e cila mbërriti pa vonesë në vendngjarje. Ata transportuan viktimën në Spitalin Ushtarak të Tiranës, por për shkak të plagës fatale që kishte marrë ai nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë në orën 07:45 në mjediset spitalore.
12 Gusht 2009