Krujë, vetëvritet polici i burgut
KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
Vetëvritet me një plumb në kokë gardiani i burgut të Krujës. Arjan Merlika, 30 vjeç, kreu aktin e vetëflijimit mëngjesin e dje-shëm për shkaqe të cilat ende mbeten të mistershme. Sipas dëshmisë së familjarëve të tij, ngjarja ndodhi rreth orës 06:55. Ata kanë dëgjuar një të shtënë të vetme në banesën e tyre. Menjëherë i janë drejtuar dhomës ku flinte djali, polic në burgun e Zaharisë. Por kur janë futur në dhomë janë shtangur nga pamja që kishin para. I biri ishte vetëplagosur dhe përpëlitej të jepte shpirt. Menjëherë familjarët e dërguan atë në spitalin e Krujës, e më pas në Spitalin Ushtarak. Por as dy orë nuk ka mundur t'i mbijetojë 30-vjeçari plagës së marrë në kokë. Ndërhyrja kirurgjikale e mjekëve të Spitalit Ushtarak ka qenë e kotë, pasi i riu nuk mundi të mbijetojë.
Viktima banonte në lagjen nr. 3 të Krujës dhe prej disa kohësh punonte si polic në burgun e Zaharisë. Grupi hetimor mori në pyetje disa kolegë të tij të punës, por sipas burimeve, ata kanë deponuar se nuk kishin vënë re asnjë shqetësim gjatë këtyre ditëve tek ai. Gjithashtu Merlika nuk kishte pasur asnjë konflikt apo mosmarrëveshje në punë, gjë që mund ta kishte ngarkuar atë emocionalisht deri në vetëvrasje. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se dyshimi kryesor lidhet me gjendjen depresive të viktimës, por nuk përjashtohet as pista tjetër e hetimit, e cila ka të bëjë me vetëvrasjen nga pakujdesia. Dyshohet se i riu mund të jetë zgjuar për t'u nisur në punë, por ka qenë i pakujdesshëm me armën e për pasojë ndodhi edhe ngjarja. Mësohet se Merlika kishte vetëm një muaj që ishte fejuar. Ai njihej si tip i heshtur dhe i mbyllur në vetvete, duke mos shfaqur në asnjë moment shenja nervore apo probleme të tjera, të cilët mund të dërgonin atë në atë gjendje. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet, por ende nuk ka një pistë konkrete për shkakun e kësaj ngjarjeje. Familjarët e të ndjerit kanë mbetur të shokuar dhe nuk kanë mundur të japin një shkak të mundshëm që e kanë çuar djalin e tyre drejt vetëflijimit. Sipas burimeve, ata kanë pohuar në polici se nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të tij në punë, por as probleme të tjera për sa i përket jetës së tij private. Grupi i hetimit tashmë ka nisur punën për të dokumentuar motivin e ngjarjes që tronditi familjen Merlika.